Emirjon Senja, 05.11.2010
TIRANË – Qeveria ka publikuar dje tabelat e plota të buxhetit të vitit të ardhshëm duke parashikuar rritjen e fondit të kompensimit të pronarëve dhe dëmshpërblimin e të përndjekurve. Nga ana tjetër, është ulur shuma e përcaktuar për subvencionimin e energjisë elektrike.
Pronarët
Zëri i kompensimit të pronarëve në vlerë monetare kap shifrën e dy miliardë lekëve. Nga këto, 600 milionë lekë janë fonde të transferuara direkt nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër janë të ardhura nga burime të ndryshme, kryesisht privatizimet dhe të ardhurat e legalizimeve. Në total, shuma e përcaktuar për kompensimin në vlerë të pronarëve përbën rreth 0.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Paratë shpërndahen nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Agjencia administron dosjet dhe vijon vlerësimin duke filluar nga më të vjetrat.
Fondi i parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm për kompensimin e pronarëve është më i madh se ai i këtij viti. Për vitin 2010 qeveria kishte parashikuar një fond për kompensimin e pronarëve në vlerën e 1.7 miliardë lekë. Nëse i referohemi treguesve të pasqyruar në treguesit makro-ekonomikë 2011-2013, fondi për kompensimin e pronarëve pritet të rritet edhe me 200 milionë lekë të tjera përgjatë vitit 2012. Pavarësisht kësaj, në mënyrë të përsëritur, pronarët kanë kundërshtuar praktikën e ndjekur për kompensimin e tyre duke e cilësuar atë të dështuar për faktin se shuma që duhet kompensuar është tepër e madhe dhe me ritmet e ndjekura deri më tani, ky proces nuk mund të përfundojë për vite të tëra.
Të përndjekurit
Ekzekutivi ka menduar të trajtojë në mënyrë të barabartë pronarët dhe ish-të përndjekurit duke përcaktuar shuma të njëjta në buxhet për kompensimin e të parëve dhe dëmshpërblimin e të dytëve. Ashtu si edhe për pronarët, shuma e ndarë nga buxheti i shtetit për dëmshpërblimin e të përndjekurve arrin në dy miliardë lekë. Fondi i përcaktuar për këtë kategori ka njohur ndryshime drastike nga viti në vit.
Ndryshe nga pronarët, fondi për dëmshpërblimin financiar të ish-të përndjekurve gjatë vitit 2010 ka njohur ulje në krahasim me vitin 2009. Gjatë vitit të shkuar, të përndjekurve i është përcaktuar një fond rreth 2.2 miliardë lekë, i cili në 2010 është reduktuar në 1.4 miliardë. Me buxhetin e ri, duket se qeveria ka menduar ta rrisë përsëri fondin për të përndjekurit duke e çuar atë në 2 miliardë lekë.
Ndarja e parave për secilën kategori bëhet sipas përcaktimeve të bëra në ligj. Institucionet që kanë nën ngarkim trajtimin e tyre, siç është Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pritet të fillojnë procedurat për shpërndarjen e parave pas fillimit të vitit të ri buxhetor. Paratë kalohen në një llogari bankare për të dyja kategoritë.
Berisha i pret paratë institucionit të Presidentit
“Lufta e Ftohtë” mes mazhorancës dhe presidentit është reflektuar edhe në hartimin e buxhetit të shtetit për vitin 2011. Teksa ka rritur fondet për pjesën më të madhe të ministrive, qeveria Berisha ka ulur fondet për institucionet e Presidencës dhe Avokatit të Popullit. Këtë institucion mazhoranca ia ofroi para dy ditësh opozitës por ajo e refuzoi.
Nëse gjatë këtij viti institucioni i drejtuar nga ish-nënkryetari i partisë në pushtet, ka marrë rreth 201 milionë lekë, për 2011-n atij do t’i duhet të fillojë “dietën”. Deri në fund të vitit 2011, Presidenca do të ketë në dispozicion të saj 168 milionë lekë, ose 32 milionë lekë më pak se shuma që i ishte parashikuar për vitin 2010. Nga ana tjetër, “pranvera” që po përjeton prej vitesh kryeparlamentarja Topalli me qeverinë është reflektuar me një shtesë buxheti prej 500 milionë lekësh.
