Ç’do të ndodhë pas GJND?

0
35

Mentor Nazarko

Mentor Nazarko, 03.07.2010

Incidenti i rëndë ndodhur në Mitrovicë, është dëshmia më e fundit e asaj se prej nga vijnë rreziqet më të mëdha për sigurinë kombëtare të shtetit të ri. Një përfundim i tillë u përforcua madje dhe nga Ambasadori Amerikan në Kosovë, Dell, që vuri gishtin tek veriu! Por ky incident nuk ndodhi në një terren politik shterpë. Rreth veriut, pritet të verifikohen zhvillime në ditët e ardhshme. Jo thjesht në pikëpamje kohore, ato do të ndodhin pas vendimit të pritshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe mund ta kenë përqendrimin e tyre pikërisht në veri.

Ato u paraprinë nga një klimë deklaratash, pozicionesh, vizitash, që mesa duket janë të lidhura me njëra-tjetrën. Në këtë klimë janë tri palët kryesore që luajnë kartat, por s’i tregojnë ato. Pala serbe ka qenë mjaft aktive deri në ekstrem në lidhje me veriun e Kosovës. Oliver Ivanoviç, sekretar shteti për Kosovën, ka folur për një status të ardhshëm të Kosovës, të ngjashëm me statusin e Qipros, por pa shpjeguar se cila i binte të ishte “Qiproja turke” e Kosovës.

Pavarësisht përgënjeshtrimeve të mëvonshme, janë me origjinë serbe tezat që po qarkullojnë në publik për shkëmbime territoresh. Mund të konsiderohet si frymëzim i Serbisë dhe pjesëmarrja e madhe e serbëve në zgjedhjet e Parteshit. Parteshi vërtet është komunë e vogël, e krijuar rishtaz, por pjesëmarrja në ato zgjedhje, dëften se dhe vetë Serbia zyrtare ka pasur interes. Nëse do të donte Serbia, pjesëmarrja nuk do të ishte 65%. Edhe reagimet, gjoja konfuze të autoriteteve serbe në lidhje me këtë pjesëmarrje, dukej sikur e nënkuptonin këtë.

Në reagimet serbe sigurisht duhen futur dhe prononcimet pajtuese të Jeremiçit, për një zgjidhje që do t’i linte të kënaqur të gjithë. Atë e pasoi në të njëjtën linjë dhe patriarku Irinej. Serbët madje janë përpjekur për të krijuar “klimë pajtimi”. U bllokuan gërmimet për varret masive me urdhër të Tadiçit dhe u improvizua një vizitë private, por e mediatizuar e Tadiçit në familjen Fehmiu. Në kuadër të bisedimeve, s’do të ishte normale prodhimi i lajmeve me viktima të hershme të konfliktit shqiptaro-serb. Në këtë kuadër dhe ceremonia relativisht agresive e serbëve në Gazimestan duhet konsideruar si pjesë e krijimit të klimës triumfaliste-trimërim i opinionit publik serb në perspektivën e bisedimeve eventuale.

Janë disa lëvizje ndërkombëtare, që lidhen me statusin e Mitrovicës apo Kosovës së veriut. Kemi pasur brenda pak kohësh disa vizita ndërkombëtare të nivelit të lartë, atje që më parë s’kishin ndodhur: Komisioneri Fyle dhe ministri britanik për Europën. Më në fund ishte Ambasadori Amerikan. Në lidhje me hipotezat për ndarje që vijnë nga Serbia, Piter Feith, shefi i pranisë ndërkombëtare, Ministri britanik Lidingston, zyrtarë të departamentit amerikan të shtetit janë shprehur kundër, por ama insistojnë për bisedime, menjëherë mbas vendimit të GJND.

Me probabilitet të lartë, edhe arrestimet apo hetimet e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës koicidojnë pak si shumë me bisedimet eventuale për statusin e Kosovës së veriut. Europianët duken më të vendosur ndoshta për lëshime ndaj palës serbe, ndaj për “të ulur rezistencën e Qeverisë”, po kërkojnë me sulm mediatik vazhdimin e hetimeve. Prononcimi i fundit i prokurorit holandez Wresvijk për listë të gjatë të akuzuarish dhe për korrikun si muaj sulmi ishte jo rastësor: deklarimet e tij politike ngjajnë si të frymëzuara nga Lart.

