Nga Bledi Mane, 15 Maj 2012
www.facebook.com/bledi.mane
1./Bëri sha!
Ritvan Peshkëpia, ish deputet i PD-së dhe kryetar i forumit rinor politik të partisë sonë, ma prezantoi për herë të parë nga afër. Ishte fillimvjeshta e 1991-shit dhe Tirana e spërkatur me një shi të veremosur zverdhte nga pisllëku dhe fukarallëku. Kishim takimin e radhës së FRPD-së, i cili kësaj here zhvillohej pranë selisë së vjetër aty nga fundi i rrugës së Kavajës ku sot ndodhet poliambulanca italiane.
Mes dhjetëra të rinjve nga gjithë vendi, mua së bashku me delegatin e Laçit më zgjodhën të takonim nga afër korifeun, idhullin, Dalai Lamën e një prej zgjimeve historike të shqiptarëve. Së bashku me një çift gazetarësh hungarezë që kishin ardhur për një intervistë me të, Ritvani na ngjiti në katin e dytë të selisë ku Doktori na priste në zyrën e tij gjigande me pamje nga oborri dhe nga rruga ku ia behnin herë pas here makinat e para private të ardhura lodhshëm nga jashtë.
Takohesha dhe prekesha me Sali Berishën, njeriun, i cili ishte bërë tmerri i një diktature që lëngonte, flisja me njeriun, populizmi i të cilit po ngordhte Ramiz Alinë, dëgjoja me sy e veshë energjikun, i cili dukej se ishte i vetmi shpëtim i një vendi që ende hallakatej radhëve të bukës e vajgurit.
* * *
Mbaj mend një Sali Berishë që balluket i vareshin ballit sa herë fliste plot pasion, i cili përnjëherësh jepte intervistë në anglisht, na buzëqeshte ne adoleshentëve, çohej dhe i përgjigjej telefonit të zyrës, kontrollonte fakset e ardhura pa pushim, pyeste Ritvanin e sërish u kthehej gazetarëve të huaj me përgjigje plot retorikë.
Imazhi i Sali Berishës u gdhend në kokën time si dishepulli i një kauze, për të cilën jo vetëm unë kisha nevojë, por një vendi të tërë i dukej sikur historisë së tij plot defekte po i bashkëngjitej një Mesi ungjillore e ardhur nga kush e di se ku.
Energjia e tij më mahnit shumë edhe tani që po shkruaj ashtu siç më mahnit edhe poshtërsia dhe negativiteti me të cilin po i laton përfundimisht ditët e fundit të karrierës dhe ymrit. I sprovuar dhe i kalitur qysh para viteve ’90 me rafinimin e mbijetesës, jo vetëm në politikë, njeriu që zbriti rrëmbimthi nga Bjeshkët, ka përcjellë rehatshëm deri tani dy gjenerata liderësh në Ballkan e në kontinent.
Greqisë ia kaloi me finte me Micotaqë e Papandre, e nisi karrierën kur ishte gjallë ende ish Jugosllavia me Sllobodan tashmë të vdekur e vazhdon me brezin e ri të 8 republikave të reja. Ibrahim Rugovën e njohu kur ishte president ilegal e pas 21 vitesh ende në politikë aktive e përcolli me ceremoni në varrezat e dëshmorëve të Prishtinës. Qeverisjet rumune dhe bullgare i ka hedhur në tuç, ndërsa politikanët e republiçkës së Malit të Zi pasi i ngopi me naftë e armë tani po i ngop edhe me leksione poshtërsie mbijetese.
Lindi pa vdekur ende Mbreti Zog, të cilin partia e tij e parë e kishte bërë okso e pasi u poq e u vajis me dallaveret e pushtetit e rehabilitoi dhe ia përdori pasardhësit deri sa tre prej tyre i varrosi vetë në Tiranë. Me politikanë perëndimorë nuk ka të krahasuar, por vetëm me Elisabetën e Anglisë, Huan Karlosin e Spanjës, Beatrix-en e Holandës dhe Margaritën e Danimarkës e ka gjetur belaja. Jo sepse këta të fundit dinë si të shkelin mbi kufomat e pushtetit, por fatkeqësisht janë deklaruar monarkë dhe janë të detyruar të respektojnë trashëgiminë.
Shikoja dje Nikola Sarkozi të përcillej lamtumirshëm me pasardhësin e ri Fransua Holland nëpër tapetet e kuq të Elizesë e ndër sy më shfaqej seriali i gjatë bardh e zi kur Ramiz Alia iku nga presidenca dhe i la pushtetin “Ketij”. Kur më 1997-n e përcolli mes plumbave Rexhep Meidani, e ky pa sikletin më të vogël qëronte nga zyra dy herë Fatos Nanon me dhunë 1998, me votë 2005. Kur në 2009-n nuk ia bëri syri tërr, por si ujk i vjetër molepsi të majtën dhe me konsensusin kushtetues të ndryshimeve nuk ka burrë që ta luajë nga karrigia e pushtetit. Flet serbes si bobat kolumbianë të aziluar në Venezuelë dhe 71 vota i bën pa merak natën apo ditën për të jozefinosur presidencën a për ta ulur sërish bythën e tij edhe 5 vjet të tjera.
* * *
Kush është, nga vjen, ku shkon ky soj njeriu?
Çfarë ha e pi, çfarë tabletash përdor për stimulim, çfarë fuqie hyjnore fshihet në të, çfarë lexon e kush e këshillon?
Si mundet që një, një individ i vetëm të zotërojë e të komandojë këtë republikë evropiane?
