Çfarë i dhemb Berishës për kompleksin “Jon”?

0
30

Nga Mero Baze

Ka një hakërrimë të neveritshme të Sali Berishës për prishjen e një pallati të paligjshëm, të papranueshëm dhe të pasigurt, në pikën më të bukur të bregdetit të qytetit të Vlorës. Autoritetet e ndërtimit në vend kanë çuar për ndjekje penale thyerjen e ligjit nga ndërtuesi, ndërsa qeveria ka akorduar një fond për të shpërblyer qytetarët e dëmtuar nga kthimi në gjendjen fillestare të territorit. Pas këtyre veprimeve, qeveria, jo vetëm që ka rikthyer dinjitetin e shtetit në raport me zaptuesit e veshur me pushtet, por ka bërë dhe një sakrificë financiare, për të mos prodhuar trauma nga vënia në vend e drejtësisë.

Por është e treta herë që Sali Berisha ka reagim ekstrem për këtë akt, duke kërcënuar, siç e ka zakon, me përmbysje të qeverisë. Nuk është se e merr seriozisht njeri si kërcënues, por është rasti ta marrim seriozisht si hallexhi. Hakërrimi i tij ndaj qeverisë për këtë akt, ndërkohë që qeveria po i dëmshpërblen qytetarët që kanë blerë banesa aty (nëse i kanë letrat në rregull), duket se ai nuk po flet në emër të qytetarëve, por të dikujt që ende nuk është deklaruar si pronar në atë pallat.

Në hakërrimën e tij nuk zë vend fati i qytetarëve, që kanë letrat si banorë në atë pallat, dhe as fati i qytetit të Vlorës, që me atë pallat i jepte fund perspektivës të së pasurit det. Në hakërrimën e tij fshihet ajo që e nënkupton shumëkush, për pronarin real të atij pallati.

Pronari formal i tij është Xhaferr Isufi, një ish- ushtarak pensionist, që ka punuar së fundi si roje sigurie i kompanisë Vefa, për shkak të lidhjeve me Vehbi Alimuçën. Është vjehrri i Lulzim Bashës, por jo aq i fortë sa të bindë të gjallë e të vdekur, që kanë qenë pronarë tek një lëndinë afër pallatit, t’i japin firmën. Pa dikë brenda Familjes, ato firma nuk do merreshin kurrë, sidomos firmat e atyre që kanë vdekur. Kjo me siguri e shqetëson dhe Berishën.

Po ashtu një pensionist ish- ushtarak, pavarësisht se e kishte dhëndrin ministër, vështirë se do t’ia dilte të bënte letrat për leje ndërtimi me studim pjesor pa shantazhuar autoritetet bashkiake të Vlorës me bllokim fondesh dhe buxhet të Bashkisë. Në favor të asaj leje ka votuar Këshilli Bashkiak i Vlorës, i dominuar në atë kohë nga qeveria e Berishës. Vështirë se një pensionist ish- ushtarak e ka aq fuqi. Ka plot dëshmitarë që mbajnë mend të ketë telefonuar më shumë i biri i kryeministrit se sa djali i pronarit të pallatit, apo Kunati siç e njohim ndryshe. Kjo me siguri e shqetëson dhe Berishën.

Një ish- ushtarak pensionist e kishte po ashtu shumë të vështirë të prodhonte atë procedurë hipotekimi që është prodhuar për atë pallat. Sa për dijeni, pallati nuk është hipotekuar me leje shfrytëzimi siç e ka rregulli, por me një korrespodencë të hipotekës me Bashkinë, e cila pyetet nëse i ka dhënë leje “filan” kompanie të ndërtojë në “filan” vend. Dhe pasi ka marrë përgjigjen “Po”, e ka hipotekuar. Vështirë se ai pensionisti ish- ushtarak do ta bënte këtë gjë të padëgjuar në shtetin shqiptar, pa qenë dikush nga brenda Familjes, që ka vënë në lëvizje hipotekën. Kjo me siguri e shqetëson dhe Berishën.

Tani, ndërkohë duhet të nisë hetimi dhe të zbulohet pse u deformua leja, e cila po ashtu ishte skandaloze, pse u zhvendos nga lëndina në det, pse u hipotekua pa leje shfrytëzimi, pse u bënë letrat fallco për pronën, pse u është bërë shantazh fqinjëve t’u merrej prona, etj. Kjo me siguri jo vetëm e shqetëson, por e çmend Sali Berishën, pasi ai djali me çantë të zezë në dorë, që mbledh paret, është shfaqur shpesh atje. Edhe pse gjithë hakërrimin e tij e mbështet mbi fjalinë që “Rama po prish pallatin e Bashës”, cka është një skandal më vete, duket se dhimbja kalon përtej Bashës.

Një politikan ka të drejtë të shqetësohet kur qeveria bën një gjest që dëmton qytetarët dhe që ka simbol antiligjin, por është rasti i parë që një politikan, ish- kryeministër dhe ish- president, shqetësohet pse qeveria vë në vend dinjitetin e ligjit dhe dëmshpërblen qytetarët. Nga prishja e këtij pallati fitojnë të gjithë, fiton qyteti i Vlorës, fiton ligji, fitojnë qytetarët që kanë blerë banesën dhe humbasin vetëm ata që kanë vjedhur pronën, lejen, dhe hipotekën.Në këtë rast hakërrimi ka kuptim vetëm nëse hakërruesi është pronari real i atij pallati, i cili përveçse nuk përfiton dot nga lekët e qeverisë për banorët, mund të dalë zbuluar dhe me shkeljet ligjore, deri falsifikim prone, që tashmë i është provuar në atë skandal. Kështu justifikohet. Është vërtet për t’i qarë hallin,  por si hajdut i kapur me presh në dorë.