Andrea Stefani
Eliot Engel, bashkëkryetari për çështjet e Shqipërisë në Kongresin e SHBA, në një intervistë të sapo dhënë “Zërit të Amerikës”, ka treguar se, për çudi, nuk di shumë gjëra mbi Shqipërinë dhe mbi të gjitha nuk dikërka se ky shtet, nga më të varfrit e Ballkanit, ndryshon shumë nga SHBA! Pozicionimi i Engel është pjesë e një zinxhiri qëndrimesh të disa figurave të diplomacisë ndërkombëtare, që në analizën e situatës në Shqipëri fokusohen më shumë te nevoja për stabilitet dhe jo te liria dhe ligji si rrënjë e stabilitetit demokratik, tek imazhi i Shqipërisë dhe jo te realiteti politik i saj. Dhe së fundi, këmbëngulin që nuk është detyra e tyre t’i ndihmojnë shqiptarët si ta zgjidhin krizën, sepse është mirë që politikanët shqiptarë ta zgjidhin krizën vetë, pra “me forcat e veta”.
Në fakt, po të ndodhte ashtu, do të ishte vërtet jo mirë, por shumë mirë. Do të ishte një dëshmi e pjekurisë së klasës politike. Por ja që nuk është. Dhe kur shihet qartë se politikanët shqiptarë konfliktohen për çdo konflikt, kur shikohet se politikanë autokratë dhe të korruptuar kanë tredhur edhe krejt sistemin kushtetues që do të kufizonte pushtetin e tyre për të bërë keq, atëherë si i bëhet? Të lihen të bëjnë si të duan ca politikanë me pushtet të pakufizuar, që kanë 20 vjet që i ngatërrojnë punët në Shqipëri, që pastaj NATO-ja apo Europa të vijnë me ushtri në Tiranë, sikundër ndodhi në vitin 1997?
* * *
“Nuk besoj se amerikanët duhet t’u tregojnë shqiptarëve se çfarë duhet të bëjnë. Zgjedhjet siç dihet përfunduan me rezultat të ngushtë. Shqipëria ka një sistem demokratik. Procesi demokratik funksionoi. Njëra palë kundërshton dhe ndjehet se rezultati nuk është i drejtë, pala tjetër thotë se ka siguruar mandatin për të qeverisur. Por këtë duhet ta zgjidhin vetë shqiptarët…”, tha ndër të tjera kongresmeni Engel. Problemi është se gjithnjë e më shumë shqiptarë po e kuptojnë se Shqipëria nuk ka ende një sistem demokratik real. Sistemi ka mbetur vetëm në letër. Shqipëria ka dy dekada që ecën me këmbë të ngatërruara në buzëhumnerën që ndan demokracinë nga autoritarizmi. Ajo ka ende shansin për demokraci, por ende jo një demokraci.
Vetë kjo krizë e tejzgjatur është prova se nuk ka ende të instaluar një sistem institucionesh të afta t’i japin fund krizës, pavarësisht vullneteve të liderëve politikë. Engel thotë se procesi demokratik funksionoi. Atëherë, përse u kontestuan përsëri zgjedhjet në Shqipëri? Përse ka një palë që kundërshton rezultatin dhe një tjetër që refuzon të hedhë poshtë pretendimet e palës humbëse me transparencë të plotë të kutive të votimit? Në SHBA, për dallim nga Shqipëria, u bë rinumërimi i votave në Florida, ndërsa në Shqipëri një gjykatë (Kolegji Zgjedhor) i mohoi opozitës të drejtën e ligjshme për rinumërim në disa zona zgjedhore. Në SHBA, gjykata e pavarur u bë çelësi i zgjidhjes së krizës. Në Shqipëri, një kolegj zgjedhor i kapur nga pushteti, u bë zembreku i krizës më të zgjatur në tranzicionin shqiptar. Në SHBA, gjykatat janë të pavarura nga pushtetet politike, ndërsa në Shqipëri kjo është ende një ëndërr.
