Çfarë do të ndodhë me krizën

0
47

Shekulli Online, 06.08.2010

FORUM/ Në këtë forum analitik, 4 nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Shekullit, janë ftuar nga drejtori i gazetës Adrian Thano të japin mendimet e tyre rreth një pyetjeje të përbashkët: “Çfarë do të ndodh sipas jush? Si e shihni të ardhmen e vendit, përfshirë këtu faktorë si kriza e transparencës dhe ajo ekonomike”.

Në forum sot marrin pjesë Preç Zogaj, Genc Burimi, Armand Vinçani dhe Igli Totozani. Lexuesit mund të dërgojnë komente dhe sugjerime në adresat tona të përhershme të kontaktit si dhe të marrin pjesë në debatin e përditshëm të lexuesve në Shekulli Online (wwww.shekulli.com.al)

E keqja më e madhe nuk ka ardhur akoma

Preç Zogaj

Kërkova pardje dhe dje në të gjitha mediat se çfarë kemi shitur, kush ka shitur, ku kemi shitur dhe sa kemi fituar nga rritja 67 për qind e eksporteve në krahasim me shtatëmujorin e vitit të kaluar, sipas njoftimit që dha kryeministri Berisha në mbledhjen e fundit të qeverisë. Më shumë se sa për të vënë në dyshim shifrën e lartë të rritjes, që për mua nuk ka rëndësi në vetvete as kur fryhet, as kur shfryhet për arsye ekstraeknomike, doja të merrja vesh sinjalet qe jep ekonomia reale e vendit në këto kohë krize. Me çfarë mallrash po çan Shqipëria në tregjet e sotme të rajonit dhe botës?

A janë këto mallra eksporti fryt i ndonjë politike të caktuar, që ka për qëllim të promovojë resurset e veçanta të vendit, apo gjithçka ka ardhur spontanisht, si produkt i përpjekjeve të firmave dhe individëve? Dhe më tej, doja të kuptoja a bëhet fjalë për prodhime që priren të krijojnë një tendencë të eksporteve kombëtare, apo për shkrepje të rastit, stinore dhe rrethanore. Këto lloj lajmesh, kur jepen të plota, të besueshme dhe të detajuara, janë vërtetë sihariqe. Jo vetëm për faktin se në vend ka hyrë me shumë valutë e huaj dhe disa familje kanë përfituar nga kjo, por edhe për një arsye tjetër me të përgjithshme.

Në kohë krizash qëllon që ekonomia reale të reagojë me një sens gati-gati misterioz vetëveprues, duke çarë në shtigje që nuk janë paraparë nga kasandrat e ekonomisë dhe politikës. Që do të thotë se artikujt që kanë çuar në një rritje aq të madhe të eksporteve shqiptare gjatë këtyre shtatë muajve mund të jenë jo vetëm burim pune dhe valute, por mund të jenë edhe leksioni që duhet të marrë politika se ku duhet të orientohet ekonomia për t’u bërë kompetitive.

E kotë shpresa ime për të marrë në media informacionin e mësipërm. Vetëm ndonjë e dhënë e shkëputur për rritje 17 për qind të eksportit të mineraleve, pa specifikuar se çfarë mineralesh dhe nga cila sipërmarrje. Duket e çuditshme se si as kryeministri, as ministritë nuk kujdesen të “zbërthejnë” lajmin sensacional të rritjes 67 për qind. Në të vërtetë pa këtë zbërthim, shifra e rritjes dukët më shumë një tullumbace, se sa një tregues që dëshmon një tendencë të rimëkëmbjes ekonomike. Dhe kjo mund të jetë edhe arsyeja që nuk zbërthehet.

