Rudina Seseri, Shekulli, 14.09.2010
Nuk na ndodh shpesh të dëgjojmë Guvernatorin e Bankës Qendrore të shpreh mendimet e tij mbi ekonominë e vendit, veç rastet e planifikuara, kur botohen raportet periodike të bankës. Kështu që fjala e mbajtur rishtazi kishte potencialin të ishte me peshë, sidomos duke konsideruar që vinte nga përfaqësuesi më i lartë i njërit prej institucioneve të fundit (teorikisht të paktën) të pauzurpuara nga qeveria. Ajo që bie në sy në këtë ligjëratë është se guvernatori s’thotë asgjë mbi krizën ekonomike të vendit dhe masat për ta luftuar atë. Në fakt, në fjalimin e tij prej 2119 fjalësh nuk e përmendi as edhe një herë të vetme fjalën krizë.
E për të gjithë ata që gabimisht e gjykojnë heshtjen e guvernatorit si urtësi për të mos shkaktuar panik, kujtojmë se para se të menaxhojë emocionet e masave, guvernatori duhet të shprehet qartë për politikat makroekonomike të Shqipërisë. Kjo fillon nga pranimi publik që Shqipëria është në krizë ekonomike recesionare dhe, njëkohësisht, po goditet edhe nga parametra të rritur të inflacionit. Këtë veprim e kanë bërë me kurajë profesionale e qytetare homologët e tij në vendet e tjera, përfshirë edhe ai amerikan, të cilin guvernatori pati rastin ta dëgjojë të flasë për krizën në mbledhjen vjetore të Bankës Federale të Rezervave, vetëm dy javë më parë.
Guvernatori ynë nuk ndjek të njëjtën rrugë. Përkundrazi, në ligjëratën e tij fjalën krizë e zëvendësoi me shprehjen “luhatshmëri afatshkurtër e aktivitetit ekonomik”, një shprehje që s’thotë asgjë, sepse kriza e sotme, e cila po zeron gjithë çfarë është arritur në Shqipëri për më shumë se një dekadë, nuk mund të konsiderohet një “luhatje” e aktivitetit ekonomik. Ndërkohë që kohëzgjatja e papërcaktuar e saj nuk mund të konsiderohet si “afatshkurtër.”
Por, dua të ndalem tek ajo çfarë guvernatori shpalos, si identifikimin e tij unik, mbi nevojën për një model të ri ekonomik. Reagimi me instiktiv ndaj kësaj deklarate është pyetja se ku ka qenë Guvernatori gjithë këto kohë, sepse ka të paktën dy ose tre vite që ekonomistët dhe ekspertët flasin e shkruajnë për këtë temë. Partia Socialiste e ka adresuar këtë çështje edhe si pjesë së programit të saj ekonomik. Guvernatori konstaton se modeli i konsumit dhe i kreditimit të tepërt është problematik dhe ka rezultuar ne mosproduktivitet të faktorëve të prodhimit. Ai ofron si tezë alternative modelin e eksporteve si më të përshtatshmin për Shqipërinë.
Po e nis analizën nga ato çfarë guvernatori përdor si evidencë e dështimit të modelit të konsumit, faktorët e prodhimit, duke filluar nga mungesa e produktivitetit në shfrytëzimin e tokës dhe pasurive natyrore, që lidhet ngushtë me problemet e pronësisë. Si mund të pritet që trualli i paluajtshëm të ketë produktivitet kur ai nuk shfrytëzohet, pasi mbi të kanë pretendime pronarët e periudhës së paradiktaturës, ata që kanë përfituar nga ligji 7501, dhe të vendosurit rishtazi, të cilët janë kthyer në pronarë shpeshherë falë legalizimeve për efekte elektorale.
Për më tepër, si mund të pretendohet për rendiment kur ato pak toka me pronësi të qartë janë të shpërndara e të copëzuara pa asnjë shans për shfrytëzim efikas apo vënie në punë të teknologjive moderne. E imagjinoni dot fermerin të investojë në traktore apo makineri te tjera, kur 2 hektare toke i ka të copëzuara në 4-5 vendndodhje të ndryshme?! Pyetja është çfarë lidhje kanë këto probleme monumentale të pronësisë me modelin ekonomik të konsumit? Asnjë. Ato rezultojnë nga kualiteti i ulët i ligjbërjes, moszbatimi i ligjit dhe keqmenaxhimi i vendit, tema të cilat guvernatori i anashkalon.
