Ç’efekt ka patur taksa e sheshtë tek punësimi dhe bizneset?

0
48

Nga Eduard Zaloshnja, 3 prill 2012

Berisha ka vite që mburret se taksa e sheshtë 10% i ka ndihmuar bizneset të akumulojnë më shumë fitime dhe t’i riinvestojnë ato, për të hapur kështu më shumë vende pune. Në pamje të parë, kjo mburrje e Berishës e ka një bazë logjike. Në qoftë se shteti u merr bizneseve më pak para në formën e taksave, atyre u mbeten më shumë para për të investuar – pra, për të hapur vende të reja pune. Por në realitetin shqiptar shohim një tjetër tablo. Sipas statistikave të INSTAT-it (http://www.instat.gov.al/  ), në vitin 2007 (para se të zbatohej taksa e sheshtë), kishte 939 mijë të punësuar, ndërsa në vitin 2010 kishte vetëm 917 mijë. Pra, punësimi, në vend që të jetë shtuar, është pakësuar me plot 22 mijë vetë.

Po pronarët e bizneseve a kanë përfituar nga taksa e sheshtë? Përgjigjia e kësaj pyetje varet nga lloji i biznesit. Ndryshe është prekur një biznes që fitimet i nxjerr kryesisht nga puna e punonjësve të vet dhe ndryshe është prekur një biznes që fitimet i nxjerr kryesisht nga kapitali që ka investuar (makineri, paisje, programe kompjuterike, etj.) Një kompani tipike fasonesh, për shembull, nuk bën asnjë investim kapitalesh – ajo merr makineritë dhe lëndën e parë nga porositësi i huaj dhe vetëm përdor punën e punonjësve të vet për të realizuar fitime. Ndërsa një kompani celulare, për shembull, investon shuma të konsiderueshme në apartura, antena, programe kompjuterike, etj., dhe i vë në përdorim ato me një numër relativisht të vogël punonjësish.

Le të analizojmë një skenar hipotetik të një kompanie fasonesh. Para se të vendosej taksa e sheshtë, le të supozojmë se ajo paguante mesatarisht 6% taksë mbi pagat e punonjësve dhe 20% taksë mbi fitimin. Me sheshimin e taksës, ajo pagon 10% taksë mbi pagat dhe po 10% taksë mbi fitimin (po lëmë mënjanë për momentin taksën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore). Meqënëse punonjësit e kompanisë e bëjnë llogarinë individuale me pagën neto që fusin në xhep (jo me pagën bruto), asaj i është dashur që, pavarësisht ndryshimit të sistemit të taksave, të mos e ulë pagën neto. Përndryshe, punonjësit e saj do të revoltoheshin.

Le të supozojmë tani se një kompani e tillë kishte 1 milion dollarë xhiro në vit dhe, para se të ndryshohej taksimi, paguante 800 mijë dollarë paga neto. Asaj i duhej t’i paguante shtetit 50 mijë dollarë taksë mbi pagat bruto të punonjësve dhe 30 mijë dollarë taksë mbi fitimin e saj. Pra, nga të ardhurat totale prej 1 milion dollarë, asaj i mbeteshin 120 mijë dollarë fitim neto (pas pagimit të punëtorëve dhe të taksave). Me taksimin e sheshtë, tani asaj i duhet t’i paguajë shtetit 90 mijë dollarë taksë mbi pagat bruto të punonjësve dhe 11 mijë dollarë mbi fitimin. Pra, i është ulur taksa mbi fitimin, por i është shtuar ndjeshëm taksa mbi pagat dhe, si përfundim, i është ulur fitimi neto nga 120 mijë dollarë në 99 mijë dollarë. Si rrjedhojë, një kompani e tillë nuk është e interesuar të shtojë punonjësit, sepse taksa mbi pagat ka peshë më të madhe se sa taksa mbi fitimin.

Tani le të kthehemi te rasti hipotetik i një kompanie celularësh. Le të supozojmë se ajo, para se të ndryshohej taksimi, kishte 1 milion dollarë xhiro në vit, paguante 200 mijë dollarë paga neto, dhe kishte një kosto vjetore 600 mijë dollarë për aparturat, antenat, programet kompjuterike, etj. Asaj i duhej t’i paguante shtetit rreth 13 mijë dollarë taksa mbi pagat bruto të punonjësve dhe rreth 37 mijë dollarë taksë mbi fitimin. Pra, nga të ardhurat totale prej 1 milion dollarë, asaj i mbeteshin 150 mijë dollarë fitim neto (pas pagimit të punëtorëve e të taksave, dhe mbulimit të kostove materiale). Me taksimin e sheshtë asaj i duhet t’i paguajë shtetit rreth 23 mijë dollarë taksa mbi pagat bruto të punonjësve dhe rreth 18 mijë dollarë taksë mbi fitimin. Pra, ulja e taksës mbi fitimin ka qenë më e madhe se sa rritja e taksës mbi pagat dhe, si përfundim, fitimi neto i është rritur me rreth 9 mijë dollarë. Si rrjedhojë, ndryshimi i taksimit nuk e ka stimuluar një kompani të tillë që të shtojë punonjësit, sepse shtimi i kapitalit fizik është më i leverdisshëm për të.

Ndryshe qendron puna me taksën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ulja e saj totale nga 41.9% në 27.9%, përbën një ulje reale të kostos së punës, e cila, për rrjedhojë, mund të ndikojë pozitivisht te kompanitë që e bazojnë fitimin e tyre kryesisht në përdorimin e punës. Sidoqoftë, të dhënat zyrtare tregojnë se kjo ulje e ndjeshme taksës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ka ndikuar kryesisht në thellimin e deficitit të fondit shtetëror të pensioneve (Banka Botërore ka ngritur alarmin për këtë gjë), ndërkohë që ka ndihmuar fare pak në rritjen e numrit të të punësuarve në sektorin privat jo-bujqësor. Sipas INSTAT-it, nga viti 2007 në 2010, rritja e të punësuarve në këtë sektor ka qenë vetëm 14 mijë vetë, ndërkohë që numri i të punësuarve në sektorët e tjerë është ulur me plot 36 mijë vetë…