Për të mos e ekspozuar hapur ndaj dyshimeve. Për ta lënë pezull: kush të dojë le ta besojë! Kush nuk do, të mos e besojë! Faktori psikologjik ka rëndësinë e vet dhe nganjëherë optimizmi i kërkuar është një kurë e mirë për t’i dhënë zemër biznesit. Por teprimi me optimizëm, kapja me tendencë pas shifrave dhe sukseseve pjesore apo rënia në propagandë është një bumerang për ekonominë.

Faktori psikologjik apo, thënë ndryshe, mbajtja e sipërmarrjes me gajret, ka vlerë kur bashkohet me ndërhyrje të tjera, me nxitës ekonomikë dhe me paketa zhvillimi që veprojnë në harmoni si ingranazhet e të njëjtit mekanizëm. Faktori psikologjik nuk punon në të thatë. Kur punon në të thatë, pra kur nuk shoqërohet me masa konkrete antikrizë, ai bëhet qesharak dhe i dëmshëm. Shqiptarët e kanë ende të freskët gjëegjëzën që thuhej shpesh andej këndej nën zë gjatë dekadës së fundit të regjimit komunist.

Ç’është një gjë që rritet e rritet e nuk shihet? – ishte pyetja. “Mirëqenia”, – ishte përgjigjja. Ajo rritej çdo ditë në pallatet e politikës, por vetëm zvogëlohej në tryezën e qytetarit dhe fshatarit shqiptar. Si për të na freskuar më tej kontrastin e thellë dhe tradicional midis arritjeve fiktive “madhështore” të pallateve dhe varfërisë reale të njerëzve, na ndihmon herë pas here emisioni “Histori me zhurmues” i një televizioni.

Para pak ditësh në këtë emision u transmetua një kronikë e kohës së tufëzimit në të cilën flitej me entuziazëm dhe pompozitet të madh për efektet e papara që kishte krijuar tufëzimi në furnizimin me djathtë, qumësht, mish dhe nënprodukte të tjera. Teksti ilustrohej me rrëshqitjen në një transportier të rrotullameve të djathit, që krijonin idenë e bollëkut. Kushdo që e ka parë atë kronikë dhe që e di se tufëzimi ishte vrima e fundit në rripin e popullit më të paushqyer të kontinentit, nuk mund të mos binte në mendime. Së pari për të rikujtuar sërish se si kemi jetuar në një mashtrim të madh që ishte bërë gjendje dhe marrëzi pothuajse e përgjithshme.

Së dyti, për të kuptuar se krijimi i realiteteve fiktive në lidhje me zhvillimin është një sëmundje e vjetër nga e cila politika shqiptare nuk ka shpëtuar dot as pasi ka parë shembjen e komunizmit, as pasi ka jetuar shembjen e modelit piramidal të vitit 1996. Nuk është rastësi që personat kryesorë që japin “lajme shumë të mira” për ekonominë janë ministrat dhe kryeministri, ndërkohë që duhet të kërkosh me kandilin e Diogjenit për të gjetur një firmë ndërtuese, apo edhe prodhuese që të konfirmojë me dorë në zemër këto lajme.

Më parë se sa t’i vërë kapak kryeministri, do të kishte qenë mirë që për rritjen 67 për qind të eksperteve të kishin folur vetë operatorët. Aktualisht, edhe pse ka andej këndej biznese që ecin mirë, shumica dërmuese e sipërmarrësve ankohen. Një pjesë kanë ngritur duart, një pjesë po kaurdisen me dhjamin e mbetur. Një pjesë tjetër mbajnë hapin e ngadalshëm në pritje të momentit të përshtatshëm për t’u rinisur. Sipërmarrësit shqiptarë kanë aq dije dhe kulturë sa ta dinë se shkaqet e kësaj gjendjeje janë komplekse, me kontekst kombëtar e ndërkombëtar. Ata i kërkojnë qeverisë t’i paguajë për punët e porositura dhe të përfunduara; i kërkojë t’i ndihmojë për të rimarrë veten me zgjidhje që çdo qeveri ka për detyrë t’i kërkojë.