Kapitali është një tjetër faktor prodhimi, i cili, mes së tjerash, shërben si ushqyesi për krijimin dhe zhvillimin e sipërmarrjes. Në Shqipëri, aksesi i kapitalit përdoret si sinonim me kredimarrjen. Format e tjera dhe më të mëdha të kapitalit që variojnë nga investimet private në minoritet tek hedhja e aksioneve në bursë, nga krijimi i bondeve të kompanive private e deri tek strukturat derivative janë thuajse mosekzistuese. Prandaj, para se të fajësohet kreditimi i tepërt si pjesë e modelit ekonomik – një koncept alogjik – do të ishte me vend të analizohet përse bursa ekziston vetëm në letër dhe përse investitorë vendas dhe të huaj hezitojnë të shërbejnë si burim kapitali.
Në Shqipëri mungon edukimi në masë mbi funksionimin e tregjeve financiare dhe konfidenca tek këto tregje. Si rezultat i eksperiencës së hidhur të skemave piramidale, në gjuhen e popullit “ne u dogjëm nga qulli dhe i fryjmë kosit”, pasi u miratua një ligj investimesh tejet limitues. Ky ligj nuk lejon as me baziken, ekzistencën e klasave të ndryshme të aksioneve me preferenca dhe përgjegjësi respektive që mundësojnë, mbrojnë dhe inkurajojnë investimin minoritar.
E shprehur ndryshe, në Shqipëri ose duhet të blesh minimalisht 51% të aksioneve të një kompanie ose paratë duhet t’i mbash në bankë, sepse si investitor minoritar nuk ke asnjë mbrojtje mbi investimet. Kapitali, si faktor prodhimi, meriton në vetvete një shkrim të dedikuar, por një gjë është e sigurt se problemet ekzistuese nuk kanë aspak të bëjnë me modelin ekonomik të konsumit. Faktor i tretë i prodhimit janë burimet njerëzore.
Si një vend ku 40% e popullsisë është nën moshën 30-vjeçare, Shqipëria duhet të ketë një avantazh konkurrues. Deri më sot, ky avantazh nuk është realizuar, pasi pagat përkundrejt aftësive janë të larta dhe forca e punës është e keqedukuar. Shkaqet variojnë nga problemet e lidhura me tranzicionin, tek ndryshimi i sistemit arsimor dhe i përmbajtjes së tij çdo dy vite, tek ligjet që mundësojnë shkollimin si sipërmarrje fitimprurëse pa parametra garantues për kualitetin e mësimdhënies. Por, sërish, këto probleme nuk kanë të bëjnë me modelin ekonomik të konsumit.
Faktori i fundit, sipërmarrja private, ekziston me bollëk në Shqipëri, por ajo është e ndërlidhur dhe shpeshherë e varur jo vetëm nga qeveritë në fuqi, por edhe nga faktorët e tjerë të prodhimit të përmendur më lart. Por edhe këto probleme nuk kanë të bëjnë aspak me një model ekonomik të konsumit.
E vërteta e hidhur është se në 20 vitet e fundit Shqipëria ka ecur kuturu pa një model të mirëfilltë ekonomik, duke shfrytëzuar kalimin nga një ekonomi e përqendruar në një ekonomi tregu dhe asgjë më shumë. Kjo shpjegon edhe arsyet pse ekonomia shqiptare është rritur, por nuk është zhvilluar – dy koncepte totalisht të ndryshme, të cilat guvernatori i përdor si të barabarta në ligjëratën e tij. Shqipëria nuk mund të zhvillohet duke ndjekur një model ekonomik eksportesh, një ide kryeministrore kjo, rishtazi e adoptuar edhe nga guvernatori. Shqipëria nuk gëzon pasuri e burimet natyrore masive që mundësojnë një ekonomi eksportesh. Ajo nuk ka as avantazhet në kosto dhe masivitet popullsie. Edhe Kina, që i përmbush e tejkalon kushte të tilla, ka pasur model eksporti, por gradualisht po adopton një model konsumi.
Shqipërisë i duhet një model i guximshëm zhvillimi, jo thjesht një ecje inkrementale me modelet tipike neoklasike. Vendit i nevojitet një model i tretë që mundëson kapërcimin e gjeneratave të zhvillimit, për të mos ngelur gjithnjë të fundit. Njësoj e rëndësishme, Shqipërisë i nevojitet edhe një ekzekutim dhe menaxhim i mirëfilltë në të gjitha nivelet, në qeveri, në ministri, në të gjitha institucionet, përfshirë dhe Bankën Qendrore që të garantojë zhvillim ekonomik e mirëqenie.