Amerikanët nga ana tjetër, më luajalë me shqiptarët e Kosovës dhe Qeverinë e tyre, e kundërshtojnë këtë koincidencë të hetimeve me bisedimet. Ata e konsiderojnë Kosovën e pavarur si investim të tyre, që s’mund të paraqitet si shtet i dështuar apo që s’duhet të dobësohet në një moment si ky i vendimit të Gjykatës së Hagës. Njëlloj përplasje euro-amerikane vihet re qartë dhe në publik.

Edhe Qeveria e Kosovës nuk ka mbetur pas. Ajo madje ka folur, por jo shumë qartë, për njëlloj riorganizimi të Kosovës së Veriut, me gojën e Kryeministrit Thaçi, ndërsa ka refuzuar me forcë shkëmbimet e territoreve. Por kjo s’do të thotë se për veriun nuk do të diskutohet në të ardhmen, apo se rreth tij s’do të ketë vendime të rëndësishme.

Në këtë kuadër duhet parë dhe ardhja e Thaçit në Durrës për takim me Berishën. Si zakonisht faktorët politikë në Kosovë, vendas dhe të huaj, vijnë në Shqipëri për të prodhuar konsensus në Kosovë. E ka bërë Feithi, menjëherë pas bastisjes së Ministrisë së Transporteve, e bën Haradinaj, ja ku e bëri dhe Thaçi. Tema e bisedës ishte paprekshmëria e kufijve të Kosovës!

Vendimi i Hagës dhe reagimet që duhen

Këto zhvillime kanë ndodhur para vendimit të Hagës. Me shumë gjasa vendimi i pritshëm i GJND do të ketë dy pamje: Nga njëra anë, ai pritet të legjitimojë zhvillimet në terren, pra shpalljen e pavarësisë pas aparteidit të vendosur në Kosovë, në vitet ’80, elementet kushtetues të 74, shpalljen e pavarësisë nga Kosova në vitin 1990 prej institucioneve të ligjshme, luftën për liri, operacionet zyrtare për pastrimin etnik, etj, dhe do ta konsiderojë pavarësimin si zhvillim që s’mund të kthehet mbrapsh.

Nga ana tjetër, prej frikës së vendosjes së një precedenti që mund të vlejë për zona të tjera ku ka probleme minoritetesh, GJND do të përmendë dhe faktorë legalë që janë kundër shpalljes së pavarësisë. Tek këto elementë do të kapet pala serbe. Me siguri dhe europianët, pasi që Kosova ndodhet në oborrin e tyre, do t’i përdorë ato argumente për të shtuar presionin mbi palën kosovare.

Nuk dihet se çfarë po luhet, por ka disa ide që duhen konsideruar me këmbëngulje për procesin që do të zërë fill pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.

Faktori shqiptar duhet të reagojë i vendosur si komb ndaj kërcënimeve për ndarjen e Kosovës. Klasa politike kosovare gjithashtu duhet të prodhojë konsensus sa më të gjerë rreth bisedimeve të pritshme me Serbinë, sepse Qeveria nën presionin e hetimeve ka autoritet të cunguar. Në këtë kuadër, krijimi i një strukture të ngjashme me Grupin e Unitetit, por me elementë të tjerë shtesë, do të shërbente për t’i dhënë më legjitimitet çdo vendimi të ardhshëm.

Ai do të duhej që të formulonte vijat e kuqe, për bisedimet eventuale teknike me Serbinë. Për t’u shënuar që idenë e një Këshilli të tillë, e ka mbështetur dhe kreu i ndërkombëtarëve në Kosovë, Piter Feith. Edhe hartimi i një strategjie për njohjet është jetik për Kosovën, kur një Ministri e Jashtme e dobët në burime njerëzore dhe materiale, konsideron si rrezik elektoral përpjekjet e politikanëve si Pacolli, për të lobuar për njohjet! Madje, ajo është mjaft pasive në aktivizimin e të gjithë miqve të Kosovës, ndërkombëtarë apo shqiptarë qofshin në procesin e njohjeve.

Këto vendime duhen marrë sa më parë. 20 ditë, aq sa na ndajnë nga vendimi i pritshëm i Gjykatës së Hagës, nuk janë shumë, për të përcaktuar hapat e rinj në lidhje me atë çka e pret Kosovën. 20 ditë janë pak për të formuluar një strategji sa më konsensuale për procesin që do të zërë fill me vendimin historik të Hagës.