Çfarë fundi për Berishën?

1
37

Nga Andi Bushati, 18 qershor 2013

Më në fund Berisha ka gjetur një mundësi për t’u treguar serioz. Pasi për shqiptarët vendosi ta mbyllë këtë fushatë si aktor i “Apartamenti 2XL”, ai ka dhënë disa përgjigje që ia vlejnë të diskutohen për agjencinë austriake të lajmeve APA. Dhe meqenëse në këtë garë ku rend për të prerë nga tre- katër herë të njëjtin shirit, ku do t’i shmanget debatit për plumbat që kanë marrë jetë dhe do të tregojë se vetë nuk mban antiplumb, ku do t’i bishtnojë dështimeve të tij spektakolare të mandatit të dytë, ndaj tregon me gisht kundërshtarin, në këtë fushatë pra, thëniet e tij koncize për agjencinë vjeneze duhen parë me shumë kujdes. Në ato pak rreshta ka tre mesazhe. I pari, kuptohet, Berisha e ka thënë gjithmonë këtë prej 23 vjetësh, se ai do t’i fitojë këto zgjedhje.

Më i rëndësishëm është mesazhi i dytë. Se edhe nëse i humb ato, Berisha nuk do ta detyrojë partinë e tij të bojkotojë parlamentin. Natyrisht, në pamje të parë, kjo është një deklaratë pa kuptim. Si mund të ndodhë që një parti që është në pushtet, që ka në dorë dhe gurin edhe arën, të thotë se i kanë prekur zgjedhjet e më pas të mos zërë vendet që i takojnë në parlament? Do të ishte absurde dhe qesharake. Në vitin 2005, Nano tentoi vetëm për një moment ta hidhte idenë se atij i kishin rrëmbyer votat, por u tërhoq po aq shpejt prej saj, sepse ajo u bë menjëherë objekt barsoletash.

Pra, theksi i këtij mesazhi nuk vendoset mbi bojkotin, por mbi faktin se ai nuk e mohon hipotezën e daljes në opozitë. Dhe nuk mund të thuhet se ky është reagimi xhenuin ndaj pyetjes së një gazetari. Berisha di të shmanget shumë mirë kur dëshiron ta bëjë këtë. Tashmë është epik debati i tij i tetorit 2000 në studion e “Opinion”, kur mëse një herë këmbënguljes se çdo të bënte në rast humbjeje, ai i përgjigjej: “Po imagjinon të paimagjinueshmen, Blend”. Dhe kur mori sërish të njëjtën pyetje ai vazhdoi: “kjo është sikur të thuash se çdo të bësh po të shtypi biçikleta”. Pra sot, pas tetë vitesh pushtet, për Berishën humbja nuk është po aq e paimagjinueshme sa shtypja nga biçikleta. Ky është lajmi i tij i dytë. Që në fakt i hap rrugën mesazhit të tretë, ndoshta atij më të rëndësishmit, që ai ka zgjedhur një mënyrë tejet diskrete për ta bërë publik.

Një nga pyetjet më të mëdha të pas 23 qershorit është: ç’do të ndodhë me Berishën në rast se ai humbet? Një pjesë e atyre që i përgjigjen kësaj pyetjeje pretendojnë se ai do të mbajë premtimin që ka dhënë që para zgjedhjeve të vitit 2009, pra se do të largohet nga politika. A nuk do të qe ky vendimi më logjik i një njeriu që ka kaluar çdo rekord jetëgjatësie në këtë zanat? A nuk po i bën ai të gjitha përpjekjet në këtë fushatë për të promovuar pasardhësin e tij të paracaktuar, Lulzim Bashën? A nuk ka zhdukur nga plani i parë të gjitha figurat e tjera të PD-së? A nuk ndërmori edhe hapin e fundit në këtë drejtim, kur nga ceremonia e inaugurimit të tunelit, shmangu ministrin e Transporteve, vetëm e vetëm për të ngjitur në podium delfinin e tij? Pra, shumëkush ka vënë bast se Berisha po punon që pas 23 qershorit të dorëzojë stafetën.

Por, jo. Aty ai ka pohuar me bindje se ka ende “…aq shumë energji, për të qëndruar sërish në opozitë”.

