Bushati: Për herë të parë Komisioni Evropian certifikoi si mashtrues një kryeministër

0
46

Nga Bledar Lumani

Deputeti socialist, Ditmir Bushati, flet në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, vonesat që sollën përjashtimin e Shqipërisë nga grupi i parë i vendeve përfituese, për krizën politike dhe për akuzat që ngrihen ndaj tij nga qeveria

Zoti Bushati, mazhoranca aktuale shprehet optimiste për liberalizimin e vizave brenda pranverës së 2010-ës. Si një njeri që e keni ndjekur nga afër këtë proces, mendoni se kjo gjë do të ndodhë?

Që prej 2005-ës, ministrja e atëhershme e Integrimit Evropian, Arenca Trashani, u pati premtuar shqiptarëve se regjimi i vizave me hapësirën Schengen do të hiqej brenda vitit 2006, por, megjithëse kaluan disa vite, fillimviti 2010 i gjen shqiptarët më të rrethuar në raport me fqinjët, për shkak të dështimeve të qeverisë Berisha për të përmbushur në kohë standardet që lidhen me këtë proces. Qeverisë Berisha i ka munguar vullneti për të jetësuar dëshirën e shqiptarëve për të udhëtuar lirisht në Evropë, pasi të gjitha energjitë e saj janë të drejtuara te gara e ethshme për pasurim të pandershëm në kurriz të shoqërisë shqiptare. Megjithatë, falë angazhimit serioz të Bashkimit Evropian, sot nuk shtrohet më pyetja, nëse do të hiqet regjimi i vizave me Shqipërinë, por kur do të hiqet ky regjim. Me heqjen e regjimit të vizave nuk mund të abuzohet pafundësisht nga qeveria Berisha, që e la Shqipërinë të fundit në rajon. Në të kundërt, ky proces duhet të konsiderohet si një vullnet i qëndrueshëm i Bashkimit Evropian për t’u dhënë edhe shqiptarëve lirinë e munguar të lëvizjes. Ndaj, uroj e shpresoj që ëndrra e shqiptarëve për të udhëtuar lirisht në Evropë të jetësohet brenda këtij viti.

Ambasadori holandez në Tiranë tha pak ditë më parë se për liberalizimin e vizave duhen plotësuar disa kushte teknike. Cilat janë këto kushte që duhet të plotësojë qeveria shqiptare?

Standardet që duhen plotësuar grupohen në katër blloqe, që kanë të bëjnë me sigurinë e dokumenteve të identitetit, migracionin e paligjshëm dhe ri-pranimin, rendin dhe sigurinë publike, marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat e njeriut. Jo vetëm ambasadori holandez, por edhe një pjesë e nderuar e kolegëve të tij të akredituar në Tiranë i janë referuar treguesve konkretë, të cilët do të duhet të përmbusheshin nga qeveria Berisha. Në rast se i referohemi raporteve ndërkombëtare në fushën e korrupsionit, Transparency International ka konstatuar një përkeqësim të gjendjes. Shqipëria ka humbur 10 vende në renditjen globale, ndonëse vetë qeveria Berisha ka vendosur si kriter në luftën ndaj korrupsionit pikërisht renditjen në perceptimin ndaj këtij fenomeni.

Në fushat e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe trafikimit të qenieve njerëzore, vlerësimi i Komisionit Evropian në Progres-Raportin e botuar për Shqipërinë në tetor 2009 ishte shumë kritik, por realist. Të mos harrojmë se jemi një vend që, megjithëse kemi trokitur në dyert e Bashkimit Evropian, ky i fundit na kërkon të çrrënjosim kulturën e pandëshkueshmërisë. Shembulli më kuptimplotë i kulturës së pandëshkueshmërisë është qeveria Berisha, e cila ka në gjirin e saj disa imunitarë, të cilët i kanë bërë bisht drejtësisë për çështje gjyqësore si ajo e Gërdecit apo e segmentit Rrëshen-Kalimash. Opinioni publik nuk e ka të qartë se çfarë bëjnë e ku ndodhen sot drejtuesit e grupit hetimor të Prokurorisë së Përgjithshme për këto çështje. Por, nga ana tjetër, di se të akuzuarit kryesorë vazhdojnë e kapardisen në tryezën e qeverisë apo sallën e Kuvendit pa kurrfarë vrasje ndërgjegjeje. Për sa kohë nuk do të dalin para drejtësisë të gjithë personat që dyshohen se janë implikuar në këto çështje, ndërgjegjja dhe morali shoqëror do të jenë të cenuara.

