Ç’ËSHTË KULTURA E KOMANIT?

1
44

Jo shtyllave të tensionit lartë mbi këtë Kulturë

Dërgoi Gjin Miusa

Historia e zbulimit zë fill në shekullin e XIX pas Krishtit kur historiani gjerman Heinrich Schlieman (Henrik Shlieman 1822 – 1890) nisur nga legjendat homeriane me 1879 zbulon Trojën. Lajmi i këtij zbulimi u përhap me shpejtësi në gjithë botën dhe shtypi i kohës e quajti “Zbulimi i shekullit”. Kjo gjetje bëri që qindra apasionantë, historianë, kureshtarë, thesarokërkues, hajdutë etj t’i suleshin vëndeve historike që visheshin me legjenda. Këtë fat pati edhe Kalaja e Dalmaces dhe varret përreth. Në mes të nekropulit ndodhej një lis që i bënte gjethet ndryshe nga të tjerët dhe populli e kishte pagëzuar si “Lisi i Floririt”, sikur poshtë rrënjëve të tij mshifeshin kazanë me florinjë. Kësaj legjende nuk i shpëtoi as Franz Baron von Nopcsa kur thotë me 1863 “… se po te zbulohej ky thesar, kuajtë nuk do te mbatheshin me hekur, por me ar” (Nopcsa, “Fiset e Malësisë së Shqiperisë Veriore” A.I.Historisë Tiranë, dorëshkrim)

Rreth njëzet vjet më vonë pas bujës së Trojës, në janar të vitit 1898, ngjitet në Kala të Dalmaces konsulli fracez i akredituar në Shkodër, Alexandre Degrand dhe nis gërmimet pikërisht te lisi i i legjendës, por lumturisht ai nuk gjen kazanë me florinjë, por varre të vjetra e brënda tyre objekte e stoli të një kulture të panjohur deri atëhere. Këto gjetje u bënë objekt diskutimi në qarqet e historianëve europianë të asaj kohe dhe për herë të parë u fol me gjysëm zëri për vazhdimësinë iliro – shqiptare të ekzistencës. Lënda e zbuluar prej tij gjëndët në muzeun Saint Germain des France. Interesi dhe habija e këtij vendbanimi mesjetarë tërhoqi vëmendjen e të gjithë arkeologëve dhe historianëve te Europës si Theodor Ippen, i cili boton dy libra historikë:

“Starin iz Albania”, Sarajevo, 1901 dhe “Denkmaler Verschiedener Alttersstufen in Albanien” Wien, 1907 (Kultura e Komanit” fq 16 – 22). Pastaj bënë dy vjet gërmime Paul Trager, i cili boton librin “Mittheilungen und funde aus Albanien” më 1900 (Varreza e Dalmaces fq 42 – 52). Lenda e grumbulluar prej tij ndodhet në Muzeun e Berlinit Konigl Museum fur Velkerkunde. Deri në fundin e Luftës Dytë Botërore , ky vend arkeologjik u bë pre e të huajve midis të cilëve emra të njohur të historisë dhe kulturës europiane si: S.Reinah. L.Ugolini, L.Rei, H.Bule, D.Mustili, M.Garasanin, J.Kovaçiev, J.Koreshec, H.Cais, J.Werner si edhe shqiptarë si Shtjefen Gjeçovi e Etërit Jezuitë. Këta të fundit ngritën edhe një muze në Shkodër. Pra, siç shifet, interesimi i botës kulturalo – historike europiane tregon rëndësinë e e kësaj qyteze mesjetare dhe potencen e saj.

Në veren e viti 1961 nisën gërmimet për herë të parë në Varrezat e Dalmaces nga arkeologët shqiptarë të udhëhequr nga profesorët e nderuar Hëna Spahiu dhe Skënder Anëmali. Materiali i gjetur u grumbullua pranë Muzeut Arkeologjik në Tiranë dhe arkeologet e historianët, pas analizave që iu bënë materialeve të gjetura u ra në një linjë me shumë studiues të huaj që e datojnë lulëzimin e kësaj kulture nga shekujt e VI – IX dhe që shtrihet deri në shekullin e XIII pas Krishtit. Për ta bërë sa më prezent në qarqet ndërkombëtare trashëgiminë iliro – shqiptare, në vitin 1969 mbajnë një këshill shkencorë në Tiranë, ku punimet e simpoziumit u botuan në shqip dhe ne gjuhen frange “Les Illyriens et gene des Albanies” duke botuar punimet e tyre S. Anemali, M.Korkuti, B.Jubani, H.Ceka, E. Çabej, J.Gjinari dhe A. Gjergji.