Opozita dhe publiku nga ana tjetër kërkojnë shpjegime serioze në lidhje me pritshmërinë e buxhetit të ri në dritën e shkurtimeve të mëdha të buxhetit të vjetër. Si është e mundur që një buxhet i miratuar në dhjetor korrigjohet me rreth 300 milion euro pesë muaj më vonë dhe nuk jepet asnjë shpjegim as për shkaqet, as për autorët e gabimeve foshnjore në planifikim??! Shqipëria është vend i vogël. Planifikimi i të ardhurave të buxhetit në afat të shkurtër nuk kërkon gjeni, por nuk duron as agjitatorë që të bëjnë për budalla ama!

Le të mendojmë për një çast se çdo të ndodhte po të gabonin mjekët na diagnostikim, siç gabojnë zyrtarët tanë në planifikim. Kjo do të thotë, më e pakta, se këta zyrtarë janë tepër larg profesionalizmit dhe akoma më larg ekonomisë reale. Atyre u ka zënë sytë korrupsioni, u ka trashur mendjen konformizmi dhe rehatia. Ata e shohin të vërtetën vetëm kur nuk shohin paratë në arkë. Por kjo është shumë vonë.
Në vend që të startojë nga një analizë e thellë e gjendjes, qeveria vazhdon me zakonin e vjetër të kapjes pas arritjeve të pjesshme, të arritjeve spontane apo të arritjeve fiktive- e gjithë kjo për të replikuar me opozitën, gjë që nuk ka vlerë. Pak ditë më parë kryeministri u duk me këmbët në tokë kur foli për prodhimin e arrave, lajthive, gështenjave. Kjo është rruga. Zhvillimi i resurseve që ka vendi plus një politikë e re dhe efikase për koncesionet mund të ishte një përgjigje për sot dhe për nesër për ringritjen e ekonomisë.

Por këto shkëndijime shuhen dhe zhduken shpejt në vorbullën e propagandës dhe vetëkënaqësisë. Propaganda dhe vetëkënaqësia japin tonin. Është një shenjë e keqe, një ogur i keq që na kujton parabolën e tre shokëve që po pyesnin njëri tjetrin për të keqen më të madhe që kishin jetuar. “E keqja më e madhe nuk ka ardhur akoma”, tha i treti.

————-

E ardhmja varet nga aftësia për të dalluar të vërtetën nga mashtrimi

Armand Vinçani

Në këtë debat të vlefshëm do të doja të ndalesha në dy aspekte, atë të ideologjisë politike dhe transparencës së sotme të pushtetit.
Ideologjia politike. Kam pyetur shumë miq e shokë duke kërkuar të mësoj se cila është ideologjia politike që sundon në shoqërinë shqiptare sot. Në më të shumtën e rasteve kam marrë përgjigje të zbehta ku përgjithësisht identifikohet zëvendësimi i ideologjisë së mëparshme komuniste me atë kapitaliste, por pa elaboruar në kontekstin e termit të përdorur. Duke qenë se kuptimi filozofik i ideologjisë është një koleksion idesh që mundëson krijimin e një vizioni për të ardhmen dhe orienton në mënyrën se si do të vështrosh në dukuritë dhe proceset e jetës shoqërore natyrshëm kërkon të gjesh se kush është klasa dominante sot që i propozon këto ide tek të gjithë anëtaret e shoqërisë.

E vërteta është se në 20 vitet e transformimit ideologjia politike është parë si përplasje midis të majtës dhe të djathtës pa arritur asnjëherë të ngrihet në nivelin e një bashkësie idesh, etikash, parimesh, doktrinash, apo simbolesh të një lëvizjeje sociale, institucionesh, klase ose një grupi të madh shoqëror që do të shpjegonte si duhet të funksionojë shoqëria shqiptare dhe ofronte skicime politike dhe kulturore për demokracinë të cilën e kemi zgjedhur si rendin tonë shoqëror.

