Çfarë nuk thotë Butka për Prek Calin dhe bashkëpunëtorët e fashizmit

0
62

Nga Shaqir Vukaj, 28 Janar 2014

Është për të ardhur keq që nuk është folur për rolin e tij në mbrojtje të Vermoshit, kur ish Mbreti Zog ia dhuroi atë Jugosllavëve dhe ai u vu në krye të malësorëve për ta mbrojtur me jetën e tyre që ai të mbetej brenda kufijve të Shqipërisë. Në kohen e socializmit nuk flitej sepse ai ishte damkosur si tradhtar, ndërsa tani nuk flitet se ata që e hyjnizojnë, duan t’i shmangen këtij akti tradhtar të Ahmet Zogut…

(Vijon nga numri i djeshëm)

Bashkëpunëtorë të fashizmit apo antikomunistë?

Në librin e U. Butkës përmenden me emra si organizatorë e drejtues të atyre përpjekjeve me armë që autori i quan kryengritje, disa prej bashkëpunëtorëve më të zellshëm të pushtuesve nazifashistë, ku bien në sy emrat e Jup Kazazit, Mark Gjon Markajt, Llesh Marashit, Kolë Ashikut, Gjelosh Lulit, Nikoll Dedës, Gjergj Lulës, Hasan Isufit etj. Të gjithë këta i kishin shërbyer pushtuesve dhe ishin dalluar si shërbëtorë shumë të zellshëm te tij… Pa u zgjatur me veprimtarinë e tyre (ekzistojnë me qindra e qindra dokumente në arkivat tona, italiane e gjermane), po përmendë disa nga funksionet që kanë pas disa prej tyre gjatë pushtimit:

Jup Kazazi rridhte nga një familje shumë e njohur në Shkodër, që ishte shquar për patriotizëm e bujari. Ai kishte mbaruar shkollën e lartë në Itali. Që me pushtimin e vendit nga Italia Fashiste ai u vu në shërbim të saj, në detyra të ndryshme, si Sekretar Federal, anëtar i Këshillit të Epërm Fashist Korporativ, prefekt i Durrësit, Ministër i Partisë Fashiste, zv/prefekt i Shkodrës. Në gusht të v.1943, kur Italia Fashiste ishte në grahmat e fundit, largohet nga detyrat shtetërore fashiste.

Mark Gjon Markaj, djali i Gjon Marka Gjonit, i njohur për veprimtarinë e tij në dëm të interesave të Shqipërisë…. Në vitet 1940-1943 ai ishte anëtar i Këshillit të Epërm Fashist Korporativ, në vitet 1941-1943 nën/ministër i Punëve të Brendshme (realisht ministër, sepse ministri ishte italian me qendër në Romë). Me pushtimin e Shqipërisë nga Gjermania Naziste, vihet në shërbim të saj dhe emërohet Ministër dhe nënkryetar i Legjislativit.

Llesh Marashi, ish oficer i kohës së Mbretërisë, rridhte nga një familje me emër në Malësi të Madhe. Mbas pushtimit nga Italia Fashiste, me gjithë joshjet e pushtuesve italianë, ai nuk pranoi të bashkëpunonte me ta. Madje në fillim të vitit 1943, ai iu përgjigje thirrjes së Frontit Nacional Çlirimtar dhe u bashkua me partizanët, të cilët e zgjodhën komandant çete. Mbasi qëndroi rreth 3 javë në çetën partizane, papritur iku nga çeta, së bashku me njerëzit e tij (7 vetë). Qëndrimi i tij deri në Luftën e Reçit ka qenë i dyshimtë, sepse vërtete ai mori pjesë në Luftën e Reçit, por menjëherë mbas pushtimit të vendit nga nazistët gjermanë, ai u vu krejtësisht në shërbim të tyre, të cilët e emëruan në postin tepër të lartë për atë kohë, në atë të Qarkkomandantit të Shkodrës.