Kumtesa e arkeologes Hëna Spahiu gjendet e botuar te “Konferenca e Dytë e Studimeve Arkeologjike” II 1969 fq 247 – 271. Më 1972 mbahet një tjeter simpozium me pjesëmarrjen e shumë përfaqësive të huaja. Arkeologët dhe historianët tanë shpallën haptazi e me fakte të pamohueshme para botës se shqiptarët janë pasardhësit direkt të ilirëve – tezë të cilën bota shkencore e pranoi plotësisht.
Stipçeviç thotë: “Kultura e Komanit është një kulturë e një populli që në shekullin VI – VIII ishte në kapercyell të dy epokave, nga ajo e vonë antike, ne periudhen e hershme mesjetare”. (Stipçieviç, “Ilirët, historia, jeta, kultura, simbolet e kultit”, Toena, 2002, fq 72.)

Ndërsa John Willkes thotë: “Teza shqiptare se varrezat e trevës Komanit përfaqesojnë një vazhdimësi mbështetet në një sërë argumentash…”(J.Willkes “Ilirët” Tiranë, 2005, fqb 287).
Vendbanimi i mesjetës së hershme mbi Koman shtrihet në një siperfaqe që i kalon të 40 ha dhe i kapercen 2000 varre. Brënda dhe jashtë kësaj shtrirje gjënden rrënojat e 10 kishave të zbuluara deri tani si dhe një ipeshkëvi. Kështu vinë me radhë Kisha e Shën Ndreut, Kisha e Shën Katerines në Bytyçin e Buzhalës, Kisha e Shën Gjergjit, Kisha e Shën Nikollës, Kisha e Shën Gjonit, Kisha e Shën Shirgjit (Sergjio), Kisha e Shën Mëhillit, Kisha e Shen Ndojit, Kisha e Shën Teodorit dhe Kisha e Shën Markut.

Thuhet se është edhe një tjetër e quajtur e Shën Aleksandrit. Të gjitha këto kishë shtrihen nën tokë e mbi tokë, por të tëra rrënoja, kur bota e përparuar i ka në këmbë e fungsionale. Tash së fundi prej shtat vjetësh po punon ekspedita e udhëhequr nga arkeologia Etleva Nallbani (Qëndra Nacionale e Kërkimeve Shkencore franceze, Shkolla Franceze e Romës, në bashkëpunim me Institutin arkeologjik të Qendrës së Studimeve Albanologjike në Shqipëri) dhe kundër asaj që ishte thënë deri në këtë kohë, kjo ekspeditë zbuloi një qytet të tërë të nëndheshëm, vend punimin e metalit si dhe çeramika dhe amfora të tipit “Otranto”, të cilat deri tani mendohej se i mungonin këtij metropoli.

Në një interviste për Tv të vitit 2012 arkeologia Nallbani thotë: “Jemi mësuar ta shohim përciptas Kulturen e Komanit, por tani që ky rajon po kthehet në referencë për studiuesit dhe arkeologët, sepse jep dijeni të bollshme dhe me tepër vlerë për periudhen e errët të historisë që ka një mungesë të plotë informacioni. Kërkimet dhe puna për ta kthyer në një muze të gjallë do të vazhdojë, sipas projektit, edhe për 20 vitet e ardhëshme dhe atëherë do të jetë një nder pikat turistike më të vizituara të vendit tonë.” (Top – Channel. tv, 2012).

Por zj. Nallbani nuk do t’i shkonte kurrë ndër mend se tre vjet më vonë do planizohej një projekt shkatërrues i ëndrrave të saja dhe i gjithë asaj zone. Shumë pak e dine se fshati piktoresk i Komanit është quajtur dikur “Misia e Vogel” dhe se shumë kalimtarë të huaj e kanë çmuar si një perlë të Veriut. I vetmi fshat që i ka shpëtuar hemorogjisë dhe bjerrjes së popullsisë është pikërisht Komani, të cilin po e boshatisim me duart tona. Prandaj i themi Jo projektit shkatërrues të linjës se tensionit lartë OST mbi Koman si në zonën A, ashtu edhe në zonën B.

Ndoc Selimi

1 COMMENT

  1. Rasti e ka sjellë qe te punoj si mesues ne Koman ne vitin shkollor ’64-’65. Fshataret, veçanarisht te lagjes Gogsh dinin shume legjenda per Kalane e Dalmaces dhe gryken e Melgunit. Bile e quanin si vend qe sillte fat dhe miresi per banoret vendas.

Comments are closed.