Për 20 vjet rresht, ekzistenca e elitave të reja që prodhoi ndryshimi i regjimit në vitet 90-të është bërë e mundur vetëm në sajë të politikave konfliktuale që kanë mbajtur ndezur edhe pjesët më të polarizuara të elektoratit duke luajtur një rol frenues në civilizimin e shoqërisë. Një polarizim i tillë është thelluar edhe më shumë sa herë që marrja apo lënia e pushtetit ka qenë në rendin e ditës. Ideologjia politike përgjithësisht angazhohet në përcaktimin e ndarjes së pushtetit dhe si duhet të përdoret ai.
Në Shqipëri ndodh e kundërta – ideologjitë politike përpiqen për një radikalizëm të pushtetit e përqendrim të tij në duart e një individi të vetëm. Përpjekjet e sotme të shumicës dhe kryeministrit të sotëm për të vënë në varësi de-facto institucionin e Presidentit, Shërbimin Informativ dhe atë të Drejtësisë me gjykatat dhe prokuroritë janë shenja të hapura të një ideologjie uzurpative që ka frenuar dhe do të frenojë edhe në të ardhmen demokratizimin e shoqërisë.

Një ideologji politike që kërkon të mbajë ndezur ndarje klasore dhe shfaq hapur shenjat e luftës së klasave është krejt e papajtueshme për parimet e demokracisë. Për më shumë akoma një luftë e tillë udhëhiqet jo nga ata që kanë vuajtur nga një ideologji e tillë, por nga individë që në karrierat e tyre kanë pasur implikime serioze në sistemin e shkuar duke humbur moralin e duhur. Rreshtimi fizik dhe mendor në radhët e PD-së nuk mund të përbejë as alibi dhe as “larje gjynahesh” për ata që komprometuan veten dje.

Një primitivizëm i tillë në konceptimin e ideologjisë politike i duhet vetëm atyre që kërkojnë të mbijetojnë vetë duke përjashtuar të tjerët. Për sa kohë ideologjia politike e shtetit nuk merr trajta të veçanta në ideologjitë e partive nuk mund të ketë konkurrencë idesh dhe elektorati mbetet thjesht spektator pasiv i përfitimit të vazhdueshëm të elitave qe po shkëputen gjithnjë e më shumë nga njerëzit e zakonshëm. Me një ideologji politike të ngritur për së mbrapshti nuk mund të ketë asnjë premisë për lulëzim të ideologjive të tjera.

Transparenca e parë në funksionin e saj të dyfishte si koncept institucional dhe përbërëse konceptuale e parimit të demokracisë transparenca është domosdoshmëri jetike për të krijuar “tregun e lirë të ideve”. Nëse pranojmë se kemi ndërtuar apo vazhdojmë të ndërtojmë një sistem demokratik duhet të pranojmë edhe se qeveria ngrihet mbi bazën e dëshirës dhe vullnetit të popullit.

Qytetarët e një vendi demokratik e dinë mirë se demokracia varet nga mundësitë për të pasur njohjen më të gjerë të mundshme të ideve të pacensuruara, të të dhënave dhe opinioneve. Por nëse e drejta minimale e zgjedhësve apo partive politike censurohet deri atje sa ato nuk munden të verifikojnë numërimin e votave të tyre dhe kjo duke ngritur barriera artificiale, atëherë vetë sistemi demokratik është i cunguar.

Për afro 14 muaj vendi ndodhet në krizë politike, pikërisht për shkak të mungesës së transparencës dhe vullnetit të pozitës për të mundësuar leximin e votës në zonat e kontestuara. Nuk mund të ketë as kushtetutë, as ligj dhe as marrëveshje individësh që mund të bllokojnë këtë proces. Koha e kaluar prej zgjedhjeve e deri më tani tregon se ka mungesë dëshirë për të dëshmuar të vërtetën e zgjedhjeve dhe dëshmitari i vetëm dhe më i besueshëm janë vetë kutitë me materialet e tyre, të cilat priten me padurim të eliminohen e marrin me vete përmbajtjen e tyre.