Zoti Butka e të tjerët, besoj kanë parë dokumentet e kohës së luftës që tregojnë veprimtarinë e tij… Pa u zgjatur, do përmendë vetëm faktin, se sipas dokumenteve të shumtë që gjenden në arkivat tona e ato gjermane, Gestapo, së bashku me njerëzit e Llesh Marashit e kryesorja me firmën e tij, arrestuan rreth 200 të rinj nga Shkodra dhe i internuan në kampet naziste, kryesisht në atë të Prishtinës, 80 prej të cilëve nuk u kthyen më… Shumica dërmuese e tyre në lulen e rinisë.

Gjelosh Luli, ish oficer i Mbretërisë, me prejardhje nga familja e dëgjuar e Dedë Gjon Lulit, menjëherë mbas pushtimit të vendit nga Italia Fashiste u vu në shërbim të saj. Me pushtimin e vendit nga nazistët gjermanë vazhdoi në këtë rrugë, duke qenë gjatë gjithë kohës së pushtimit komandant i Forcave të Armatosura të Qarkut të Shkodrës.

Kolë Ashiku, i njohur që në rini si spiun i të huajve. Në v.1920, ai (për llogari të armiqve të Shqipërisë) ka vrarë në Shkodër patriotin e Sali Nivica. Mbas daljes nga burgu është vënë në shërbim të jugosllavëve dhe ka jetuar për shumë kohë në Beograd. Me pushtimin e vendit nga Italia fashiste është vënë në shërbim të saj, në rolin e kryespiunit, veprimtari që e ka vazhduar më me intensitet gjatë pushtimin gjerman. Në v.1946, në hetuesi ka pranuar veprimtarinë e tij si spiun, ku ndërmjet tjerave ka pohuar se “sa iku Zogu, spiunët e tij u banë spiunë të Italisë, sa kapitulloi Italia fashiste, të nesërmen, ata (spiunët) kanë ardhë te unë për tu regjistruar si spiunë të Gestapos”.

Hasan Isufi, ish kapiten gjatë pushtimit nazist, i njohur për frikën dhe tmerrin që kishte shkaktuar në radhët e popullsisë së Shkodrës batalioni i tij, ku ai ishte komandant e ku si instruktorë shërbenin oficerë gjermanë…
Nikoll Deda, ish kryetar i Komunës së Shkrelit gjatë pushtimit, i njohur për veprimtarinë e tij në shërbim të pushtuesve nazifashistë. Me dhjetëra dokumente të kohës së luftës flasin shumë qartë për këtë.

Kështu mund të vazhdohet edhe me të tjerë…

Kush provokoi i pari?

Ndërmjet tjerave autori shkruan: “Kryengritja e Malësisë së Madhe ishte lëvizje refraktare e vetvetishme, e provokuar nga mësymja e ushtrisë qeveritare për ta nënshtruar e ndëshkuar atë: ishte lëvizje e gjerë popullore, ku morën pjesë gati të gjithë malësoret: ishte një reagim e veprim i brendshëm, i pa urdhëruar nga ndokush tjetër, nga jashtë apo nga brenda” (fq. 45).

Së pari, Ushtria Nacional Çlirimtare nuk ka mësy dhe nuk ka provokuar askënd, sepse nuk kishte nevojë të provokonte, të mësynte e për me tepër të ndëshkonte ndokënd. Dhe kjo është e qartë për këdo, sepse që të mësysh duhet të kesh një armik përpara. Ajo hyri e qetë e pa asnjë ngacmim nga askush në Malësi të Madhe, madje në shumicën e fshatrave u prit si çlirimtare. Nuk ka asnjë ngjarje a përplasje midis Ushtrisë e kujto qoftë gjatë muajit dhjetor, kur po vendoseshin organet e para të pushtetit të ri, sepse edhe ata kriminelë e bashkëpunëtorë të fashizmit që ishin fshehur në Malësi të Madhe, nuk kishin asnjë forcë reale me vete, madje fillimisht strukeshin për të ruajtur kokën e tyre.

