Gazeta Shqip, 1 Shtator 2013
Prag dorëheqje për nëndrejtorin e Policisë së Shtetit, ish-badigardin e Berishës
Agron Kuliçaj, nëndrejtor i Policisë së Shtetit, është në prag të dorëheqjes nga posti që mban prej tetë vitesh. Ish-badigardi i Sali Berishës, para se të merrte pushtetin në vitin 2005, mësohet se ka dorëzuar pistoletën e punës dhe sendet e tjera personale dhe me anë të një shkresë ka kërkuar që të largohet nga radhët e Policisë së Shtetit për arsye personale.
Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Ministrisë së Brendshme, të cilat konfirmojnë se Kuliçaj, shumë shpejt mund të lërë funksionet në polici, ndërsa nuk ka asnjë informacion mbi të ardhmen e tij. Të njëjtat burime pohojnë se ende nuk është marrë një vendim për kërkesën e Kuliçajt, ndërsa vendimmarrja i takon pikërisht drejtorit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgajt.
Dorëzimet personale
Nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, nuk ka preferuar të punojë asnjë ditë me ministrin e ri të Brendshëm, Saimir Tahiri, që do të marrë detyrën këto ditë, pas betimit të qeverisë së re në Parlament. Pas një sërë konfliktesh mes Tahirit dhe Kuliçajt, ku palët kanë akuzuar njëra-tjetrën, nëndrejtori i Policisë së Shtetit e ka parë të arsyeshme të kërkojë dorëheqjen. Zyrtarisht, Policia e Shtetit as nuk e pohon, por as nuk e mohon një gjë të tillë, ndërsa burime konfidenciale të gazetës “Shqip” pohojnë se Kuliçaj ka bërë dorëzimet përkatëse, teksa lëvizja e parë ka qenë dorëzimi i pistoletës. Disa ditë më parë, pikërisht të enjten, Kuliçaj është paraqitur te shefi i armatimit në Policinë e Shtetit dha ka dorëzuar armën e zjarrit.
Menjëherë pas këtij veprimi, mësohet se me anën e një kërkese, ai ka kërkuar të largohet nga radhët e policisë, ndërsa burimet pohojnë se kërkesa do të shqyrtohet në ditët në vazhdim. “Zoti Kuliçaj ka dorëzuar fillimisht pistoletën. Ndoshta mund të ketë dorëzuar edhe sendet e tjera, sërish te shefat e personelit, apo mund të ketë lënë edhe dokumentet e punës”, pohojnë burimet konfidenciale nga Ministria e Brendshme, të cilat saktësojnë se, menjëherë pas këtyre veprimeve, ai pritet të lërë radhët e policisë pas tetë vitesh në detyrë, në momentin që Partia Demokratike erdhi në pushtet.
Karriera në polici
Në të gjitha këto vite, pra pas vitit 2005, Kuliçaj ka qenë gjithmonë nëndrejtor policie, teksa fillimisht ka pasur epror Bajram Ibrajn, më pas Ahmet Premçin, ndërsa në fund dhe aktualisht, Hysni Burgajn. Megjithatë, Kuliçaj ka qenë nëndrejtori kryesor në Policinë e Shtetit, pasi ka drejtuar për një kohë të gjatë Drejtorinë e Hetimit të Krimeve. Në varësinë e tij ka qenë edhe krimi i organizuar dhe drejtori e sektorë të rëndësishëm në polici.
Më herët, pas viteve ‘90, emri i Kuliçajt u bë i njohur në të ashtuquajturën Masakra e Cërrikut, në muajin maj të vitit 1997, ku dhe mbeti i plagosur. Në ngjarje, mbetën të vrarë disa gardistë dhe u plagosën disa punonjës policie. Gjatë gjykimit të kësaj ngjarjeje, Kuliçaj ka dëshmuar si i dëmtuar, ndërsa ka dhënë një rol për rihapjen e hetimeve, që deri në vitin 2005 ishin pa autor. Tashmë, janë disa të dënuar dhe disa të tjerë morën pafajësi.
Pas plagosjes, Kuliçaj do të shihej krah për krah me shefin e opozitës së asaj kohe, Sali Berisha. Në çdo takim, apo miting elektoral, Kuliçaj, gjatë viteve 1998-2005 shoqëronte Sali Berishën dhe pas ardhjes në pushtet në vitin 2005, do të kalonte në radhët e Policisë së Shtetit. S.Ç
Kabllogrami:
“Kuliçaj, i korruptuar dhe informator i Dritan Dajtit”
“…Ambasada mbetet e shqetësuar në lidhje me Agron Kuliçaj, i cili nuk është prekur nga kjo rokadë. Burimet thonë se Kuliçaj është i korruptuar dhe donatorët ndërkombëtarë refuzojnë që të ndihmojnë policinë shqiptare, për shkak të prezencës së tij. Ambasadori i ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me korrupsionin në nivelet e larta të policisë shqiptare ministrit (i atëhershëm) Basha, ndërsa përfaqësuesi i ambasadës në ICITAP ka shprehur shqetësimet konkrete për Kuliçajn tek Burgaj.
