Çfarë do t’i themi Nënë Terezës?

0
64

Ilir Yzeiri

Ilir Yzeiri

Asgjë. Nuk do t’i themi asgjë. Midis atyre që jetojnë dhe atyre që janë gjallë, ka gjithmonë një lidhje. Bota e të gjallëve dhe bota e të vdekurve japin e marrin me njëra-tjetrën më shumë se ç’mund të na e rrokë mendja jonë e ngushtë, sepse vetë jeta njerëzore është një ndërrim i ngadaltë, por i vazhdueshëm dhe i pandërprerë mes jetës dhe vdekjes. Ajo që është dhe ajo që nuk është më, e përditshmja dhe e shkuara, shpesh na nevojiten dhe na duhen që t’i mbajmë në vështrim, për të projektuar më mirë të ardhmen. Me vdekjen, me atë që nuk ekziston më, me të shkuarën, shpesh, lidhet edhe tradita, historia, kultura, qytetërimi. Nga kjo pikëpamje, kombe të mëdha dhe me një traditë të shkëlqyer, kanë pasur edhe njerëz të mëdhenj, e pra edhe vdekje të mëdha. Ne kemi shumë pak njerëz të mëdhenj me rrezatim botëror, por ne kemi fatin se kemi ndoshta njeriun që i magjepsi që të gjithë, që habiti planetin me përunjësi dhe përkushtim, ne, pra, kemi si pjesë të gjakut e të mishit tonë, Nënë Terezën. Ajo nuk jeton më, pra nuk është mes nesh të gjallëve, ajo është në botën e të vdekurve dhe, kësisoj, i përket sa qytetërimit kristian, botëror po aq edhe neve, shqiptarëve, sepse, ajo vetë, me gojën e saj, ditën kur mori çmimin “Nobel”, deklaroi: Unë jam shqiptare.

Kur, para disa ditësh u shfaq reportazhi “Pse nuk u mbajt amaneti i Nënë Terezës”, kam marrë urime dhe telefonata të panumërta. Ndërkaq, me disa nga miqtë e mi, po risillnim në mend ditën e vdekjes së shenjtores sonë. Ishte 5 shtator 1997. Nëse do të isha bestyt dhe do t’u besoja rastësive fatale, do të më duhet të them se Ajo zgjodhi kohën, stinën dhe ditën më të papërshtatshme për të vdekur. Jemi në vitin 1997 kur Shqipëria është krejtësisht e shkatërruar nga lufta civile e marsit dhe vendi është i mbytur me të vrarë, ku lajmërimet për vdekje, vrasje dhe krime të llahtarshme ishin bërë për muaj të tërë një gjë rutinë. Kishte aq shumë vdekje sa një vdekje e madhe dhe e rëndë si ajo e Nënë Terezës ishte e tepërt. Mirëpo, ajo zgjodhi pikërisht shtatorin e vitit 1997 për t’u larguar nga kjo botë dhe njeriu më i penalizuar nga kjo vdekje ishte ish-presidenti i asaj kohe, Kryeministri i sotëm, Sali Berisha. Ai mori rrugën për në Indi, që të asistonte në varrimin e shenjtores, por ai udhëtim për ata që ishin afër këtij njeriu në atë kohë, ishte ndër udhëtimet më poshtëruese dhe më të vështira. E zbritën nga avioni dhe, po të mos ishte Nikollë Lesi që i doli në mbrojtje, nuk dihet se sa do të kishte zgjatur poshtërimi. I vetmuar në aeroport dhe i mënjanuar nga delegacioni shqiptar, ai mori pjesë në varrimin e shenjtores dhe u kthye që andej me të paktën një ngushëllim se e kishte respektuar atë ditën e vdekjes.