Por kjo mungesë tolerance nga ana e pozitës dhe kreut të saj është në fakt një formë e dhunës që pengon seriozisht zhvillimin e demokracisë. Mund të qeverisësh edhe duke qenë në minorancë, por kjo është e papranueshme për një rend demokratik që ka në bazë të saj parimin e shumicës. Nëse pretendon të jesh e tillë duhet të kesh kurajën e tregosh opinionit se ku mbështetet ajo. Sa më shumë pushteti i shmanget transparencës aq më shumë ndjehet nevoja e shtimit të propagandës. Kjo është çfarë po ndodh aktualisht në Shqipëri.

Pushteti i sotëm po tregohet shumë kokëfortë edhe përballë treguesve financiare që masin performancën e ekonomisë sonë. Shumë analiza e interpretim faktesh kanë treguar se gjendja ekonomike nuk është siç e paraqet qeveria e sotme. Të jesh transparent përpara publikut duke treguar hapur atë çka çalon sot nuk do të thotë se është mohuar çdo arritje që duhet të vlerësohet. Përkundrazi, ajo do të tregonte pjekuri dhe rriste besimin dhe autoritetin e qeverisë. Por nëse kjo e fundit i thotë opinionit se Shqipëria nuk e njohu dhe nuk u prek nga kriza ekonomike botërore duke u përpjekur të rrisë kredibilitetin e sa j të cunguar kjo është tërësisht mashtrim.

Është mashtrim, sepse gjithkush e di mirë që ekonomia e vendit tonë është tejet e varur nga kapitali i huaj si dhe prurjet e emigrantëve. Nëse nuk i shpjegon publikut se për ekonominë shqiptare disa tregues financiare që masin efektet e krizës në vende të ndryshme nuk janë të aplikueshëm për vendin tonë që ka një ekonomi jo formale atëherë përsëri qëllimi është jo i sinqertë. Nëse nuk i shpjegohet opinionit se duke mos qenë të listuar në bursat e mëdha të botës me kompani të vendit nuk ka se si luhatjet dhe rëniet e indekseve të bursave të të prekin por i thuhet vetëm fakti jashtë kontekstit te realitetit ky përsëri është mashtrim. Përderisa qeveria i bën propagandë pa kufi arritjeve ekonomike kur le në “harresë” borxhin, deficitin e brendshëm e të jashtëm, rënien e zhvillimit, rritjen e papunësisë, nivelin e ulët të të ardhurave për shumicën e popullsisë etj., kjo do të thotë se ajo po mbërthehet keq nga ato faktorë që me dashje i ka injoruar.

Të shpallësh si sukses të madh mundësinë e marrjes së mëtejshme të borxheve pa u shqetësuar aspak për faktin se sa ka shkuar sot barra e tij për çdo shqiptar do të thotë të mendosh vetëm për ekzistencën tënde sot pa pyetur se çdo te ndodhë me të tjerë që do vijnë pasnesër. Nëse qeveria jonë vepron kështu sot kjo është e frikshme dhe na kujton se nuk duhet lënë të vazhdojë me veprime të papërgjegjshme dhe duhet detyruar të njohë llogarinë e saj. Por mekanizmi primar i përgjegjësisë janë pikërisht zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Atëherë shihet qartë se ngado të rrotullohesh nuk gjen dot shteg për të dale jashtë vorbullës dhe ciklit të mbyllur që është krijuar sot në Shqipëri. Brenda këtij cikli vepron sot mafia e korrupsionit dhe krimit ekonomik e ndihmuar nga pushteti.

