Ç’është ky fiksim e kjo fandaksje pa fund…me Berishën?

0
80

Vëzhguesi

Titulli i këtij shkrimi nuk është sajim i mëndjes time. Eshtë komenti i një lexuesi të Gazetës Respublika mbi shkrimin e Umberto Ecos “ Ligji dhe Puritanët”, ku shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur italian analizon reagimet në median italiane ndaj mëkateve të kryeministrit italian jo si person privat por si person zyrtar i qeverisë italiane.

Komenti i saktë i lexuesit në fjalë është si vijon:

“Po mirë xhanëm, asnjë temë në këtë website nuk kalon pa u lidhur me Berishën? C’është ky fiksim e kjo fandaksje pa fund?”

Ky koment s’ka fare lidhje me çfarë thotë U. Eco në artikullin e tij, por është një reagim mbi një koment të bërë nga dikush tjetër mbi shkrimin, në të cilin komentuesi bën paralelizma në mënyrën e tij me situatën në Shqipëri ku përmend edhe Berishën.

Ky koment, që siç e shihni nga titulli, është i tëri një rresht e gjysëm, më intrigoi dhe vendosa t’i përgjigjem këtij komentuesi si më poshtë.

I nderuari komentues:

A e di pse çdo gjë lidhet me Berishën?

Po ta lexosh artikullin e Umberto Ecos me vëmendje, gjen ngjashmëri të madhe se si këta dy kryeministra e drejtojnë shtetin: Shfrytëzim të plotë të postit publik nga ana e secilit kryeminister qoftë ky Berlusconi apo Berisha, për të shpërblyer ata që ju shërbejnë atyre për interesa thjesht vetiake (çfarëdo që këto interesa janë, plotësim i dëshirave manjake seksuale të njërit, apo pasurim personal, të rrethit familjar apo nepotik të tjetrit) nëpërmjet ofiqeve zyrtare me rroga të majme nëpërmjet arkës së shtetit, që do të thotë që ata vjedhin drejtpërdrejt popullin për të përmbushur interesat e tyre personale.

Këta dy kryeministra janë vënë në atë post për t’i shërbyer zhvillimit të kombit dhe të rrisin standartin e jetës së popullit, të cilit i janë vënë në shërbim, në një nivel më të lartë. Ata kanë bërë një betim para parlamentit të vëndit kur kanë marrë detyrën në fjalë, dhe janë përgjegjës për çdo shkelje të ligjit nga kushdo, duke filluar nga vetvetja. Dhe ky është mesazhi që përçon Umberto Eco në artikullin “Puritanët dhe Ligji”.

Ja se çfarë thotë saktësisht Eco në opinionin që jep në lidhje me Berlusconin në këtë artikull:

“Megjithatë, kundërshtimi ndaj Kryeministrit nuk është kundërshti për shijet e tij seksuale. Është kundërshtim i faktit se zonjat që dëfreheshin në darkat e tij i shpërblente me vende pune në organizmat krahinore, rajonale, kombëtare dhe evropiane dhe këtë e bënte me harxhet tona. Në qoftë se rrogën e zonjës Minetti, si këshilltare rajonale, i bie ta paguaj unë (sipas njëfarë përqindjeje) dhe ata që rrojnë me njëmijë euro në muaj (edhe pse në përqindje më të pakët), kjo s’ka lidhje fare me Puritanët, kjo ka të bëjë me Ligjin.”

A ka mundësi të mos vësh re se sa ngjashmëri ka me atë që ndodh tek ne në këto rreshta? Dhe është e natyrshme që gjuha të shkojë ku dhëmb dhëmbi kur realizon një paralelizëm kaq flagrant gjatë leximit të këtij fragmenti.

