“ÇIMKA” E AVOKATIT

0
44

Mitro Çela

Mes qershori 2008. Berisha në Elbasan. I famshmi turne: “Shqipëria në NATO”. I mbeti gërshëra në dorë. Pri të presim shirita. Për vepra të mëdha e të vogla.
Fati desh që në një komunë të Elbasanit kishte përfunduar stacioni elektrik. Tribuna gati. Në krah të Doktorit Bojaxhiu, drejtori i KESH në atë mot. Përballë popull. Mes popullit gazetare seksi dhe operatorë me kamera në duar. Doktori thartoi fytyrën. Pse kjo hata? Rruga me baltë. …Ku është kryetari i komunës? Tha Kryeministri… Pyetja u tret. Foli përsëri Berisha:
-Rrugët i kemi me çakëll?… I kemi… Unë e urrej çakllin. Prandaj do ta zëvendësojmë me asfalt…
Lëshoji frazën dhe sytë i shkuan tek Elona Meçe, e dërguara e “Top Channel”…
-Elona, nuk e kam fjalën për Filip Çakulin. E kam shkrirë. Vetëm për një gjë e bëj me faj Filipin. Mori në qafë Avokatin…
E kishte fjalën për “çimkën” që regjistroi bisedën e avokat Ngjelës me Berishën dhe që u transmetua në “Fiks…Fare”.

PROFETI
Ditën që më vunë drunë nga këshilli kombëtar i PD-së, sa nuk luajta nga fiqiri… Ke dhimbje, më tha Filipi… Kam… Normale. Mbete pa asnjë nishan në parti! Do ta shërosh plagën e shpirtit, shtoi Filipi… Dua… Shko ndiz një qiri në kishë… Zura vend në një nga stolat e kishës. Kryqëzova duart… pa kuptuar nisa të dremit… Në ëndërr m’u faneps një profet. Më vuri dorën mbi kokë dhe më tha: “Jam Profeti Ilia! Pse të shoh të hidhëruar, biri im!”
– Nuk e di, jam apo nuk jam themelues i PD-së dhe i RD-së?!
– Mos e ha veten me dhëmbë, – foli me buzën në gaz Profeti. – E ke nga sëmundja! Kur Adami bëri mëkatin e parë me Evën…
– Ne politikanët e moderuar i themi “seks”…
– Fjalë mëkatare për një politikan arnaut, kur është në gjumë!… Zoti, midis shumë e shumë sëmundjesh që i dërgoi peshqesh botës, gatoi edhe një për deputetët. Quhet amnezia! Politikani, sa merr mandatin e deputetit, e zë amnezia! I sëmurë, torollepset dhe harron të shkuarën!…
– Unë, njoh shumë profetë e shenjtorë të dëgjuar, si për shembull Shën Mitrin! Mos mbani ju lidhje me politikanët e dështuar, që më trazuat gjumin?
– Ne njihemi, d. m. th, ti e ke dëgjuar historinë e jetës sime, kur udhëtoje nga Janina në Trikalla, në vitin 1992, me atë të paudhin, Filip Çakulin…
Ai fliste, mua m’u kthjellua mendja! Kur po udhëtonim, në mes të një pylli pamë një shkëmb të lartë. Mbi shkëmb një manastir. Për t’u futur në manastir, duhet të të hidhnin litarin nga lart: “Pse aq lart? – pyeta grekun që na shoqëronte”.
-Na ishte një herë e një kohë, një prift i ri dhe i bukur. E quanin Ilia. E pa dhe ra në sevda peshkopi. E ftoi për darkë dhe e futi në krevat. Pas kësaj, djali-prift i zhvirgjëruar dhe përdhunuar mori arratinë. Ai ik dhe peshkopi ndiq. Më në fund Ilia, për të shpëtuar të ndenjurat, u ngjit lart, mbi shkëmb, si dhi e egër. Atje hëngri bukë e fiq dhe vdiq… Peshkopit i dhembi zemra, iu dogj xhani!…Në shenjë respekti, peshkopi ndërtoi manastirin dhe e shpalli Ilian profet!