Dhe ky është në fakt kryemesazhi i të vetmes ndërhyrje serioze që ai ka bërë në këtë fushatë. Ai po i paraprin të keqes, për të thënë që tani, se edhe nëse humbet, ai nuk largohet. Po a është kjo një gafë? A është ky një lapsus? Pse i duhet që, që përpara garës, të marrë masat për humbjen e saj, gjë që s’e ka bërë kurrë më parë?

Jo. Berisha nuk është as aq shumë gjysh sa për të gabuar dhe as aq shumë naiv sa për të mos parashikuar. Ai e di, se nëse e humbet këtë betejë, të gjitha bateritë do t’i drejtohen kundër. Ashtu si ndaj Ramës në 2009, ai e di se do të sponsorizohet një proces i pacipë për largimin e tij. Ata që i janë lëpirë, do të jenë të parët që do ta pështyjnë. Ata që e kanë mbështetur pa kushte, do të shndërrohen në ithtarët e parë të reformimit të PD-së. Ata që kanë përfituar nga pushteti i tij, do ta godasin pa mëshirë, duke e parë këtë si mundësinë fillestare për të përfituar edhe nga pushteti i ardhshëm. Vetë qeveritarët e rinj, të babëzitur nga tetë vite pa pushtet, do i fryjnë zjarrit të largimit të doktorit, për të mbaruar rehat punët e tyre. Edhe sistemi i korruptuar mediatik (jo më kot Berisha thotë që tani se shumica e tyre i takojnë opozitës) do të vihet si gjithnjë në shërbim të këtij misioni.

Në një shoqëri kryesisht antiopozitare, askush nuk do ta quajë këtë si mëkat. Nëse Berisha humb, debati dominant i vitit të ardhshëm do të jetë ai i largimit të tij nga politika. Berisha e di mirë këtë. Të njëjtin sistem dhe të njëjtët njerëz, i ka përdorur vetë në 2009, për të njëjtin qëllim. Por, ndryshe nga ajo që përgatitet, ai ka vendosur të qëndrojë në krye të PD-së. Ndaj, kur e pohon këtë, në mënyre të qetë për një agjenci austriake, ai nuk gabon. Ai ka llogaritur të shfryjë paraprakisht tollovinë që do t’i ngrihet më pas. Ky është qëllimi i tij i vërtetë. Ky është thelbi real i mesazhit të tij. Dhe jo ato që lëshon poshtë e lart, për djemtë e 2XL, për Edit Piafin dhe antiplumbin. Jo ato që e bëjnë të duket si gaztor, kur në fakt fsheh një hall të madh: atë të së nesërmes

1 COMMENT

  1. More, megjithmend i besoni Berishes ne ate ç’ka thote? T’i besosh Berishes do te thote te mos i besosh vetes, sepse vete Berisha nuk i beson vetes, sepse vete Berisha nuk eshte vetvetja. Ai eshet vetvetja vetem kur humbet kontrollin,kur shan,siç din te shaj ai; kur mllefon , kur shpif- si din te shpife vetem ai; kur kercenon me gjuhen e shpirtin e nje drakuliani, kur te vret tinezisht e pastaj te ben hero nese i intreson, ose, nese nuk i intereson, shkon gjakup. Berisha nen autokontroll ka qene e mbetet nje Berishe qe ndryshe flet e ndryshe mendon, nje Berishe i dyzuar midis fjales dhe mendimit,midis formes dhe permbajties, midis espresionit dhe ndjesise te mskuar, midis loteve siperfaqesore dhe ngazellimit hipokrit fshehur thelle ne skutat e shpirtit te Berishes te padukshem. Berisha ka qene e mbet nje fenomen i pa eksperimentueshem dhe i pa studjueshem. Edhe per Frojdin fenomeni Berisha do te ngelej nje fenomen enigme, pa rezultat shkencor. Per analizen qe ben z.Bushati une them se nje Berishe kokforte, kercenues e deri armiqsor, eshte shume, shume me pak i rrezikshem se nje Berishe paqesor. Kur Berisha ben paqesorin, prit ate qe nuk ta merr mendja.

Comments are closed.