Në buxhetin e vitit “pjesën e luanit” do ta marrë Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale. Megjithëse prioritet i qeverisë është shpallur ndërtimi i rrugëve, fondet më të mëdha në buxhetin e ri 2011 nuk do t’i marrë Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve. Janë plot 50.4 miliardë lekë që do të transferohen në llogari të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale gjatë vitit 2011.
Por pjesa më e madhe e këtyre parave, më shumë se gjysma, do të përdoret për subvencionimin e skemës së Sigurimeve Shoqërore, e cila nuk mban dot veten. Parashikohet që kjo skemë të subvencionohet me rreth 29 miliardë lekë. Pjesa tjetër e parave, rreth 20 miliardë lekë, do të përdoret për skemën e mbrojtjes sociale. Krahasuar me vitin aktual, buxheti i Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale ka pësuar një rritje me rreth 800 milionë lekë.
Ministria e Transportit renditet në vend të dytë për nga fondet e përfituara, me rreth 48 miliardë lekë. Nga këto, rreth 34.8 miliardë lekë do të përdoren për ndërtimin e rrugëve nacionale, ndërsa 9.3 miliardë lekë për ujësjellësit dhe kanalizimet. Krahasuar me buxhetin 2010, fondi për këtë ministri është rritur me rreth 6.3 miliardë lekë.
Rreth 40 miliardë lekë do të transferohen në llogari të Ministrisë së Arsimit, ku pjesën më të madhe të parave do ta përfitojë arsimi bazë, rreth 24 miliardë lekë. Arsimi i mesëm do të trajtohet me rreth shtatë miliardë lekë, ndërsa arsimi i lartë me rreth gjashtë miliardë lekë. Ministria e Arsimit ka përfituar rritje të moderuar me rreth 2.3 miliardë lekë për 2011 në raport me buxhetin e këtij viti.
Në listën e institucioneve që kanë marrë fondet më të mëdha, renditet edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila duhet të përmbyllë të gjithë projektet e saj me rreth 29 miliardë lekë. Ky fond ka pësuar një rritje me rreth katër miliardë lekë krahasuar me vitin 2010. Pjesën dërrmuese të fondeve e përfiton zëri i Shërbimit të Kujdesit Dytësor me rreth 17.6 miliardë lekë, ndërsa rreth nëntë miliardë lekë janë parashikuar për Shërbimin e Kujdesit Parësor.
Qeveria i ka shkurtuar fondet Ministrisë së Brendshme. Për vitin 2010 asaj i ishin parashikuar rreth 17 miliardë lekë, ndërsa për 2011-n ato janë ulur në 16.2 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e parave janë shkurtuar nga fondet e emergjencave civile, prefekturave dhe Shërbimeve të Gjendjeve Civile. Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë ka marrë një fond prej 6.4 miliardë lekë, rreth 600 milionë më shumë se nga ai i këtij viti, ndërsa Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka përfituar një fond prej 3.2 miliardë lekë ose një miliardë më shumë se përgjatë këtij viti.
Topallit i shtohen edhe 500 mln lekë
TIRANË – Kuvendi është institucioni në të cilin do të diskutohet më së shumti dhe do të miratohet buxheti i vitit 2011, prandaj edhe qeveria është treguar tepër “bujare” me të. Duket se shuma prej 800 milionë lekë e përcaktuar gjatë vitit 2010 për Kuvendin nuk i kanë mjaftuar atij për përmbylljen e vitit buxhetor. Nisur nga kjo, qeveria i ka shtuar fondit të institucionit të drejtuar nga Jozefina Topalli rreth 500 milionë lekë të tjera, duke e çuar shumën totale të parashikuar në buxhetin e vitit 2011 në rreth 1.3 miliardë lekë.
