Cikël poetik : Emocione stinësh

0
44

Arjan Th. Kallço


Dhimbje

Ajo kohë kur ëndrrat e tua
Vallëzonin mbi re, si
Një meteor i krisur
Që edhe pse e njeh fatin
E udhëtimit të vet, por
Prapë guxon, papritur
U ngrys.
Edhe ato ditë kur gëzimi
Kishte bërë divorc me trishtimin,
Sot po heshtin,
Të mbytur nga lotët e dhimbjes,
Të varrosur nga vaji nënzë.
Është koha kur Vetmia jeton e vetme
Mbyllur diku në kujtime
Dhe shpirtërisht në dualitet.
Por ti, sa herë që ta ndiesh,
Do të mjaftonte vetëm një apel
Tek dera që do të hapet furishëm,
Gjithmonë një mik, tek mua, do ta gjesh.

7 shtator 201

Trokitje çastesh

Rrugëtimi u ndal këtë natë fundvere
në Bukuresht, aty mes kohës
që rëndë përgjumej
nga kllapia e errësirës
dhe frymë njerëzish që
ende ishin zgjuar në qytet.
Pak truk në shpirt
kur nata merr tatëpjetën
kurrë s’është profetik,
as të ringjall,
nëse s’tunden themelet nga agu
edhe ndryshimi i shumëpritur
nuk ka shpresë,
nuk ka efekt.

Shtator 2011

Nëpër rrugët e Romës

Endem i përhumbur nëpër rrugët
E Romës, jo sepse nuk
Di të orientohem në shpirtin e saj,
As sepse janë fshirë nga mendja
Imazhet e saj të dikurshme.
Endem unë, shqiptari, që fati
Më ka sjellë gjithmonë këtu, por
Veç me një dhimbje në zemër
Prej dashurisë së parë.
Endem unë, poeti, në kërkim
Të një zjarri përvëlues që
Të më japë forcë dhe më pas
Gjithçka të rilindë, e të rilindë prapë.
Endem mes shumë dashnorëve të tjerë
Në këtë qytet ku padashur thithim
Përjetësi, njerëz të etur për pak frymëzim
Që Atdheun e tyre kanë braktisur
Për një tjetër liri.
Me mua një mik udhëtar shqiptar,
Të dy, të burrëruar tashmë,
Ecim krah për krah krenarë,
Të bindur se pas nesh
Vezullojnë kujtimet tona të dikurshme
Që papritur bëhen gabianë,
Që bëhen fanarë.

11/11/11

Apeli i ri

Një tjetër furtunë fryu
Këtë ditë, një vit më shumë
Iu shtua apelit tim të parë.
E tillë është jeta :
Shumë apelesh
Në një fat të përbashkët tokësor
Dhe jo maniakja egoiste
Që vetëm përqesh
Dhe vetëm korr.
Dikur frynin përsëri, por
Ishin puhiza të freskëta që i
Jepnin lezet rinisë, eh, sot
Janë vite të largëta
Nga dhimbjet ngrysur, plagosur, por
Jeta është magjia e kësaj bote,
Sado e hidhur të trokasë në kohë,
Përsëri rilind dhe prapë rilind.
Mos u mërzit do thoni ju,
E di fort mirë, këto nuk janë
Mesazhet e dikurshme ngushëlluese,
Se vitet atë punë kanë,
Ca ikin bukur me lezet
Të tjerat na vënë në provë.
Por prapë aromë jete ato janë.

22/11/2011

Kë do puthësh…

Afroi fundviti edhe sivjet
Dhe bota po zien nga përgatitjet
Si ta presin Vitin e Ri,
Si ta përcjellin vitin e vjetër?
Po ti, e dashur Mike, që ende je larg;
A po bëhesh gati vallë,
Që natën e ndërrimit të viteve
Gotat të trokasësh gëzueshëm
Me mua përballë?
Unë kam kohë që mezi po pres
Një mesazh apo sinjal shpejt të shfaqet
Dhe nëse kurrë nuk do të mbërrijë,
Do abstenoj trishtueshëm nga urimet dhe
Do le zemrën që të flasë.
E do mblidhemi bashkë në sheshe
Dhe shampanjën do ta derdhim det
Prapë ngrohtësisht do përqafohemi si dikur,
Po ti, moj Mikja ime e mirë,
Atje mes akujve në vendlindjen tënde,
Pa më thuaj : Kë do puthësh atë natë?

26 dhjetor 2011

Riti hileqar i fundvitit

Ditët po vrapojnë
Drejt fundit të tyre të pashmangshëm
Për këtë vit. Edhe dy hapa na ndajnë
Dhe para nesh do të shfaqet
Një tjetër univers Pritjesh,
Ëndrrash dhe Ankthesh përzjerrë
Për një botë më të mirë.

Ditët po vrapojnë duke plaçkitur
Çdo sekondë që rëndë godet në orë
Me akrepat që tashmë e kanë kuptuar
Se vetëm një çast do të ndalen për t’i
Dhënë lamtumirën plakut tekanjoz,
Për të rifilluar më pas ritin e përjetshëm
Me tjetrin që gjithmonë në fillim
Duket tepër serioz.

Ditët po vrapojnë duke rrëmbyer
Edhe vetë emocionet e botës, kudo
Në çdo skaj, mes njerëzve që ditën
Rropaten rrugëve për pak lëmoshë
Dhe që fatit të tyre të zi kurrë s’ia ndryshuan
Rrjedhën dot, mes të lënduarve
Që armët e pabesa të lirisë
U sollën veç lot.

Pas do të mbetet e njëjta botë
E ndytë e Interesit, e Parasë, e Vesit
Që edhe ajo vrapon ethshëm duke garuar
Në këtë kaos të pazhdredhshëm Dymijë vjeçar.

30 dhjetor 2011

Viti i Ri, avazi i vjetër

Viti 2012 siç pritej erdhi,
Bile, me këmbën e djathtë
Hyri tek dera dhe
Si çdo vit në mëdyshje
Përkundet i habitur
Mes jetës së re dhe asaj
Të vjetër.
Në rrejtën e madhe të historisë
Edhe një hallkë tjetër
U shtua. Rrjetë e pafund
Tek e cila mbeten vitet
Në një ndjekësi të rregullt
Të numërimeve progresive
Drejt pafundësisë.
Rrjetë djallëzore tek e cila
Përpëliten në një burg
Plot ajër të gjitha gjallesat,
Por pa asnjë shpresë.

3/01/2012