Ata filluan të organizohen në fund të dhjetorit, kur zhvilluan dhe takimet e para, për krijimin e grupeve e “çetave”, kur ushtria e forcat e pushtetit të ri ishin shtri dhe së bashku me malësorët vendas, po krijonin organet e pushtetit të ri. Së dyti, e kryesorja, ajo nuk ishte aspak një lëvizje e gjerë, por shumë e kufizuar, që u shtri në një zonë tepër të ngushtë të Malësisë, në zonën e Kastratit e Shkrelit dhe nga një grusht njerëzish.

Por masat shtrënguese kanë filluar si kundërpërgjigje ndaj aksioneve e sulmeve të armatosura të këtyre grupeve, kundër forcave qeveritare, në Bajzë të Kastratit dhe Koplik. Në asnjë rast UNÇ nuk ka filluar e para pushkën, përkundrazi, faktet e dokumentet vërtetojnë më së miri, se mbasi është sulmuar, atëherë ajo ka filluar mësymjen, përndryshe “operacionet e spastrimit”.

Kryengritja e Kelmendit

Por le të vazhdojmë me atë që autori e quan Kryengritja e Kelmendit.
Kelmendi shtrihet në skajin më verior të Alpeve të Shqipërisë. Historikisht ai ka qenë pjesë e Malësisë së Madhe dhe, sipas organizimit të Malësisë, ai ka qenë bajraku i tretë, mbas Hotit e Grudës ( në organizimin e brendshëm, Kelmendi ndahej në katër bajrakë. Por kjo ka qenë një nënndarje e brendshme, sepse në çdo rast, në kuadrin e Malësisë së Madhe, Kelmendi është njohur e përfaqësuar si një bajrak i vetëm). Para vendimeve të Kongresit të Berlinit, brenda Kelmendit përfshiheshin edhe Plava e Gucia (sot brenda territorit të Mal të Zi) e deri në Vuthaj (sot brenda territorit të Kosovës). Rrethuar nga të gjitha anët me male, popullsia e tij bënte një jetë të mbyllur, të kufizuar kryesisht brenda vetes. Megjithëse të varfër, banorët e kësaj krahine dalloheshin për bujari e mikpritje të jashtëzakonshme.

Të gjendur ballë për ballë me sllavët e në ngatërresa të vazhdueshme me ta (për të mbrojtur kufirin, kullotën, ujin, malin, bjeshkën, pyllin etj.) banorët e kësaj krahine janë dalluar historikisht për atdhedashuri, patriotizëm e trimëri. Në të gjitha zhvillimet politike e ushtarake, Kelmendi ka qenë pushkë e parë, ku bijtë e tij janë shquar si luftëtarë trima. I veçantë ka qenë qëndrimi i tyre në mbrojtje të Vermoshit, kur ish Mbreti Zog, sipas marrëveshjes me Beogradin, ia dhuroi atë Jugosllavisë….

Siç thamë, pjesëmarrja e “Maleve” në Luftën Nacionalçlirimtare ka qenë e ultë, ndërsa e Kelmendit mund të thuhet e papërfillshme. Por duhet thënë se Kelmendi nuk është shkelur as nga pushtuesit italianë e gjermanë. Me përjashtim të disa ekspeditave për të studiuar mundësitë e shfrytëzimit të pasurive natyrore (pyje, nëntoka, ujërat etj.) apo të ndonjë njësie të vogël ushtarako-policore që vinte nga Plava e Gucia (që në kuadrin e Shqipërisë etnike u bashkuan me Shqipërinë), në Kelmend nuk ka shkelur asnjë ushtri e huaj. Duhet vënë në dukje se Kelmendi nuk kishte asnjë rrugë komunikacioni dhe, rruga për në Shkodër bëhej vetëm në këmbë ose me kafshë që zgjaste 2-3 ditë (rruga e parë automobilistike që e lidhte Kelmendin me Shkodrën është ndërtuar në v.1968).