Në këtë proces mendoni se do të ndikojë negativisht kriza politike, në të cilën ndodhet aktualisht vendi?

Dëshiroj të jem optimist e gjithnjë përpiqem të shoh dritën në fund të tunelit. Ende shpresoj se mazhoranca do të tregohet e përgjegjshme për të filluar një dialog të barabartë e të qenësishëm politik me opozitën, duke mundësuar një hetim të plotë mbi procesin e deformuar zgjedhor të 28 qershorit 2009, në përputhje me kërkesat tona legjitime e kushtetuese. Kjo do ta ndihmonte padyshim edhe procesin e liberalizimit të vizave dhe mbi të gjitha klimën politike e sociale në vend.

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi pak ditë më parë se Shqipëria ka qenë gjithmonë e fundit në rajon, dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe për liberalizimin e vizave. Si e konsideroni këtë deklaratë?

Natyrisht që unë bëj pjesë në atë shumicë dërrmuese qytetarësh që nuk ndjehen të përfaqësuar nga koalicioni PD-LSI, që do të thotë se nuk mund të pranojnë teza të tilla fataliste, të cilat në rastin më të mirë janë tregues i analizimit të ngjarjeve në mënyrë dritëshkurtër dhe në rastin më të keq synojnë të fshehin dështimet e qeverisë Berisha në procesin e liberalizimit të vizave. Ministri i Punëve të Jashtme nuk mund ta mohojë faktin se Shqipëria e filloi e para këtë proces, pikërisht në kohën kur vetë ai mbante të njëjtin post në qeverinë Nano. Ishte koha, kur Serbia kishte probleme të pazgjidhura ndërkombëtare, qoftë me kufijtë e saj, qoftë me përfaqësimin diplomatik në arenën ndërkombëtare. Ishte koha, kur flakët e konfliktit në Maqedoninë fqinje ishin prezente dhe ardhmëria e saj u vu seriozisht në pikëpyetje. Ishte koha, kur e ardhmja e Republikës fqinje të Malit të Zi do të varej nga referendumi popullor, që u mbikëqyr në mënyrë të posaçme nga komuniteti ndërkombëtar.

Gjithashtu, ministri i Punëve të Jashtme nuk mund të mohojë faktin se jemi i vetmi vend në rajon që si pjesë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit negociuam një nen dhe deklaratë të posaçme, që përcaktonte që në 2004 kriteret që duhet të plotësonte Shqipëria, në mënyrë që të përfitonim nga heqja e regjimit të vizave. Këto kritere u detajuan më tej në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave që iu dorëzua vendeve të rajonit në vitin 2008. Para se të bëhen deklarime të tilla fataliste, mendoj se çdo shtetar i përgjegjshëm do të duhej t’iu shpjegonte qytetarëve se përse Shqipëria nuk e mbylli dot këtë proces vitin e kaluar si Maqedonia, Serbia apo Mali i Zi. Është koha që të nxirren mësime e përgjegjësi nga dështimi i qeverisë në përmbushjen e standardeve të kërkuara për heqjen e vizave. Këto mësime e përgjegjësi do të na vlejnë edhe për procesin e aplikimit të Shqipërisë në BE dhe më pas gjatë procesit të aderimit. Trajtimi i të gjitha vendeve njësoj në një proces të vetëm, por duke shpërblyer ata që përmbushin standardet, është mënyra më e mirë për të nxitur përpjekjet kombëtare për të përmbushur kriteret e kërkuara të aderimit në BE.

A nuk ju duket ironik fakti që ministri i Jashtëm aktual, Ilir Meta, e ka cilësuar punën e paraardhësit të tij, Lulzim Basha, si shumë të mirë, ndërkohë që para zgjedhjeve të 28 qershorit e akuzonte për mosplotësimin e kushteve të vendosura nga ndërkombëtarët, por edhe për përfshirje në korrupsion në rrugën Durrës-Kukës?