Çdo gjë është e mbyllur brenda kornizave të hekurta që ka vendosur kjo formë e re diktature dhe kjo do vështirësojë zgjidhjet që do ta fusnin vendin në rrugën e mbarë. Sot për sot kjo rrugë shihet e materializuar vetëm tek propaganda, por jo tek veprimet konkrete. Sa kohë do te duhet deri sa te mbyllet plotësisht periudha e transformimeve të pafund për shqiptarët e kthimin e plotë të të drejtave të tyre ekonomike e politike kjo do të varet nga aftësia jonë për të dalluar të vërtetën nga mashtrimi dhe gënjeshtra. Dhe kjo do të mund të mbruhet atëherë kur ideologjia politike dhe transparenca e saj shihen të lidhura pandashmërisht me njëra-tjetrën.

———-

‘Berisha, një fiasko. Opozita duhet urgjentisht të shpallë një program’

Genc Burimi

Edhe në demokracitë më të konsoliduara është gjithnjë delikate të japësh parashikime për evolucionet afatmesme. Personi që u gabua më rëndë dhe që nuk e pa krizën botërore të vinte, ishte pikërisht ai, të cilit Amerika i besonte verbërisht, Alen Grinspan, ish-presidenti i Rezervës Federale. Në Shqipëri ku zgjedhjet kontestohen rregullisht dhe statistikat ekonomike nuk inspirojnë besim, prognoza e të ardhmes është thuajse mision i pamundur.

Për të mësuar mbi të ardhmen, rruga më e mirë mbetet të pyesësh të kaluarën. Përvoja e të tjerëve, por dhe e jona, na mëson se kurrë një parti nuk vjen në pushtet nëse retorika e saj meshon vetëm mbi kritikat. Sikur kritikat do të mjaftonin të sillnin opozitat në pushtet, afërmendsh sot në Europë dhe më gjerë duhet të sundonin ekstremet e djathta.

Një parti që ka vokacion të ushtrojë pushtet dallohet nga ekstremet qaramane dhe grindavece se përveç grushtit në tavolinë përplas dhe alternativa serioze. Më kujtohet, kisha një bisedë të tille me 2004 me një eksponent ekonomie të PD-së asaj kohe në opozite. Ai nuk e kuptonte përse populli nuk e rrezonte Nanon që ishte bërë i padurueshëm në të gjitha drejtimet dhe t’i jepte dhe një herë shansin opozitës. Por dhe populli, i thashë, mbase nuk e kupton se si pretendoni ju për pushtet kur programin e keni të kufizuar në dy fjalë «Nano ik». Kur e fshin shtëpinë me rrënjë, duhet të kesh disa ide minimale, sesi do ta mobilosh.

Berisha i fjalorit të «rruspës» ndryshoi për zgjedhjet e 2005-ës, me një program të besueshëm qeverisës. Premtoi drita dhe ujë pa ndërprerje në të gjithë vendin dhe që në vitin e parë në zonat turistike. Premtoi të shtypte mafien, e të fuste në arkën e shtetit 700 milionë euro evazion fiskal. Premtoi se vendin do ta drejtonte me ekspertë, e jo me «veriorë», i famshmi KOP, një grup intelektualësh të cilët i vuri në punë për t’i shkruar programin që i dha pushtetin. Sot opozita mund të qeshë dhe populli të qajë se premtimet nuk u mbajtën dhe se ujku vetëm qimen ndërroi. Por ajo është naive.

Kjo është rruga, me pak kritika e më shumë premtime, me shumë alternativa. Sarkozy, Berluskoni, Obama, për të përmendur vetëm ata nuk qenë më të zotë në vepra, por në premtime. Sot shumica e italianëve dhe francezëve po t’u besosh sondazheve janë fare të pakënaqur me pushtetin, por çuditërisht nuk e duan më shumë opozitën pasi gjykojnë se ajo nuk do t’ju sjellë më shumë bereqet. Edhe në ShBA, sado zhgënjyes të tregohet Obama, ai do të përfitojë nga amullia e republikanëve që nuk kanë më alternativë për të ardhmen pas diskreditimit të liberalizmit financiar.