Dhe megjithëse ndërkombëtarët konstatojnë në raportet e tyre për Shqipërinë mungesën e gjykatave të pavarura, përsëri e kërkojnë (edhe Engel) zgjidhjen e krizës te gjykatat. Por mungesa e një pushteti të pavarur drejtësie është një dallim thelbësor mes SHBA dhe Shqipërisë, që mesa duket Engel nuk e dikërka. Është e vërtetë, në kushte normale, kjo krizë mund të zgjidhej në Gjykatën Kushtetuese. Por presioni i politikës mbi këtë gjykatë është aq i madh kur bëhet fjalë për çështje nga të cilat varet mbajtja apo dorëzimi i pushtetit, sa nuk është e vështirë të kuptohet se çështja mund të zvarritej nga Gjykata për muaj të tërë (ka ndodhur jo pak herë kështu), deri në një moment kur shpallja e vendimit do të vinte “post festum”. Por mund të ndodhë edhe më keq. Shumë shpejt pritet të ndërrohen 6 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Janë të gjitha shanset që shumica parlamentare e Kryeministrit autokrat Berisha të ketë shumicën edhe në Gjykatën Kushtetuese, meqenëse mund t’i zgjedhë anëtarët e rinj pa nevojën e një konsensusi me opozitën. Dhe atëherë dihet se çfarë vendimi mund të marrë një gjykatë e tillë. Mjafton të rrëmosh kujtesën në ca vite të shkuar, për të gjetur jo pak prova se si ish-presidenti Berisha e katandisi Gjykatën Kushtetuese në një robot të komanduar prej tij. Përveç konsideratave juridike, të cilat e argumentojnë si të panevojshëm një hap të tillë, mungesa e lirisë dhe integritetit të gjykatave dhe gjykatësve (pikërisht mungesa e asaj që Tukëvili e zbulonte si një nga gurët e themelit të demokracisë në Amerikë) është ajo që e bën opozitën të hezitojë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Fantazma e Kolegjit Zgjedhor që dhunoi të drejtën në funksion të planeve të Kryeministrit, fanepset edhe në fasadat e Gjykatës Kushtetuese.
Duhet të pranojmë se jo vetëm autoritarizmi berishist, por edhe politikat qeverisëse të së majtës janë fajtore që Shqipëria nuk e ka sot atë që qysh para tre shekujsh SHBA e vuri në themel të stabilitetit të saj demokratik, gjyqtarin si një “ndër fuqitë e para politike”. Por bash për këtë, nuk na duket e arsyeshme që në mungesë të sistemit real, të atij që sipas Karl Poperit nuk i lë edhe liderë të këqij të bëjnë shumë dëm, të bëjmë sikur ky sistem ekziston, sikur ka demokraci dhe zgjedhje të ndershme dhe të themi se nuk është detyrë e amerikanëve t’u thonë shqiptarëve si të veprojnë. Në qëndrimin e kongresmenit Engel ka diçka prej Pilati. Edhe ky i fundit i lau duart me “demokracinë”, duke ia lënë në dorë “popullit” të zgjidhte mes Krishtit dhe Barabës. Dhe “populli”, “demokracia”, bëri zgjidhjen më të gabuar. Dhe ashtu si populli kryqëzoi Krishtin, edhe “demokracia” mund të kryqëzojë demokracinë.
Krejt në kundërshtim me deklarimet e Engel, na rezulton se angazhimi i SHBA-së në çështjet shqiptare ka qenë përherë shpëtimtar për demokracinë. Shembulli më i freskët është kundërshtimi me forcë i një projektligji për Shërbimin Informativ Shtetëror. Ishin edhe amerikanët ata që e kundërshtuan publikisht përmbajtjen e projektit që, si përherë kur Berisha është në pushtet, synonte futjen e SHISH nën kthetrat e tij. Amerikanët bënë shumë mirë që u treguan shqiptarëve se ç’duhet të bëjnë (kongresmeni Engel mund të ketë qenë kundra edhe në këtë rast), sepse u shmang një rrezik i përdorimit të shërbimit sekret si polici sekrete kundër opozitës. Pikërisht një gjë të tillë ka bërë Berisha në të shkuarën me këtë agjenci, por, me sa duket, kongresmeni Engel nuk e dikërka.
Por nëse shqiptarëve u duhet treguar se ç’duhet të bëjnë për një çështje si ajo e SHISH-it, që ka një farë rëndësie për NATO-n, nuk është keq që kjo të ndodhë edhe për çështje me rëndësi jo aq “atlantike”, por me shumë rëndësi për demokracinë në Shqipëri. Kongresmeni Engel nuk e dikërka se demokracia shqiptare është si një i sëmurë, virusi i së cilës janë vetë politikanët shqiptarë, prandaj t’i lësh “shqiptarët ta zgjidhin vetë krizën”, do të thotë ta lesh demokracinë e sëmurë në duart e shkaktarit të sëmundjes.