Pak ditë më parë, ai tha se ky vit do të jetë viti i Nënë Terezës. Ashtu qoftë. Ajo e meriton që të nderohet e të respektohet. Mirëpo, shqiptarët nuk janë më aq budallenj e të leshtë sa mendon Berisha. Ai duhet të kujtohet se së bashku me ish-presidentin italian Skalfaro, kanë përuruar ndërtimin e spitalit “Zoja e Këshillit të Mirë”, spital që do të ndërtohej me dëshirën e Nënë Terezës. Nënë Tereza jetoi për disa kohë në Tiranë dhe në vitin 1993, kur spitali që kishte nisur pranë pallatit të sportit “Partizani” nga Konti Ferra, u vendos që të kalonte në pronësi të fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe aty të realizohej më në fund një amanet i Nënë Terezës, të ndërtohej një spital i madh me shumë shërbime që të ishte në ndihmë të popullsisë shqiptare. Nënë Tereza e besoi sinqerisht këtë angazhim që mori qeveria shqiptare dhe e bekoi atë spital. Pas kësaj nisi një fushatë e jashtëzakonshme për gjetjen e fondeve. Mirëpo, pas vdekjes së saj, në Itali, sidomos gazetarë, shoqata, njerëz të ndryshëm, bënë të pamundurën që të gjenin fonde për realizimin e amanetit të Nënë Terezës. Të vetmit që nuk e kishin seriozisht ishin shqiptarët. Në krye të këtij fondacioni ishte Tritan Shehu, ish-ministër i Shëndetësisë që ka firmosur marrëveshjen për ndërtimin e spitalit me Kishën Katolike.

Sot, po të shkosh ta vizitosh fondacionin “Zoja e Këshillit të Mirë” do të shikosh se në godinën që u ngrit qysh para viteve ‘90, është akoma një vinç, shenjë kjo se punimet janë ndërprerë. Më tej, aty do të gjesh një universitet që mban emrin universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë”, që drejtohet nga Tritan Shehu. Ky universitet ka zaptuar 50000 m² tokë dhe bashkë me 50000 m² të zëna nga spitali që nuk u ndërtua kurrë, bëjnë gjithsej 100000 m². Pra, në vend të spitalit, një universitet, në vend të amanetit të Nënë Terezës është përmbushur dhe është përmbytur madje lakmia dhe oreksi i Tritan Shehut dhe i gjithë atyre politikanëve shqiptarë e italianë që, në emër të Nënë Terezës grabisin këtë vend dhe na poshtërojnë të gjithëve.

Sali Berisha duhet të tregohet njëherë të vetme serioz dhe le ta fillojë vitin e Nënë Terezës me transparencën për amanetin e saj. Le të na tregojë ai pse nuk u mbajt amaneti i Nënë Terezës, pse nuk u ndërtua spitali që ajo ëndërroi, dëshiroi dhe bekoi? Pse janë zaptuar 100000 m² tokë në emër të Nënë Terezës? Sali Berisha e ka të thjeshtë ta bëjë këtë verifikim. Mjaft të thërrasë Tritan Shehun dhe t’i kërkojë shpjegime.

Jozefina Topalli, që është edhe katolike dhe që ka lobuar më shumë se një herë për të mbledhur fonde për spitalin e Nënë Terezës, ka për detyrë dhe për nder gjithashtu që të na tregojë pse nuk u mbajt amaneti i Nënë Terezës?

Unë, por edhe programi “Hapur”, nuk do të reshtim, por do të investigojmë më tej për një nga aferat më të turpshme të këtij vendi, siç është ajo e shkeljes dhe e korrupsionit gjigand me amanetin e Nënë Terezës.

Kryeministri i Shqipërisë ka rastin e artë që të largojë hijen e rëndë që i rri mbi krye dhe duhet të bindë shqiptarët, se vërtet Nënë Tereza zgjodhi kohën më të keqe për të vdekur, kohën kur ai nuk ishte President, kur e poshtëruan dhe e zbritën nga avioni dhe nuk e lanë që të nderonte kujtimin e saj, si një lider, por e trajtuan si një qytetar të padëshirueshëm, por ajo Nënë Tereza nuk kishte faj, se vdekjen e saj e vendosi Zoti, ndërsa zbardhjen e mashtrimit që po bëhet me mosmbajtjen e amanetit të saj, zbardhjen e korrupsionit me emrin e saj, e ka në dorë dhe mund ta vendosë vetë qytetari Sali Berisha, më pas edhe Kryeministri i këtij vendi. Në të kundërt le të bëjë ashtu siç thoshte Uinston Çërçill: Kurajoz është ai që ngrihet e flet, por kurajoz është edhe ai që gjen forcën e ulet, nuk flet, por dëgjon”.