Berisha me kryetaren e Bashkise se Milanos
Nga raporti i Legambientes për mafien e mbeturinave (pjesë dhe shifra nga i cili Shekulli botoi dje) dalin të dhëna alarmante. Shifrat janë mbresëlënëse dhe kur mendon që pikërisht me një vend që ka probleme të tilla me plehrat Shqipëria e njëmijë e një mungesave shkon e firmos marrëveshje importi plehrash, të zë paniku.
Ja disa nga të dhënat që jepen në raportin e Legambiente për ekomafian e vendit të tyre, Italisë:
1 – Miliona tonelata plehrash varrosen në mënyrë ilegale në vende të panjohura çdo vit. Për ta bërë më të perceptueshëm sasinë e plehrave që “zhduken” në vend-varrosje të siguruara nga rrugët dhe korridoret e mafies italiane, Legambiente bën një krahasim. “Çdo vit zhduket një mal plehrash 2 mijë metra i lartë”, – thotë raporti i Legambinetes, dhe shton se kjo është njëherë e gjysmë më e lartë se mali ynë Vezuv.
(Italianët e krahasojnë me Vezuvin e tyre për ta bërë më të perceptueshëm nivelin e pabesueshëm të aktivitetit të mafies së plehrave në vendin me të cilin po tentojmë importin e plehrave, kurse ne na takon ta krahasojmë me një mal tonin për ta bërë më të perceptueshëm për publikun shqiptar. Po marrim Malin e Jezercës meqë është pranë vendlindjes së kryeministrit.
Për rreth 700 metra, shifra e dhënë nga Legambinete do të arrinte majën e Jezercës (maja e katërt më e lartë e Shqipërisë pas atyre të Korabit – 2694 metra). Një “mal” plehrash sa tri të katërtat e Jezercës është pra sasia e plehrave, që zhdukin çdo vit klanet e mafies së plehrave në Itali. Ku i çojnë?
Shumë groposen në rajonet e jugut italian, të tjerat shkojnë në vende të Afrikës apo në vende si Rumania që kanë lejuar së fundmi importin e plehrave. Varrosja e tyre ilegale kursen miliarda euro që do paguheshin nëse ato shkonin në landfilldet e posaçme të Europës ku “ta masin kokën me spango” për të trajtuar mbeturinat).
2 – 18,4 miliard euro është xhiroja vjetore e mafies së plehrave, 4800 janë në një vit krimet e groposjes së plehrave të rrezikshme me autor mafien e fqinjëve tanë, 103 janë rastet e hetimeve për trafikim të mbetjeve të rrezikshme nga Italia drejt vendeve të tjerë, 2190 persona janë denoncuar, 520 janë ndërmarrjet e përfshira në këto trafiqe.
3 – Në Napoli arrijnë mbeturina toksike shumë të rrezikshme të industrisë së veriut italian me “ndërmjetësinë” e Kamorrës. Rajoni i Kampanjës është i pari në listën e Legambientes për krime të kategorisë së mbetjeve. Në Kampanja dhe Kalabri përqendrohen 30 për qind të mbetjeve ilegale të gjithë Italisë. Pas këtyre dy rajoneve vijnë Pulja, Lombardia, Liguria, Piemonte, dhe Veneto.
4 – Është kalkuluar se për çdo euro që fiton mafia e plehrave, shteti humb 10. Në Pulja janë zbuluar plot 599 vend-varrosje ilegale, në Lombardi 541, në Kalabri 447. Vetëm në Veneto janë 5 milionë metra katrorë të okupuara me varreza plehrash ilegale.
Çfarë është Legambiente
Legambiente është krijuar para 30 vitesh. Si organizëm lindi në 1980, pas lëvizjes anti-bërthamore që u zhvillua në Itali dhe në mbarë botën perëndimore në pjesën e dytë të viteve ’70. Tipari dallues i tyre ka qenë gjithnjë hulumtimi shkencor. Mbi krimet që kanë të bëjnë me mbeturinat, kanë një bazë të shëndoshë të dhënash shkencore, që i kanë lejuar që të shoqërojnë betejën me të dhëna konkrete, reale dhe praktike.
Ka shtrirje të gjerë në territorin italian: mbi 115 mijë partnerë dhe mbështetës, 1000 grupe vendore, 30 mijë klasa që marrin pjesë në programe dhe 3.000 të rinj që çdo vit marrin pjesë në kampet vullnetare, mbi 60 zona natyrale.
Italia, 90 mijë tonelata mbetje
Italia e ka ëndërr të heqë sadopak nga stoku i saj radioaktiv, për të cilin prej dekadash po harxhon energji dhe financa të shumta. 25 vite pas katastrofës së Çërnobilit në Ukrainë dhe 21 vjetorit të mbylljes së industrisë bërthamore në Itali, (u mbyll me referendum popullor në vitin 1987) bilanci është i rëndë për qeveritë italiane: duhet të paguajë miliarda euro për të menaxhuar 90 mijë tonelata mbetje toksike dhe radioaktive.
Buxheti italian ka harxhuar deri më sot mbi 12 miliardë euro për t’i mirëmbajtur ato, në pritje të caktimit të një vend-depozite.
Kosto, 500 milionë euro në vit
Për vetë italianët, prania e tonelatave me lëndë bërthamore dhe toksike është një bombë ekologjike, që i kushton shtetit rreth 500 milionë euro në vit. Përballë kësaj emergjence të pazgjidhur prej 21 vitesh me mbetjet bërthamore dhe toksike, qeveria italiane ka premtuar disa herë zgjidhje, por ende nuk ka një të tillë. Rajoni i Kazertës njihet tashmë si “Çërnobili i Italisë”, sepse është toka më e ndotur në gadishullin Apenin nga incidente të shumta që kanë helmuar toka dhe lumenj.
Në një raport Italian për mjedisin i vitit 2007, thuhet se Komuniteti Europian u ka vënë detyrim shteteve anëtare që të gjejnë një zgjidhje për sistemimin e mbetjeve radioaktive brenda vitit 2009.
Berisha në Itali: Lehtësi italianëve për energjinë bërthamore
Mëse dy vite pasi premtoi se do të ketë bashkëpunim me Italinë për të zhvilluar energjinë bërthamore në Shqipëri dhe ta kthejë atë në superfuqi energjetike, shefi i qeverisë shqiptare ftoi dje biznesin italian që të ndërtojë centralin bërthamor në Shqipëri. “Ftesa” zbulohet nga media italiane, e cila duke komentuar vizitën e djeshme të Berishës në Milano, shkruante mbrëmë:
“Kryeministri i Shqipërisë i ka të qarta idetë e bashkëpunimit me Romën. Pas pjesëmarrjes në forumin ekonomik italio-shqiptar, kryeministri Sali Berisha bëri të ditur se vendi i tij do të bëjë gjithçka për të lehtësuar investitorët italianë që duan të marrin pjesë në energjinë bërthamore.
“Deri më sot Shqipëria dhe Italia kanë pasur marrëdhënie shumë të mira. Janë nënshkruar marrëveshje për investime në fushën energjetike, por italianët janë aktivë dhe në sektorë të tjerë”,- ka thënë kryeministri shqiptar. Dje, u bë e ditur se Dhoma e Tregtisë e Milanos dhe ajo e Shqipërisë firmosën një pakt për bashkëpunim që do t’u japë mundësi të takohen 240 sipërmarrjeve italiane dhe 70 shqiptare”.