Pushteti merret pra vetëm me alternativa, përndryshe Berisha do të kishte qëndruar dhe shume vite të tjera në opozitë. Mendoj se topi është tani në krahun e opozitës aktuale. Është e pabesueshme kur dëgjon eksponentë të PS-së të tregojnë jashtë mikrofonave se alternativat i kanë, por nuk i tregojnë se jua kopjon mazhoranca. Nëse të gjithë në PS mendojnë kështu, atëherë kjo është opozita me budallaqe në botë.

Qëllimi i politikës nuk duhet të jetë rikthimi në pushtet dhe ripërtëritja brenda llojit të saj, por mirëqenia kolektive. Nëse e kanë « formulën » le ta thonë. Koha nuk pret më. Jo vetëm për zgjedhje të parakohshme, që nuk e besoj në asnjë çast se mund të ndodhin, pasi hapet një kuti pandore që mund t’i bjerë vetë asaj në kokë kur të jetë në pushtet, por dhe për zgjedhjet e rregullta të 2013-ës, opozita është me vonesë në planin e propozimeve. Që

Shqipëria të dalë nga kriza, duhet që një klasë të paguajë me shumë se të tjerët. Taksa e sheshtë e Berishës, është një fiasko. Të gjithë jemi dëshmitarë se sado t’ia ulesh taksen mbi fitimin sipërmarrësve, ata nuk do të bëhen më të ndershëm dhe do të paguajnë siç duhet kuotizacionet sociale që sot një pjesë e tyre i fshehin. Atëherë si do ta zgjidhe PS-ja skemën e deficitit të pensioneve e të sigurimeve shoqërore? Edhe borxhi që po thellohet, një klase do paguajë, kush do të jetë ajo, si, sa? PS-ja nuk mund të vazhdojë të bëjë më gjatë politikën e strucit për këto çështje kapitale që formojnë kolonën vertebrale të një programi politik. Një parti politike përfaqëson një shtresë elektorësh. Kë përfaqëson sot opozita dhe çfarë i premton ajo asaj?
Sigurisht që kjo nuk do të thotë se opozita nuk ka shanse serioze për t’i fituar zgjedhjet lokale. Edhe këtë, është përvoja që na e thotë; i njëjti fat u qeshi dhe opozitave në Gjermani, Francë e Itali. Zgjedhjet lokale, opinioni publik i përdor përgjithësisht si zgjidhje, me të cilat ai dënon një politikë, i përdor si mesazh për pushtetin që të ketë kujdes. Ndërsa në zgjedhjet legjislative, elektorati shkon jo për të dënuar, por për të ndërtuar një të ardhme, për të bërë një përzgjedhje në një sasi programesh që i ofrohen nga partitë politike.

Kur kjo ofertë mungon, përvoja tregon se elektorati ka tendencë të ripërcjellë në pushtet mazhorancën e radhës. Opozitës i nevojitet një elektroshok programor, mundësisht i majtë… dhe mazhorancës i duhet një horizont përtej heqjes së vizave shengen. Shumë shqiptarë nuk kanë ç’të paguajnë për faturat jetike si korenti, uji e gazi, dhe është një fyerje t’u premtosh udhëtime pa viza, sikur të ishin udhëtime falas.

—————

“Rrezikojmë të mos kemi zgjedhje vendore ose moslegjtim të tyre”

Igli Totozani

Në përgjithësi të parashikosh nuk është një gjë e thjeshtë. Aq më tepër është e vështirë kur bëhet fjalë për parashikime që kanë të bëjnë me fenomene apo dukuri me natyrë sociale. Është si të thuash, një ekuacion me shumë të panjohura. Në çdo rast, nëse evolucioni i një dukurie apo fenomeni objekt shqyrtimi do të ish i bazuar në disa parime apo norma rregullues edhe mund t’ia lejonim vetes të parashikonim. Në të kundërt, mbetet një ndërmarrje e pamundur.

