Çdo ministër, ministër Shëndetësie

0
76

Nga: EDUARD ZALOSHNJA

Cdo ministër në një qeveri, në një farë mase, duhet të jete edhe Minister Shendetesie. Kjo fjali permbledh me pak fjale fjalimin e Sër Majkëll Marmott në Konferencën Botërore rreth Sigurisë së Jetës, e cila u mbajt javën e kaluar në Londër. Le ta përkthejmë këtë fjali në shqipen e realitetit të Republikës së Shqipërisë.
Që ministri i Mbrojtjes, në një farë mase të jetë edhe ministër Shëndetësie, duhet të bëjë kujdes, për shembull, që municionet e vjetra të mos demontohen në Gërdec, fare pranë qendrave të banuara. Gjithashtu, ai duhet të bëjë kujdes që për demontimin e municioneve të mos punojnë gra e fëmijë në kushte primitive, të ngjashme me ato që ka përshkruar Çarls Dikensi në romanin “Oliver Tuist”. Sepse, në qoftë se ai e lejon këtë gjë, dhjetëra shqiptarë mund të humbasin jetën dhe qindra të tjerë të gjymtohen.
Që ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, në një farë mase, të jetë edhe ministër shëndetësie, duhet të bëjë kujdes që konsumatorëve shqiptarë të mos u shiten ushqime të skaduara apo të prodhuara/ruajtura në kushte johigjienike. Sepse kur ai e lejon këtë gjë, dhjetëra shqiptarë mund të vdesin nga helmimet dhe mijëra të tjerë të vuajnë nga sëmundjet e shkaktuara prej ushqimeve të tilla, siç ka ndodhur shpesh vitet e fundit.
Që ministri i Brendshëm, në një farë mase, të jetë edhe ministër Shëndetësie, duhet të bëjë kujdes që policia rrugore të parandalojë aksidentet e shkaktuara nga shpejtësia, alkooli dhe mosrespektimi i Kodit Rrugor. Gjithashtu, ai duhet të bëjë kujdes që policia e shtetit të parandalojë krimet e dhunshme. Sepse në qoftë se ai nuk e bën këtë gjë, qindra njerëz mund të vdesin në vit dhe mijëra të tjerë të gjymtohen.
Kështu, për shembull, në qoftë se shpejtësia mesatare e ngjarjes së automjeteve në të gjithë vendin ulet me 5km/orë, numri i aksidenteve mund të ulet 25%. I njëjti reduktim mund të realizohet nga një përgjysmim i numrit të drejtuesve të pirë të automjeteve. Ndërsa nga përdorimi i rripit të sigurisë, numri i vdekjeve prej aksidenteve mund të pakësohet pothuajse 45% dhe numri i plagosjeve të rënda 28%.
Që ministri i Transportit dhe Punëve Publike, në një farë mase, të jetë edhe ministër Shëndetësie, duhet të bëjë kujdes që rrugët të mos ndërtohen me nxitim, sa për të prerë shiritat e inaugurimit para zgjedhjeve. Sepse një rrugë e re pa sinjalistikën dhe mobilimin mbrojtës të duhur është më e rrezikshme se një rrugë e vjetër. Në një rrugë të re, kur sinjalistika dhe mobilimi mbrojtës nuk është plotësuar, mund të ndodhin më shpesh aksidente. Kjo, sepse makinat ecin me shpejtësi në një rrugë të re. Gjithashtu, përmirësimi i rrugëve ekzistuese mund të reduktojë ndjeshëm aksidentet. Në SHBA, për shembull, kostoja e aksidenteve të ndikuara nga kushtet jo të mira të rrugëve është 240 miliard dollarë në vit, ose rreth 1300 dollarë për qytetar me të drejtë patente. Në Shqipëri, Zoti e di sesa mund të jetë kjo kosto.
Që ministri i Ekonomisë të jetë në një farë mase edhe ministër Shëndetësie, duhet të bëjë kujdes që të zbatojë politika nxitëse për hapjen e sa më shumë vendeve të reja të punës. Sepse studime të shumta kanë treguar se ka një ndërlidhje të fortë statistikore mes nivelit të papunësisë dhe nivelit të vetëvrasjeve, akteve të dhunshme e alkoolizmit.
Lista e ministrave, që në një farë mase mund të jenë edhe ministra Shëndetësie, vazhdon deri te vetë ministri i Shëndetësisë, i cili, përveç kujdesit për tenderat e spitaleve dhe të ilaçeve, mund të kujdeset realisht për shëndetin e qytetarëve të Shqipërisë.Dhe së fundi, por jo më së pakti, kryeministri, i cili ka qenë mjek para se të bëhej një politikan profesionist, duhet të jetë edhe ai në një farë mase ministër Shëndetësie. Në qoftë se kryeministri mendon vetëm për karrierën e vet politike apo për pasurimin e familjes dhe vartësve të tij, mijëra shqiptarë mund të vdesin apo gjymtohen nga plagosjet dhe sëmundjet e sipërpërmendura.
Një kryeministër i tillë kuptohet që nuk i përket kohës në të cilën jetojmë, kur shteti po bëhet gjithnjë e më tepër garantuesi i jetës së qytetarëve. Shtetit, që është thjesht një vegël në duart e sundimtarit për të pasuruar vetveten dhe vasalët e tij, po i kalon koha kudo në botë…