Duke qenë zonë e izoluar, ku mungonin krejtësisht shkollat, numëroheshin me gisht njerëzit që dinin shkrim e këndim. Si shumë malësorë të Malësisë së Madhe, shumë prej tyre bënin jetë të dyzuar, mes maleve e fushës. Që herët, Turqia, për interesa të veta, kishte lejuar, madje kishte ndihmuar që shumë malësorë, përfshij edhe nga Kelmendi, të zbrisnin në kënetat e bregdetit, që nga Nën Shkodra, Bregu i Matit, e deri në zonën e Milotit. Si njerëz që kishin vuajtur gjithë jetën për një copë tokë, ata arritën të hapnin toka të reja në këneta, të shtonin blegtorinë e të përmirësonin jetën e tyre.

Por shumë prej tyre nuk ndaheshin nga malet ku shkonin në pranverë dhe ktheheshin në vjeshtë. Kështu ka vazhduar për shumë e shumë vite, deri sa një pjesë e tyre u ngulit përfundimisht në këto zona ku jetojnë edhe sot. Janë pikërisht pasardhësit e atyre malësorëve që edhe sot e quajnë veten malësorë, megjithëse kanë lindur e janë rriture në fushë, në Velipojë, Breg të Matit, në bregdetin e rrethit të Laçit etj.

Duke qenë pranë qendrave të banuara, ata kishin mësuar gjera të reja e mënyra të reja jetese, që në forma të ndryshme i çonin edhe në Kelmend, por gjithsesi jeta atje vazhdonte në traditën e saj shekullore… Kështu e gjeti Kelmendin çlirimi i vendit.

Prek Cali – antizogist, antikomunist dhe… antidemokrat!

Për shumëkënd që e njeh Kelmendin, kur përmendet ai, menjëherë i shkon mendja tek Prek Cali, emër tepër i njohur për këdo në Kelmend e në krejt Malësinë e Madhe e që i kishte kaluar kufijtë e saj, por që mbas Luftës vëllavrasëse të Kelmendit u damkos si tradhtar e bashkëpunëtor i fashizmit, reaksionar, feudal, bajraktar etj. etj. e që mbas viteve ‘90-të u ngrit në piedestal, duke e hyjnizuar e kthyer pothuajse në mbinjerëzor….Duke qenë një figurë tepër interesante që kërkon trajtim të ekuilibruar, larg mllefeve e ndikimeve ideologjike, qoftë të kohës së socializmit, qoftë të periudhës së “tranzicionit” ai mbetet një figurë me shumë vlera sidomos për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë dhe mbrojtjen e tyre.

Por gjithsesi, ai ishte njeri, me të mirat e këqijat, meritat e gabimet. Ai ishte njeri i thjeshtë, i dalë nga populli, që megjithëse analfabet, me urti e burrëri, diti të ecte përpara e të bëhej i respektuar nga shumëkush, madje edhe nga përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha që u morën me caktimin e kufijve veriorë. Roli i tij është tepër i madh per mbetjen e Kelmendit brenda territorit të Shqipërisë.

Është për të ardhur keq që nuk është folur për rolin e tij në mbrojtje të Vermoshit, kur ish Mbreti Zog ia dhuroi atë Jugosllavëve dhe ai u vu në krye të malësorëve për ta mbrojtur me jetën e tyre që ai të mbetej brenda kufijve të Shqipërisë. Në kohen e socializmit nuk flitej sepse ai ishte damkosur si tradhtar, ndërsa tani nuk flitet se ata që e hyjnizojnë, duan t’i shmangen këtij akti tradhtar të Ahmet Zogut… Ky, mbasi erdhi në pushtet e internoi Prek Calin. Në fakt armiqësia midis tyre lidhej edhe me faktin se ai kishte përkrahur Revolucionin e Qershorit.

