TemA, 21 Qershor 2012
Prej rreth dhjetë ditësh në një pjesë e Parkut të Tiranës po ndërhyhet me prerjen tërësore të pemëve shumëvjeçare (pisha, rrepe, eukalipte, etj, 30-70 vjeçare).
Ky proces ka përfshirë gjithë zonën e Parkut përgjatë rrugës së Elbasanit, që prej Fakultetit të Ekonomisë e deri në Sauk. Si fillim janë prerë tërësisht pemët në një sipërfaqe prej rreth 5000 m2 në zonën e hyrjes së Parkut; përgjatë rrugës së Elbasanit në një brez gjerësi 10-30 m dhe; brenda rrethimit te Varrezave të Dëshmorëve gjithashtu në një brez me gjerësi rreth 10-15 m. Të gjitha këto zona bëjnë pjesë brenda kufijve të Parkut të Tiranës, kufij dhe destinacion i shpallur me vendim të KRRTRSH-së dhe si të tillë nuk mund të ndryshohet pa një vendim tjetër të po këtij organizmi eperor.
Gjithashtu, nga piketimet paraprake shihet se projekti parashikon shkatërrimin e rrethimit të Kopshtit të Pallatit të Brigadave dhe prerjen e pemëve në një brez 10-15 m brenda tij. Natyrisht që shkatërrimi i rrethimit përfshin gjithë murin origjinal me harqe, kullat prej guri në fillim dhe në fund, portën monumentale të Pallatit, vend-rojet ceremoniale, etj, të gjitha pjesë e Parkut të Pallatit, i cili me VKM është shpallur vite më parë “Monument Kulture”.
I gjithë ky shkatërrim, bëhet në emër të një projekti fantazmagorik për zgjerimin e rrugës së Elbasanit. Themi “fantazmagorik”, pasi në terren nuk ka asnjë tabelë që të sqarojë publikun për gjithë çka po ndodh (gjë që përbën detyrim ligjor).
Gjithashtu, nuk dihet se kush e ka hartuar këtë projekt; kush e ka miratuar dhe në çfarë instance; a është bërë dhe kush e ka bërë raportin e ndikimit të mjedis; kush e ka ndryshuar destinacionin e pjesës së Parkut që po tjetërsohet e për rrjedhojë shkatërrohet; a është kërkuar prononcimi i IMK-së për shkatërrimin e një monumenti kulture siç është parku i Pallatit të Brigadave; etj.
Bashkia e Tiranës mundohet të ofrojë informacionin minimal, duke deklaruar herë për një projekt me 4 korsi e herë me 6 korsi. Në fakt, përfundimi i autostradës Elbasan-Tiranë, e nxjerr jashtë loje këtë investim të sforcuar, duke hedhur kështu hije të rënda dyshimi për arsyet reale të këtij shkatërrimi.
http://respublica.al/artikuj/2012/6/21/cfare-po-ndodh-me-parkun-kombetar