Nga Anila Basha
Teksa shihja emisionet televizive paraditen e sotme, dëgjova zallamahinë që po bënte PS në Kolegjin Zgjedhor me një padi të dytë. Bëhet fjalë se kush do të jetë kryetar i bashkisë së Tiranës. E pasi mbaroi në kohë rekord seanca e Kolegjit Zgjedhor, del kryeministri Berisha, i cili turravrap nga inaugurimi i hidrocentralit të Ashtës një ditë më parë, në mbledhjen e radhës së qeverisë flet për turizmin, vlerat e Shqipërisë, reklamat që i ka bërë media ndërkombëtare peizazheve të vendit tonë, (kronika në fakt që ditën e djeshme i kishin bërë televizionet pranë të djathtës dhe mirë e bëjnë…por që të udhëheqin axhendën e kryeministrit, kjo duket e pakuptimtë).
Nuk e dëgjova kryeministrin e vendit tim, të fliste për çështje sociale, për një ngjarje makabre, që në faqet e shtypit të përdishëm ishte trajtuar si një çështje e dorës së dytë. Pastaj pashë të voglin 12 vjeçar që fliste përpara kamerave duke treguar sesi dy të rinj nga Devolli e kishin përdhunuar, e më pas e ëma që qante ndërsa thoshte se i biri që prej tre ditësh vuante me temperaturë dhe ishte në gjendje të rëndë psikologjike.
Por, për çfarë turizmi mund të flasim sot, kur jeta sociale e shqiptarëve po shkon për faqe të zezë. The Guardian, na jep tregime të personazheve realë të ngujuar për gjakmarrjen; në Tiranë, një 60 vjeçar hipën në shtyllën e tensionit të lartë dhe do të hidhet që andej se po i vjedhin pronën padrejtësisht; krimi makabër vazhdon në familje për çështje prone, ku vëllai qëllon të vëllanë; aq shumë është rritur depresioni i qytetarëve shqiptarë, sa një piktor i vë zjarrin banesës së vet… e kështu mund të rendis pa fund histori njerëzore nga Shqipëria jonë e këtyre pak mijërave kilometra katrorë, ku rezultatin e investimeve dhe turizmit, e zbeh “prishja e gjakut” dhe ato uf-bufet e çdo qytetari shqiptar teksa dëgjon lajme të tilla. Sepse është ironike apo jo: të dëgjosh për një ngjarje përdhunimi të një minoreni dhe më pas ata që duhet të impenjohen për politika dhe strategji sociale, të flasin për turizmin…
Përveç kryeministrit që fliste për turizmin dhe anashkalonte ngjarje dhe fenomene të një rëndësie madhore, u habita që ende asnjë OJQ që merr fonde pa fund nga buxheti i shtetit, apo ato që konsiderohen si të pavarura të reagojnë dhe të mbushin ekranet e televizoneve apo faqet e gazetave për këtë ngjarje makabre. Ah po, kur bëhet fjalë për leximin e votës së çdo shqiptari dhe dëgjimin e zërit të çdo qytetari, i ke eksponentët e OJQ-ve në çdo television. Por, kur vjen puna të reagohet për punë të tilla, për të cilën marrin miliona lekë fonde, këtë nuk duan ta bëjnë. Po pse? Ah jo, nuk mund të nxihet imazhi i Shqipërisë në prag të sezonit turistik. Jo dhe jo. Për shqiptarët, turizmi është më i rëndësishëm.
Por qytetarët, inteligjenca dhe ndërgjegjia e të cilëve është më e madhe sesa e atyre që vërtiten në të njëjtin rreth vicioz, nuk dëgjojnë shumë se çthotë Berisha për turizmin. Nuk duan t’ia dinë sesi do të vendosë Kolegji Zgjedhor dy muaj pas përfundimit të zgjedhjeve. Qytetarët janë pranë asaj familjes nga Devolli, duke uruar dhe shpresuar që familja të dalë shpejt nga trauma që e ka përfshirë, e duke iu lutur zotit që kjo, të mos ndodhë brenda pragut të shtëpisë së tyre, në një Shqipëri, ku drama sociale po merr përmasa tragjike.