Dokumentet flasin se armiqësia midis tyre ishte më e hershme, mbasi në v.1923 A. Zogu nuk i dilte zot dhe nuk ngrinte zërin për të mbrojtur Vermoshin nga ngacmimet e sulmet e jugosllavëve (Një fakt tepër interesant. Në arkivat ruse kam gjetur dokumente që tregojnë se krahas jugosllavëve, në këto veprime të armatosura kanë marrë pjesë edhe bjellogardistë rusë, pikërisht nga ata që në dhjetor 1924 sollën Zogun në pushtet). Pavarësisht se mbas katër vite internimi, Zogu e lejoi Prek Calin te kthehej ne vendin e tij dhe, siç kishte vepruar edhe me të tjerë, që me dhelpëri e joshje përpiqej të merrte me të mirë armiqtë e kundërshtarët, i dha gradën e kapitenit në rezervë, duke e caktuar “për mbajtjen e qetësisë publike dhe ruajtjen e kufijve të Kelmendit”. Megjithatë, ata nuk u bënë kurrë miq…

Gjatë periudhës së Luftës Dytë Botërore, tashmë në moshë të thyer, ai ka qëndruar pothuajse gjatë gjithë kohës në fshatin e tij, në Vermosh. Italia Fashiste që ndiqte një politikë mikluese ndaj njerëzve me emër, e kishte caktuar në detyrën e komandantit të forcave vullnetare të Kelmendit, Plavës e Gucisë. Për veprimtarinë e tij gjatë luftës të dhënat janë kontradiktore. Ka dokumente që tregojnë pakënaqësi të pushtuesve ndaj tij për mosveprim kundër atyre që luftonin për liri, siç ekziston edhe ndonjë dokument që tregon se ai ka marrë pjesë në ndonjë aksion kundër atyre që luftonin për çlirimin e vendit. Kështu në një letër të Komandantit të Përgjithshëm të Xhandarmerisë, Hysni Dema të dt.19 prill 1944 thuhej: “Informohemi se komunistët e Tuzit janë tuj lëvizë lirisht në atë rreth dhe komandanti i atyshëm nuk ka marrë ndonjë masë. Hetoni mbi sa më sipër dhe na njoftoni se ç’arsye e pengojnë atë oficer të mos marri masa kundër atyne komunistave”. Kolonel Hysni Dema.

Shkodra_Albania_1_03Ndërsa në një letër të Komandantit të Përgjithshëm të Rojës Kufitare, drejtuar Komandës së Mbrojtjes Kombëtare dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërmjet tjerave thuhet: “Komanda e batalionit Heroi i Kufirit Shkodër, e mbështetur në informatat që ka marrë telegrafisht, na njofton se Prek Cali me një çetë vullnetarësh të katundit të tij, së bashku me disa çeta të Plavë e Gucisë, në bashkëpunim me çetnikët malazezë që ndodheshin në katundin Vermosh, mbasi kanë kalue kufinin kanë mësy partizanët dhe në vazhdim të një përpjekje janë shpartallue. Prek Cali me 20 vetë ka mujtë me shpëtue, kurse shokët e tij kanë metë mrena. Prek Kola prej katundit Vermosh e banues në Guci, me të birin janë zanë rob prej partizanëve, të cilët mandej i kanë lirue…Shtojmë se fati i çetnikëve nuk dihet”. Kolonel Sami Koka ( Arkivi Qendror i Shtetit).

Mbas çlirimit të vendit Prek Cali nuk iku jashtë Shqipërisë, as nuk u fsheh shpellave siç bënë disa të tjerë. Ai qëndroi në shtëpinë e vet, i respektuar deri në fund nga shumica dërmuese e malësorëve, por jo ashtu siç shkruan U.Butka se “Popullsia e Malësisë së Madhe dha kushtrimin . Prijësit e saj ishin Gjelosh Luli, Prek Cali dhe Llesh Marashi” ( fq. 34)