AMNEZIA
…Në palcën e dimrit ’92, vura kandidaturën për deputet në Patos. Më parë se të nisesha në bazë, mora lapsin dhe gatova një program elektoral. E botova në gazetën “RD” … Takimin e filluam në klub. Shumë raki, pak meze dhe na zuri darka… Po populli, thashë unë!… Populli bleu gazetën. I lexoi premtimet dhe i pëlqeu… Po unë dua të flas!… Po fol, kush të pengon?!… Dua elektorat!… Pse nuk ta mbushim syrin. Ti thuaj ato që të do zemra dhe ne vëmë tellallin të dëgjojë i madh e i vogël!… U binda. U ngrita në këmbë dhe:
– Të nderuar qytetarë! Po më dhatë votën, unë do ta bëj Patosin kryeqytet të naftës! Unë jam i gjezdisur nëpër botë. Kam kudo miq. Kam takuar Andreotin, Kryeministrin e Italisë…Kam bërë logo me Micotaqin, Kryeministrin e Greqisë. Kam folur me Shirakun në Francë… (Si shumë po mburret ky verdhacuku, dëgjova një zë!… E mo le të shfrejë! Se mos është i pari!… Këto pësh-pëshe më dhanë zemër)…Do t’u gjej viza për në Greqi…Do të siguroj pajisje për maternitetin e Patosit! Do bëj rrugë, fabrika, uzina, kombinate, kantiere…
…Një ditë të bukur prilli ’92, u futëm në sallën e Parlamentit. Pjetër Arbnori lexoji formulën e betimit të deputetëve. Kur thashë fjalën: Betohem, diçka sikur më rrodhi në trurin e vogël! Harrova vendin ku isha deputet! Pyeta Teodor Kekon, që më rrinte në krah:
– Dorkë! Di gjë ti, ku jam unë deputet!…
– Ti je në Patos! Po ti, di gjë ku e kam unë elektoratin!
Uëëë… mos luajtëm nga fiqiri! Ndërkohë, dikush foli nga radhët e fundit: Mitron e kërkojnë jashtë. Te kafeneja, dy burra me mustaqe. Më përqafuan me mall.
– Tani që u bëre deputet edhe kalamanët e sokakëve nuk të lëshojnë nga goja. Xhaxhi deputeti do të na bëjë një shkollë të re!…Kemi ardhur për problemin e maternitetit në Patos.
– Ç’është ky maternitet?
– Zoti Mitro! Na e premtove vetë…
– Nuk më kujtohet! E keni parë mirë listën: Mos keni ndonjë deputet tjetër?
U panë sy më sy. Tundën kokën dhe u larguan duke më sharë me libër shtëpie! Unë isha fajtor pa faj. “Qyrkun” e kishte veshur sëmundja ime: Amnezia!
…Një ditë behari ’94, kur Eduart Selami ishte kryetar i PD-së, më ftoi të shkoj në Patos. Po pse më zgjodhe pikërisht mua?… Mitro, je në okë? Të kërkon populli se je deputet! Tha Selami… Pranova, me kusht që të merrja me vete Filip Çakulin. Edi u nis përpara. Ne nga pas.
– Ne nuk jemi zagarë, – tha Filipi, – që t’i qepemi Edit nga prapa. Edi është djalë i bukur dhe po na merr historia!
Fjalë me vend për të qëndruar në Durrës. Pimë kafe. Pastaj lamë në det mëkatet. Domosdo, hëngrëm edhe drekë. Në mbrëmje morëm rrugën për në Tiranë. Më pyeti Filipi:
– Për ku u nisëm, di gjë ti Mitro?…
– Jo, – i thashë, unë jam i sëmurë, kam amnezinë, harroj…
– Po Edi që na pret në Patos?… E mo se edhe ai deputet është, nuk bën përjashtim nga kjo sëmundje!
Në darkë hapa TVSH-në. Lajm: Eduart Selami midis qytetarëve të Patosit. Blla… Blla… Zgjedhësit bënë vërejtje për deputetin Mitro Çela që ka harruar premtimet…dhe Patosin! Një ditë më vonë, takova Eduart Selamin. “Të kritikova. Kishte shumë vërejtje! Nuk kisha si t’ia bëja!…”
– Dëgjo Edi! Kritika jote ishte parimore. Bile unë u gëzova. Thashë shyqyr që më doli një herë emri në televizor!