Dhe a mund të bësh me faj puritanët shqiptarë, nqs më lejohet të përdor frazimin nga artikulli i Ecos, që sa herë lexojnë për çfarëdo forme korrupsioni diku tjetër, gjuha u vete menjëherë tek ky dhëmb i prishur që vjen erë mbytëse deri jashtë kufinjve të Shqipërisë. Dhe, a kanë faj ata që Saliu ju del në mënyrë të pavetëdijshme si imazh në një flluskë sipër kokës tamam si ato flluskat e librave komike çdo herë që ndeshen me të tilla fakte?

Si mund të bëhen me faj shqiptarët e shkretë kur Berisha mban nën sqetull të gjithë korrupsionet e mundshme që ndodhin në këtë planet e ju del në ëndërr çdo natë dhe mendojnë për Berishën gjatë ditës më shumë se mendojnë edhe për seks apo gjëra të tjera?

Psilokologjikisht, Berisha ju është futur në tru shqiptarëve si një virus ngjitës që i ka paralizuar funksionet normale shqiptarëve, si të atyre që janë në anën ë tij , ashtu edhe të atyre që janë alergjikë ndaj tij.

Dashur pa dashur, shqiptarëve, kur lexojnë një artikull që flet për korrupsion, ju shkon mëndja menjëherë tek një nga bëmat e shumta të Berishës dhe langojve të tij dhe një rrjedhje e natyrshme fjalësh ju del nga goja dhe nuk pushon së derdhuri si të ishte llavë vullkani e ngujuar në thellësi të shpirtit që mezi ç’priste të dilte e të vërshonte për ta liruar atë shpirt të shkretë nga makthi i krijuar nga gjithë këto bëma, qoftë pro apo kundër tij.

Pasionet që krijon Berisha ndër ne shqiptarët besoj që vetëm Frojdi do ishte në gjendje t’i analizonte e të na jepte një shpjegim të mirëfilltë psikoanalitik.

Për ta mbyllur këtë përgjigje, duke ja lënë psikiatërve të analizojnë më thellë fenomenin “Berisha”, më mbetet të them:

Nuk arrij ta konceptoj dot se si gjithë këto bëma të Sali Berishës ju anashkalojnë pjesës të shqiptarëve që indinjohen kur dikush ju prek Salushin e tyre të dashur. Kjo të krijon përshtypjen sikur këta njerëz ose kanë lindur shurdhë-memecë ose u kthyen në të tillë pasi Saliu ju hodhi nga një mbeturinë kocke të lëpirë më parë nga të tjerë apo si virus ju fut në tru dhe ju preku ato pjesë të trurit të lidhura me shikimin dhe dëgjimin?

S’mësuan këta të shkretë nga 50 vjet diktaturë që nuk duhen krijuar më idhuj se idhujt të zhgënjejnë keq, e pas atij zhgënjimi bie me hundë në tokë, ndjen një dhëmbje therrëse dhe e pyet veten, po ku isha unë kur ndodhnin gjithë këto bëma?

Në ato pesëdhjetë mungonte informacioni për magnitutën e atyre që ndodhnin në Shqipëri nga censura tepër e fortë, apo më mirë të themi që ai informacion mungonte krejtësisht. Po sot që janë të gjitha të shpalosura nën dritë të diellit dhe mund t’i lexosh në bardhë e zi si në letër ashtu edhe ne web pa patur nevojë për dylbi ( ne web s’ka më lojra, mbeten faktet atje e nuk zhduken më) përse po ndodh e njëjta verbëri?

Me të vërtetë, është shumë intrigues fakti, që me gjithë këto që po ndodhin në Shqipëri, këta njerëz vazhdojnë ende të habiten se përse gjithçka lidhet me Berishën duke bërë pyetjen e mësipërme: C’është ky fiksim e kjo fandaksje pa fund …me Berishën?

Dhe unë po ja kthej duke e rifrazuar pyetjen e tyre në:

C’është ky fiksim e kjo fandaksje pa fund….nga ana juaj me një njeri që po na shkatërron KOMBIN ?