Bota Sot | 22.11.2012
Armët e heroit tonë kombëtar për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar
Armët e heroit tonë kombëtar, së bashku me përkrenaren, gravurën dhe kodeksin janë ekspozuar sot për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozimi i tyre nisi në një ceremoni të posaçme ku ishin të pranishëm personalitete personalitete të lartë të vendit, përfaqësues të fushave të ndryshme.
Armët e Skënderbeut janë të vendosura në pavionin e Mesjetës të këtij muzeu, ku është e ekspozuar dhe periudha historike e heroit tonë kombëtar. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për rreth një muaj e gjysësm ku publikë mund të shohë këto armë, të cilat vijnë në atdhe pas 4 shekujsh.
Kryeministri, Sali Berisha duke iu referuar pikërisht vlerave të shumanshme që mbart në vetvete kjo figurë shprehu pamundësinë e tij për të përshkruar me fjalë falënderimet dhe nderimet për kontributin e heroit kombëtar shtetin shqiptar.
“Skënderbeu ishte princi i përjetshëm i kombit shqiptar. Ndaj dhe falënderimi i mbarë shqiptarëve nuk mund të paraqitet dot me fjalë. Shqiptarët ndajnë besime të ndryshme, por ata bashkohen në tek zoti dhe tek Skenderbeu, tek prijësi i përjetshëm i tyre. Skënderbeu mbrojti vokacionin perëndimor të shiptarëve “, vuri në dukje Berisha.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi ka shprehur mirënjohjen për shtetin austriak që bëri të mundur ardhjen e armëve të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu në Shqipëri.
Njëkohësisht, ceremoninë e kanë përshëndetur, Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi dhe Ministrja e Artit, Kulturës dhe Arsimit të Austrisë, Klaudia Shmit.