Kryeministri bën paqe me institucionet e pavarura
Ekzekutivi ka miratuar shtesë fondesh edhe për veten e tij. Kryeministria do të përfitojë rreth 17 milionë lekë më shumë gjatë vitit në vijim krahasuar me 2010-n. Institucion që ka marrë rritje fondesh është edhe Prokuroria e Përgjithshme. Në buxhetin 2010 këtij institucioni i ishin parashikuar rreth 1.2 miliardë lekë ndërsa gjatë këtij viti ato janë shtuar me rreth 500 milionë duke arritur në 1.7 miliardë. Rritje tepër të moderuar fondesh janë parashikuar edhe për Gjykatën Kushtetuse, me një ndryshim rreth një milion lekë krahasuar me vitin aktual. Ashtu si edhe Presidenca, edhe Ministria e Brendshme, Avokati i Popullit është një tjetër institucion që ka pësuar shkurtim fondesh. Gjatë vitit të ardhshëm, këtij institucioni do t’i duhet të ushtrojë aktivitet me një milion lekë më pak. Nga 85 milionë lekë që kishte në 2010, Avokati i Populli do të marrë në 2011 rreth 84 milionë lekë.
Ulet kompensimi i energjisë
Kur pritet sërish rritje e çmimit të energjisë elektrike, qeveria ul fondin për kompensimin e saj për familjet në nevojë. Të dhënat e pasqyruara në tabelat e buxhetit të vitit 2011 raportojnë për një fond prej 500 milionë lekë që do të përdoret për këtë qëllim, ndërkohë që gjatë këtij viti shuma e përdorur ka qenë rreth 150 milionë lekë më shumë. Fondi i kompensimit të energjisë elektrike iu shpërndahet kategorive të ndryshme të shoqërisë, kryesisht pensionistëve dhe familjeve të tjera në nevojë por reduktimi i tij përgjatë vitit 2011, në një kohë kur është aplikuar për rritjen e çmimit të energjisë do të shkaktojë jo pak probleme për ata që janë trajtuar deri më tani.
Buxheti i ri nis 47 mld lekë minus
Qeveria synon të përmbyllë vitin e ardhshëm me rreth 362 miliardë lekë të ardhura dhe 409 miliardë lekë shpenzime duke ruajtur njëkohësisht një deficit prej 3.5 për qind. Treguesit paraqiten disi më optimistë krahasuar me parashikimet e bëra në kuadrin makro-ekonomik 2011-2013 rreth gjashtë muaj më parë, ku të ardhurat ishin parashikuar rreth tre miliardë më pak ndërsa shpenzimet plot 10 miliardë më pak.
Ekzekutivi parashikon një deficit buxhetor prej 46.8 miliardë lekë, të cilin më së shumti pritet ta financojë me hua nga tregu vendas. Në lidhje me këtë, ekzekutivi i ka vendosur kufi vetes duke mos lejuar rritjen e deficitit më shumë se parashikimet. Në rast të mos realizimit të të ardhurave, pritet që qeveria të shkurtojë shpenzimet. Rishikimi i buxhetit në mes të vitit është periudha në të cilën bëhen rregullime të tilla.
Nga totali i të ardhurave prej 362 miliardë lekë, rreth 256 miliardë pritet të mblidhen nga tatimet dhe doganat ndërsa pjesa tjetër prej burimeve të tjera siç është pushteti lokal, fondet speciale, etj.
Për t’u theksuar është fakti se edhe përgjatë vitit 2011, qeveria do të vijojë të subvencionojë me fonde të konsiderueshme skemën e Sigurimeve Shoqërore. Me një buxhet total prej 79 miliardë lekë, kjo skemë do të subvencionohet me rreth 29 miliardë lekë nga paratë e buxhetit të shtetit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe gjatë viteve të shkuara, ku për këtë vit, skema e Sigurimeve Shoqërore ka marrë rreth 27 miliardë lekë financime direkte nga buxheti i shtetit.