* * *
Dhe me që ra fjala për NATO-n. Kongresmeni Engel tha se ka “kërkuar me këmbëngulje që Shqipëria të anëtarësohej në NATO”. Dihet se në atë kohë ka pasur edhe zëra, jo detyrimisht armiq të Shqipërisë, që kundërshtonin anëtarësimin pikërisht për mungesë të standardeve të një demokracie reale, që është një ndër standardet e NATO-s. Madje, demokracia është qëllimi i krijimit të NATO-s. Nëse nuk ka demokraci, NATO nuk do të ketë se ç’të mbrojë. Në fakt, pranimi i Shqipërisë u bë duke neglizhuar standardet e demokracisë. Ky hap, mesa duket i ndërmarrë bazuar në përparësi të një realpolitike më globale, nuk do të ketë asnjë pasojë negative nëse punohet të korrigjohet në ecje e sipër.
Kjo do të thotë të ndihmohet Shqipëria që ato mangësi në standardet politiko-institucionale që vëreheshin para hyrjes në NATO, t’i plotësojë duke qenë e përfshirë në NATO. Edhe shpresa e jo pak njerëzve ka qenë se me hyrjen në NATO, do të zmadhohej lupa e “ndërkombëtarëve” lidhur me standardet e demokracisë reale në Shqipëri. Por çuditërisht kjo nuk po ndodh. Duket se ca politikanë perëndimorë, si Engel, paskan vërtet bindjen se Shqipëria është një demokraci e pjekur dhe se ajo është e aftë t’i zgjidhë vetë punët e saj. Madje krizën e sotme politike për votën e lirë nuk e shohin si simptomë të kësaj papjekurie të demokracisë, por si prishje të imazhit të saj.
Por a mund të jetë prishje e imazhit një krizë që denoncon sëmundjen e demokracisë? Na duhet një demokraci reale, apo imazhi i një “demokracie”? Krizat janë të padëshirueshme, por të mallkosh krizën sepse prishka imazhin, është njësoj si të mallkosh temperaturën që denoncon një virus në trupin e të sëmurit. Preferenca ndaj imazhit dhe jo realitetit të punëve në Shqipëri, falsitetit dhe jo të vërtetës, ka bërë që disa “ndërkombëtarë”, në vend që të synojnë kurimin e krizës, kanë sugjeruar që opozita të heqë dorë nga kërkesa e saj për transparencën e zgjedhjeve. Po përse? Sepse kjo transparencë vikërka në kundërshtim me Kushtetutën! E si mundet që transparenca, një nga parimet vitale të demokracisë, si është e mundur që “gllasnosti” që shembi regjimin stalinist të themeluar mbi errësirën dhe sekretin, të jetë kundër një kushtetute demokratike? Si është e mundur që një kushtetutë demokratike të jetë kundër transparencës?
Duket se kongresmeni Engel, përveç besimit iluziv në një demokraci që ekziston vetëm në kokën apo dhe avokatinë e tij për Shqipërinë, duket se ka rënë në rrjetat e një propagande banale të pushtetit të Kryeministrit Berisha, të një propagande që e ekspozon Kushtetutën dhe transparencën në konflikt me njëra-tjetrën. Ndërkaq, Berisha, që ka 20 vjet në majë të politikës duke ripërtërirë traditën enveriste të liderit të pazëvendësueshëm, Berisha që me autokratizmin e tij konstant mbetet përherë një nga polet e krizave dhe traumave shqiptare, mban me politikanë si Engel atë raport që vjedhësi i fabulës mban me avokatin e tij pas fitimit të gjyqit.
I thotë avokati vjedhësit: Tani që e fituam çështjen, më thuaj të vërtetën, a vodhe apo jo? Para se të zhvillohej gjyqi, mendoja si isha unë hajduti, por pasi dëgjova mbrojtjen që më bëre, them se nuk jam unë ai. Edhe autokrati Berisha, pa reshtur asnjë moment në strategjinë për kapjen e të gjitha institucioneve, deri dhe të votës së lirë që është themeli i demokracisë, u thotë sot avokatëve si Engel: Vetë keni thënë që Shqipëria është demokraci.