Mustafa Nano / ResPublica
Më poshtë keni një numër pyetjesh nga dy intervista që i janë marrë kryeministrit Sali Berisha nga Blendi Fevziu. Asnjë prej këtyre pyetjeve nuk ka të bëjë me shqetësimet reale të vendit; për më tepër, tek-tuk janë të njëjta pyetje që i bëhen të njëjtit person për të marrë të njëjtat përgjigje në harkun e dy a tre muajve. Për të njëjta tema ‘bombë’ u pyet mbrëmë kryeministri edhe në televizionin Ora News. Ky avaz vazhdon prej 10 vitesh e kusur.
Shtator/Tetor 2011: A ka një plan konkret që ju të largoheni nga qeveria dhe nga PD-ja për të shkuar në Presidencë? Kjo do të thotë që ju nuk do të kandidoni në postin e Presidentit? Është deklaratë e prerë që ju s’do të kandidoni për President? Ju do ta drejtoni fushatën e PD-së? Ju thatë që s’do të kandidoni për President, por a keni ndonjë ide kush do të jetë Presidenti ose Presidentja e ardhshme e Shqipërisë?
Presidenti do të jetë një zgjedhje e kësaj maxhorance, zoti Berisha, apo kompromis me opozitën? Do zgjidhet me 71 vota? A do të ketë ndryshime në qeveri, z. Berisha? Nuk do të ketë ndryshime? Keni folur edhe për rishkrimin e historisë së vendit. A ka lidhje kjo me ndryshimet në ligjin për ish-të përndjekurit politikë?
25 Dhjetor 2011: Mendova që ajo që ngjau në festën e PD [të fiktit] do t’ju pengonte të ishit këtu…? Jeni i sigurt se axhenda juaj nuk do të reduktohet pas asaj që ju ndodhi? Ishte një virozë, apo ishte emocionale? Ju e ndërpretë fjalimin; pse nuk e latë kur e ndjetë që nuk ishit mirë? E morët vesh që lideri i opozitës ju uroi një shërim të shpejtë në Twitter? Si, ju po thoni që [ju vetë] nuk do ta kandidoni? Nuk do të votoni më për Topin nëse ai kandidon? A jeni ju në vështirësi si maxhorancë me një President që ka shprehur ambicien për të pasur karrierë politike, që mund të përdorë postin e Presidentit për të konsoliduar pozitat e tij? Pse nuk e ftuat Presidentin në pritjen e PD-së?
Është rikthyer në qendër të vëmendjes emri i Nanos si President në 2012-n ….? U qëndroni deklaratave që nuk do të kandidoni [për President]? PD kandidatin e saj për President do ta ketë figurë politike, apo jashtë politikës? Ju nuk i keni votat si PD, keni 70 vota. Presidentin do ta zgjedhë LSI-ja? A do të jetë Topalli kandidate e PD-së për Presidente? Është Topalli një kandidaturë e mundshme? A do të jetë kandidat i PD-së Fatos Nano? Presidenti mund të vijë nga jashtë politikës? A keni ndër mend të ndryshoni qeverinë?