Çfarë mendojnë të huajt kur shohin skena mesjetare nga Shqipëria?

0
72

TemA, 26 Janar 2013

Ndër kryeartikujt e gazetës Daily Mail sot ishte një foto- reportazh nga Shqipëria, me tre fëmijë të ngujuar, që nuk guxojnë të dalin jashtë nga frika e hakmarrjes.

Ne që jemi mësuar me skena të tilla, ndoshta nuk na bëjnë shumë përshtypje, por është kuriozitet të mësosh se ç’mendojnë lexuesit e huaj.

Daily Mail është gazeta e dytë më e madhe në Britani, por versioni i saj online është shumë i klikuar, duke e bërë atë gazetën e parë në botë për klikime.

Komentet e lexuesve të saj për këto pamje mesjetare janë të moderuara nga administratori, një praktikë që e ndjek gazeta ndonjëherë, pasi shpesh komentet janë të pamoderuara.

Natyrisht shqetësimi i parë i lexuesve të gazetës konservatore, që kundërshton të qenurit e Britanisë në Bashkimin Europian, është se si mund të përparojë drejt BE një vend i tillë.

Një lexues bën ironi: “Kjo ka ndodhur sepse dikush ka rrëmbyer vajzën e Liam Neeson,” duke e lidhur me filmin Taken.

“Komunizmi duket se nuk ka qenë i keq,” thotë dikush.

Ndërsa një tjetër shton se disa vende kanë nevojë për diktatorë.

Shumë lexues thonë se pse kjo familje nuk arratiset gjatë natës, për të ikur larg. Por jo në Angli, thonë të tjerë lexues.

“Kam qenë në Shqipëri dhe duke parë se si jetojnë njerëzit aty, nuk habitem. Është një vend i prapambetur,” shkruan dikush.

Një shqiptar futet e thotë se kjo ndodh për shkak të qeverisjes së korruptuar, ndërkohë që ka britanikë që thonë se kjo është çështje e kulturës së tyre.

Njëri thotë se nuk duhet të jenë të ashpër në gjykime. Ai thotë se si shembull janë televizionet shqiptare, që kanë programe me cilësi të lartë.

Një lexuese thotë se ka lexuar Kadarenë dhe “Prillin e Thyer”, ku përshkruhet ky subjekt. Ajo thotë se edhe Anglia nuk është më ai vend i këndshëm, por është një vend i dhunshëm, racist dhe i pistë”.

Dikush shkon më larg kur thotë se kjo është arsyeja pse Kosova nuk duhej të ndahej nga Serbia.

E megjithëse këto komente ndoshta nuk thonë asgjë, e rëndësishme është që me skena të tilla në sytë e Europës vetëm sa e tronditim atë.