Si mundet njeriu që fajdosi e vodhi miliona dollarë nga miliona njerëz të jetë në krye të tyre sërish. Si mundet Washingtoni e Brukseli, të cilët e qëruan me fanfara e me shkelm bythëve para 15 vjetësh si politikanin e një hibridi të keq diktature, ta rifusin në zyrat e tyre e ta dëgjojnë tek këput broçkulla bollëku e përparimi. Si mundet të flasë për respekt minoritetesh rome dhe homoseksualësh ish presidenti që vajtosi një vend e vrau 2 mijë qytetarë të pafajshëm, njeriu që na dha në duar armët me të cilat po vritemi ende, njeriu që gërdecosi jo vetëm një fshat të tërë, njeriu që ta vërshëllen plumbin kokës edhe nëse i shkon me lule t’i protestosh poshtë zyrës.
Si mundet të mbijetojë kaq gjatë në politikë e në këtë dynja njeriu, të cilit kotherja e misrit ia ka gërvishtur stomakun qysh në djep. Si mundet të na tërheqë prej hundësh njeriu ,i cili në jetën e tij nuk pati një dashnore, nuk piu kurrë një gotë verë, nuk thithi një cigare (jo hashash jo), nuk u argëtua kurrë në një club nate, nuk flirtoi një herë të vetme me një vartëse apo eprore (po me lulen e bashkisë?)…
E imagjinoni dot si e komandon rehatshëm drejtësinë një malësor, i cili flinte fshehur pas frëngjisë me kanunin e Lekës si jastëk. Si dërdëllis për artet dhe arsimin njeriu, i cili kur pa televizor për herë të parë kërkonte të futej nga pas tij të shfaqej edhe vetë në ekran, njeriu që mësuesen e parë kishte arushën dhe teksa hapi abetaren tek germa T e hëngri gjithë fletën ku ishte pikturuar një trangull i trashë me gunga… kishte uri.
Ne ia kemi lenë në dorë vendin dhe fatet tona këtij malukati sepse nuk duam ta prishim traditën e liderëve tanë historikë. Ia kemi varur mëlçitë në qafë ujkut plak sepse duket ashiqare që nuk kemi respekt as për veten, as për komshiun, as për atdheun e as për këtë qiell. Ne i përqafohemi e i jargavosemi këtij njeriu se dukshëm na mungon statura e Enverit të Nexhmijes, e një diktatori tjetër pa të cilët nuk ka kuptim jeta jonë, ngrysjet tona. Ne siç duket nuk dimë të vetërregullojmë jetën, shtëpinë, krevatin, lagjen, rrugën, vendin e punës e na mjafton një komandant kaq brutal e katil. Kënaqemi me racionin ditor të ushqimit dhe ajrit e nuk na prish terezinë mungesa e lirisë. Paskemi ego të kalbur e nuk pretendojmë që vendi i liderit të rotacionohet për të gjithë duke u ardhur radha edhe fëmijëve tanë.
Para tij rri gati tu Zhani Ciko dhe fatorinoja i Kombinatit, rri gati tu Baba Mondi dhe Rudina që shet te tezgat e malores përballë, Dhori Kule dhe Anxhela transvestitja e gropës, Rajmonda Bulku dhe Lymi pacient i onkologjikut, Kastriot Islami dhe drejtoresha e teatrit të kukullave… Gati tu rri edhe një pjesë e opozitës e askush nuk i bën derman. Shkojnë e vijnë ambasadorë e ky Berisha ynë veç lulëzon, ndërrohen kudo qeveri me zgjedhje në kohë e para kohe e përsëri ky Berisha ynë lundron i qetë, e izolojnë për një farë kohe, por nuk vonojnë t’ia anëtarësojnë Shqipërinë e lodhur e të trembur në NATO, burgos e poshtëron gazetarë si Sandër Frangaj e Frrok Çupi, por më shumë e duan këta të fundit, dhunon dhe zë me shpulla pleq flokëbardhë si Neritan Ceka, por këta nuk i ndahen deri në vdekje…
Është hyjnor, magjik, na e ka hedhur sirën trurit dhe syve, e meritojmë, nuk jemi gati për liderë të rinj?
2./Presim më kot që të sëmuret
Kush është, nga vjen, ku shkon ky soj njeriu?
Po ti Fatos Nano na jep dot ndonjë përgjigje?
Ti duhet ta njohësh mirë se ty ta shkërdheu lirinë 4 vjet andej nga Bënça, ta vdiq nënën tënde të nderuar Marije Nano prej brengës dhe vuajtjeve të tua, të qërroi nga kryeministria me grusht shteti në shtator 1998, ta përdhosi familjen e vjetër e të re, tu fut qindra herë në krevat tek flije me Xhoanën, tu fut qindra herë në gotat e kristalta të whiskey-t tek pije, tu fut mes vrimave të hundës e të kontrollonte mos ishe i mallosur, të qëroi nga pushteti me votën e 2005-ës, të përdori e të bleu në 2007-n & 2009-n e ndërsa tani po tall trapin me ty. Po tall trapin me ty natë e ditë pa pikën e sikletit e ti si langaraq flokëkarrotë lyer me këna vjeneze i shkon pas si zagarët e Vinit të Myneverit që shtrihen të drobitur poshtë tezgave të tregut të shallvareve në pritje të një kocke.
Faleminderit Nano për demokracinë që na le pas!
3./Njoftim i rëndësishëm
Mirëse erdhët në board. Njoftohen të gjithë pasagjerët se ky është fluturimi i fundit Tiranë-Vjenë. Ju lutemi lidhni rripat e sigurimit dhe mbani poltronin drejt. Udhëtim të mbarë!







