Çfarë ka dollari që euros i mungon?

0
57

ResPublica.al, 13 dhjetor 2012

13 vjet pas futjes në qarkullim euro është etabluar si valuta e dytë më e rëndësishme në botë. Një e katërta e rezervave valutore në botë mbahen në euro. Por tani ajo shihet si e rrezikuar nga zhdukja. Për shkak të kërcënimit fiskal edhe dollari ka pësuar humbje në vlerë në krahasim me euron. Megjithatë nuk ekziston as dyshimi më i vogël se zona e dollarit mund të shpërbëhej apo se dollari mund të zhdukej.
Por çfarë ka dollari që i mungon euros? “Plot”, thotë Achim Wambach, drejtor i Institutit për Politikë Ekonomike në Universitetin e Kölnit. Në radhë të parë dollari ka një qeveri të fortë qendrore. “Një pjesë e madhe e buxhetit fiskal kalon pëmes Uashingtonit dhe jo përmes shteteve të veçanta federale”, thotë Wambach për Deutsche Welle-n. Bashkimi monetar evropian nuk është një bashkim politik. Buxheti i gjithë BE-së është vetëm një për qind e produktit ekonomik të unionit.

Varësia e madhe mes bankave në eurozonë dhe shteteve të veçanta kombëtare përbën një tjetër pikë të dobët për euron. Shembujt e Irlandës dhe Spanjës tregojnë, se bankat dhe shtetet mund ta tërheqin njëri-tjetrin në humnerë. SHBA nuk ka banka të varura nga shtetet e veçanta federale. Nëse Kalifornia humbet aftësinë shlyese, kalifornianët nuk shqetësohen se llogaritë e tyre mund ta pësojnë nga kjo, pasi këto llogari nuk janë në një bankë kaliforniane por amerikane. Kjo shpjegon edhe rrezikun e ulët të kalimit të krizës nga një shtet federal në tjetrin. Nëse Minesota kërcënohet nga falimentimi p.sh., kjo nuk e prek Miçiganin. Ndryshe qendrojnë punët në eurozonë: këtu çdo vatër krize ka potencial të kthehet në një zjarr masiv. Nëse Greqia do të largohej nga eurozona, do të ngrihej menjëherë pyetja: kush e ka radhën pas saj? (D.W.)