Duke ju referuar dokumenteve që përmendë Z. Butka dhe atyre që nuk i përmendë, në asnjë dokument nuk rezulton që Prek Cali ose përfaqësues të Kelmendit të kenë marrë pjesë në ato kuvende që organizuan Llesh Marashi e të tjerë, për më tepër, që ata vetë të kenë organizuar kuvende për përgatitjen e kryengritjes kundër pushtetit të ri. Nga dëshmia e Llesh Marashit në gjyqin Ushtarak, që U. Butka i referohet me hollësi ( fq.36), del shumë qartë se ata kishin menduar të organizonin një mbledhje me parinë e Malësisë së Madhe, ku dhe i kishin ftuar dhe ai përmendë me radhë Hotin, Kastratin, Bzheten, Dedaj, Zagorën ( këto tre të fundit, fshatra të bajrakut të Shkrelit) etj. Ai pohon në gjyq, se kishin tentuar të organizonte çeta, në Hot, Kastrat e Shkrel. Kelmendi nuk përmendet fare. Edhe në relacionin e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (fq.37) ku flitet për organizmin e një mbledhje të parisë së Malësisë së Madhe, ku merrnin pjesë përfaqësues nga Hoti, Shkreli, Bzheta, Dedaj e Zagora, nuk flitet asnjë fjalë për Kelmendin.

Në kapitullin “Kryengritja e Kelmendit” ( f.40) thuhet “Malësia e Madhe kishte dhënë kushtrimin. Kelmendi ishte në ballë të kësaj rezistence me në krye Prek Calin”. E vërteta qëndron krejt ndryshe. Që te qëndronte në ballë, duhej të organizohej, të ishte e para në përplasjen e armatosur. Kelmendi ishte i fundit për nga pozicioni gjeografik e jo i pari, pra nuk kishte si të qëndronte në ballë. Për me tepër, përfaqësuesit e Kelmendit nuk morën pjesë në asnjë prej këtyre kuvendeve ku planifikohej “kryengritja”, kështu që nuk kishte si të ishte në ballë. Megjithëse kapitulli që i kushtohet kësaj “kryengritje”, është hallakatje për t’ju shmangur pikërisht asaj, që vetëm kryengritje nuk ka qenë.

Brigada e Parë në Malësinë e Madhe

E vërteta, dhe këtë e di i gjithë Kelmendi, ka qenë krejtësisht ndryshe. Siç thamë me sipër, në ndryshim me ndonjë krahinë tjetër, në Malësi të Madhe, Ushtria Nacional Çlirimtare nuk hasi asnjë rezistencë të armatosur. Ashtu si ka ndodhë kudo neper Europë, edhe në Shqipëri, puna e parë ishte vendosja e pushtetit të ri dhe eliminimi i elementëve që kundërshtonin me armë pushtetin. Kjo do të ndodhte edhe në Kelmend. Kështu një pjesë e batalionit të parë të Brigadës I Sulmuese (tri kompani) ishin nisur drejt Kelmendit. Në një dokument të këtij batalioni për këtë mision thuhet: “Me 30 të muajit nanduer niset për në Shkodër dhe aty vendoset. Me 11 janar 1945 tri kompani të batalionit të parë që ndodheshin në Shkodër, u nisën për të kryer një mision që i ishte ngarkuar batalionit tonë në Kelmend të Malësisë së Madhe. Aty duhej të organizonte Këshillat Nacionalçlirimtare dhe të pastronte zonën nga ndonjë bandë reaksionare që mund të ndodhej aty” (Arkivi Qendror i Ushtrisë).

Sipas dëshmisë të Bejto Faslisë dhe siç e dinë shumë njerëz në Kelmend, ai, i sapo emëruar komandant vendi në Koplik (qendra e Malësisë së Madhe) do të nisej së bashku me batalionin në drejtim të Kelmendit vetëm me këtë qëllim (siç thuhet në dokumentin e mësipërm), për të organizuar Këshillat Nacionalçlirimtare. Si malësor i Malësisë së Madhe që i dinte zakonet e traditat, para nisjes kishte marrë përsipër të bisedonte me krerët e Kelmendit për misionin e këtij batalioni dhe kryesorja që partizanët ( kështu vazhdonin të quheshin ata edhe në ketë kohë) të priteshin si miq. (Në një letër tjetër të komandës së batalionit thuhet se Bejto Faslia thotë se në Kelmend “do të hymë si miq, vetëm në marrëveshje me kelmendasit”, detyrë të cilën ai e ka marrë përsipër).