Një e tillë, është për mua edhe parashikimi i të ardhmes politike të Shqipërisë. Mbi ç’ligje apo parime zhvillohet ajo? Mbi kushtetutshmërinë, mbi meritokracinë, mbi pluralizmin e vërtetë etj., etj?. Të gjithë e dimë që nuk ndodh kështu dhe këto parime diku edhe të sanksionuar në kushtetutë apo ligje nuk shërbejnë për rregullimin e jetës politike në Shqipëri.

Në përgjithësi, jeta politike në vendin tonë lëviz dhe zhvillohet mbi një objektiv të vetëm: marrjen ose mbajtjen e pushtetit. Ky qëllim mbetet i pandryshuar dhe deri diku është normale. Veçse pjesa tjetër, pra mënyrat dhe mjetet për ta realizuar këtë variojnë shumë duke kapërcyer shpesh çdo kufizim kushtetues apo moral. Një jetë politike që zhvillohet kështu nuk të krijon kushte për parashikime të së ardhmes së saj. Megjithatë disa supozime të përgjithshme edhe mund të bëhen duke u nisur nga përvoja e deritanishme. Mendoj se kriza do të vazhdojë. Vullneti dhe forca e opozitës për të kërkuar rinumërimin e fletëve të votimit mund të lëkundet veçse nga ndikimi i komunitetit ndërkombëtar.

Qëndrimi i këtij të fundit nuk e besoj se do të ndryshojë pra, transparencë sipas kushtetutës. Kjo sigurisht, do të vazhdojë të përkthehet dhe interpretohet ndryshe nga palët. Në fakt, nuk duhet të jenë palët që ta bëjnë një interpretim të tillë. Gjykata Kushtetuese aktualisht është e bllokuar sepse ajo ka sot veçse pesë gjyqtar në gjirin e saj kur dihet se për gjykim duhen të paktën gjashtë. Kjo gjendje mund të vazhdojë gjatë. E vetmja mundësi mbetet Komisioni i Venecias, opinionin e të cilit, në kushtet e mohimit nga shumica mbetet ta kërkojë Presidenti i Republikës. Ndërhyrja e këtij të fundit do ta zgjidhte krizën. Por kjo ka pak gjasa të ndodhë për mungesë vullneti nga ana e tij.

Në këto kushte:
• Të qëndrimit të palëkundur të opozitës për ti shkuar deri në fund transparencës së zgjedhjeve të kaluara,
• Të qëndrimit, po aq të palëkundur të shumicës për të mos ndodhur kjo,
• Të bllokimit të Gjykatës Kushtetuese,
• Të mungesës së vullnetit të Presidentit për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias
• Të vazhdimit të presionit ndërkombëtar në të njëjtat linja, transparencë dhe kushtetutshmëri
• Të mos votimit në parlament të asnjë reforme pra dhe atë elektorale..

..ne rrezikojmë mos zhvillimin e zgjedhjeve vendore ose në rastin më të mirë të mos legjitimimit të rezultatit të tyre. Në këto kushte, mendoj se Shqipëria, në muajt që vijnë do ti drejtohet zgjedhjeve të parakohshme. S’ka asgjë për t’u çuditur: në kushte të tilla edhe një shumicë e fuqishme do t’i drejtohej elektoratit, le pastaj një shumicë e panatyrshme si kjo që drejton sot vendin.

Sa për ekonominë, mendoj se në këto kushte, nuk duhen pritur zhvillime pozitive ekonomike. Përkundrazi. Ky do të ishte pak a shumë parashikimi im. Por sigurisht, ai duhet marrë me rezerva. Sepse nuk duhet të harrojmë: jemi në Shqipëri, pra në vendin ku çdo gjë është e mundshme.