Burgaj i ka thënë se Kuliçaj është i lidhur ngushtë me Kryeministrin Berisha dhe çdo përpjekje për ta larguar ose detyruar atë që të dorëhiqet duhet të vijë nga zyra e Kryeministrit.
…Jo vetëm që praktikat korruptive të Kuliçajt janë shumë të njohura, por ka fjalë se ai mund të jetë i implikuar në shpartallimin e policisë gjatë operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit në gusht. Dajti kishte marrë një spiunim nga brenda dhe disa oficerë policie humbën jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit. Njerëz brenda policisë besojnë se Kuliçaj mund të ketë ndihmuar Dritan Dajtin t’u shpëtojë tentativave të mëparshme për ta arrestuar”.
Përplasja
Tahiri-Kuliçaj, seanca e radhës më 12 shtator, në Gjykatën e Tiranës
Nëndrejtori i Policisë së Shtetit ka paditur deputetin socialist për shpifje, pasi e akuzoi për kromin
Në Gjykatën e Tiranës po zhvillohet një proces gjyqësor, ku paditës është Agron Kuliçaj dhe i paditur është Saimir Tahiri, pikërisht ministri i Brendshëm që do të marrë detyrën këto ditë. Nëndrejtori i Policisë së Shtetit e ka akuzuar për shpifje deputetin socialist disa muaj më parë, për shkak se e ka akuzuar për kontrabandë mineralesh. Ndërkohë, pas deklaratës së Tahirit, Policia e Shtetit doli në një reagim zyrtar ku tha se akuzat e bëra nga Tahiri nuk do t’i zbehin arritjet e mëdha të policisë në luftën kundër krimit e korrupsionit. Në njoftim thuhet gjithashtu se Kuliçaj është njeri i suksesit, i vlerësuar nga organizatat ndërkombëtare.
“Qëndrimet, të cilat pa fakte dhe prova, synojnë në mënyrë të përsëritur të dëmtojnë imazhin e Policisë së Shtetit dhe të drejtuesve të saj, nuk do të mund të zbehin arritjet domethënëse të Policisë së Shtetit dhe nuk mund të dobësojnë luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Padia është regjistruar në gjykatë dhe gjithsej janë bërë 19 seanca. E 20-a është më 12 shtator, pikërisht disa ditë pasi Tahiri mund të ketë marrë detyrën e ministrit të Brendshëm. Nëse do të jetë në detyrë, do të jetë një nga rastet e rralla ku vartësi është në gjyq me eprorin, megjithëse nuk e ka në varësi direkte.
Por, këto konflikte nuk kanë qenë të vetmet mes Tahirit dhe Kuliçajt, pasi deputeti socialist e ka akuzuar nëndrejtorin e Policisë së Shtetit edhe pas daljes së një kabllogrami të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Tahiri e ka akuzuar edhe pas arrestimit të të atit për kontrabandë ilaçesh, një procedim i nisur ekskluzivisht nga Policia, pasi prokuroria tha se nuk ka pasur asnjë informacion.
Çështja u zbeh në gjykatë dhe pas disa veprimesh, Bashkim Tahiri u la i lirë, ndërsa hetimet vijuan dhe nuk u gjetën vepra penale. Pas arrestimit, Tahiri do të shprehej para Policisë së Tiranës se: Jam këtu për të thënë që inkurajoj cilindo që të hetojë pa përjashtim tim atë. Nuk mund të rri këtu pa e thënë që besoja që këta njerëz, Sali Berisha, Flamur Noka, Agron Kuliçaj, që nuk kanë hezituar, për hir të fëmijëve të Saliut, apo eksponentëve të mazhorancës, të më gjobisin. Këta njerëz, të cilët kanë vrarë në bulevard, bënë shumë pak kundër meje. Mund të bënin edhe më shumë. Jua garantoj me gjithçka jam unë, në çdo sekondë time, vullnetin tim dhe përkushtimin tim ndaj publikut, jua garantoj Saliut, Argitës, Shkëlzenit, Flamurit, Kuliçajt që s’do më mbyllin gojën në asnjë moment. S’do rri në asnjë sekondë që të mos denoncoj krimet e tyre. Do të siguroj që çdo qytetar është i barabartë me ligjin”. S.Ç