Mbasi ai është marrë vesh me përfaqësuesit e Kelmendit, batalioni është nisur qetësisht drejt Kelmendit, pa pasur asnjë shqetësim rrugës dhe i sigurt se në Kelmend do të priteshin si miq. Ishte përhapur ndonjë thashetheme se mund të përplasej me ndonjë grup të armatosur në Hot, meqë thuhej se aty ishin strehuar disa nga bashkëpunëtorët e pushtuesve nazifashistë. Por edhe aty gjithçka ka shkuar mirë e pa asnjë problem, sepse krahas tjerave, Kadri Delia, përfaqësuesi i shtëpisë së bajraktarit ( Bajraktari Mul Delia, siç e kemi përmendë më lart ishte internuar nga gjermanët) ka luajtur rol pozitiv për sistemimin e partizanëve dhe shoqërimin e tyre për në Kelmend. Madje ai vetë i ka shoqëruar partizanët deri në Rapsh të Hotit (fshat kufitar midis Hotit dhe Kelmendit).

Siç flasin dokumentet, dhe siç kanë dëshmuar dëshmitarë të këtyre ngjarjeve, mbas një marshimi dy ditor, batalioni ka arritur në Rrapsh të Hotit më 13 janar, ku është pritur me “bukë e kripë e zemër”. Siç kanë qenë zakonet e traditat e maleve tona, kur jovendasit kanë shkuar nga një vend në tjetrin, për çdo rast, ata janë shoqëruar nga vendas. Kështu ka vepruar edhe Hoti në këtë rast. Katër hotjanë (të cilët z. Butka i përmendë me emër fq.56) i kanë shoqëruar si udhërrëfyes, dhe batalioni është nisur qetësisht drejt Kelmendit.

Z.Butka dhe të tjerët, që nuk i dinë traditat e maleve, duhet ta mësojnë se kur përfaqësues të një krahine shoqërojnë këdo që sulmon krahinën tjetër, atëherë midis dy krahinave fillon armiqësia dhe ndoshta pushka, por në ketë rast hotjanët kanë shkuar jo si hjeksa por si udhërrëfyes vullnetarë, sepse përndryshe midis dy krahinave do të kishte hy armiqësia, ndoshta dhe pushka.

Në këtë kohë, sipas marrëveshjes që ishte arritur më përpara, populli ishte përgatitur për të pritur partizanët “me bukë, kripë e zemër”. Madje, paraprakisht kishin bërë edhe planin për shpërndarjen e partizanëve neper shtëpitë e malësorëve, që, sipas gjendjes ekonomike, do të strehoheshin ku një, ku dy apo tre partizanë. Megjithëse të varfër, ata kishin filluar përgatitjet për të pritur miqtë dhe, siç kanë treguar vendasit, kishin venë edhe darkën në zjarr për të përgatitur atë që u ndodhej në shtëpi…

Kjo është e vërteta, pavarësisht nga deformimet e periudhës së socializmit dhe shtrembërimet e gënjeshtrat e këtyre viteve të fundit, të cilave fatkeqësisht u ka besuar dhe i ka përsëritur, madje i ka ngatërruar edhe më shumë z. Butka në librin e tij. Për këto janë dëshmitarë malësoret e Kelmendit, që e dinë më mirë se kushdo këtë të vërtetë.

(Vijon)

Nesër do të lexoni:
Dëshmia e Prek Calit në gjyq mbi të ashtuquajturën kryengritje antikomuniste
Çfarë ndodhi tek Ura e Tamarës dhe bilanci tragjik i vëllavrasjes
A pati rezistencë kundër Ushtrisë Çlirimtare në Malësinë e Madhe?