Nuk është hera e parë që eksponentë të politikës shqiptare apo parti politike dëshmojnë qëndrime inkoherente apo diametralisht të kundërta për çështje të njëjta. Është i njohur qëndrimi radikal i LSI para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 në lidhje me atë që vetë ajo e quante “qeveria e Sali Gërdecit”. Të gjithëve na kujtohet retorika shpotitëse e LSI kundër Marrëveshjes për Kufirin Detar me Greqinë apo aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në BE, të cilin asokohe zoti Meta e quante një aplikim elektoral. Ndërsa sot në qeveri kjo retorikë e LSI është kthyer në një kahje 180 gradë për nga populli opozitar. Zoti Meta me qëndrimet e tij në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme po na konfirmon në mënyrë të pakthyeshme bindjen se politikën e jashtme e konsideron më tepër çështje forme sesa përmbajtjeje. Në vend të lajkave, që nuk mbulojnë dot dështimet e dukshme të paraardhësit të tij, që në shkelje të rregullave të shërbimit diplomatik e ktheu ketë të fundit në çifligun e oborrit të Sali Berishës, zoti Meta duhet të nxiste paraardhësin e tij që të dorëzohet pranë organeve të drejtësisë për t’i dhënë përgjigje aferës mega-korruptive Rrëshen-Kalimash.

Ju personalisht jeni akuzuar nga kryeministri Berisha se keni lobuar kundër liberalizimit të vizave, gjë që në fakt u hodh poshtë nga BE. Cila është e vërteta e këtyre akuzave?

Përgënjeshtrimet e Komisionit Evropian ndaj shpifjeve të Sali Berishës në adresën time kanë bërë të ndjehet keq çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike, pasi për herë të parë Komisioni Evropian certifikoi si mashtrues një kryeministër, vendi i të cilit po troket në dyert e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, mendoj se kjo është një surprizë e pakëndshme edhe për vetë BE, e cila ndër vite ka ditur si të përballet me kryetarë shtetesh autokratë, të korruptuar apo euroskeptikë, por së fundmi i duhet të përballet edhe me një mashtrues, tashmë të certifikuar.

Një gazetë gjermane bënte me dije para pak ditësh se Shqipëria nuk do të jetë pjesë e BE para vitit 2025. Ndërkohë, revista “The Economist” e shihte gjithashtu të largët anëtarësimin e Shqipërisë, Bosnjës dhe Kosovës në BE. Mendoni se është një kohë e gjatë apo Shqipëria do të bëhet pjesë e BE para kësaj periudhe?

Shqipëria ka një rrugë të gjatë për të bërë në procesin e transformimit dhe evropianizimit. Procesi i integrimit evropian duhet të konsiderohet si një projekt politik dhe jo si një proces i vështirë burokratik. Ky proces është një shembull i shkëlqyer i pushtetit të butë të BE. Të gjitha vendet vlerësohen mbi të njëjtat kritere, çka krijon një konkurrencë të shëndetshme midis vendeve pjesëmarrëse. Afatet janë të rëndësishme, pasi nxisin përpjekjet kombëtare për të realizuar reformat e domosdoshme, por mbi të gjitha ka rëndësi cilësia e reformave, të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Unë besoj se Shqipëria ka mundësi për të mos mbetur në vagonin e fundit të anëtarësimit në BE, sikundër mbeti në procesin e liberalizimit të vizave. Gjenerimi i një kulture të re politike e shtetformuese do ta ndihmonte shumë projektin politik të evropianizimit të Shqipërisë, i cili do të zhvillohet edhe pas momentit të aderimit në BE.

Ambasadori i KE, Lohan, i dorëzoi kryeministrit Berisha pyetësorin para pak javësh. Gjatë ceremonisë së dorëzimit, Lohan theksoi se përmbushja e kriterit politik nga ana e Shqipërisë do të ketë një rëndësi të posaçme në vlerësimin që do të bëjë Komisioni Evropian në lidhje me akordimin ose jo të statusit të vendit kandidat. Si e gjykoni kontekstin politik, në të cilin Shqipëria po i përgjigjet pyetësorit?

Është e vërtetë se pyetësori i jep rëndësi të veçantë përmbushjes së kritereve politike. Mirëqeverisja, shteti i së drejtës, reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, liria e medies, çështjet e të drejtave pronësore, do të jenë çështjet kyçe, të cilat do të formojnë thelbin e vlerësimit të Komisionit Evropian, e më pas gjykimit të shteteve anëtare të BE. Aktualisht është e vështirë që të injorosh krizën e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, që i ka rrënjët te shkelja e hapur e sistemit të garancive të sanksionuara në Kodin Zgjedhor nga ana e mazhorancës, e deri te kokëfortësia e saj për të mos lejuar një proces hetimi të plotë e transparent mbi kutitë e votimit të 28 qershorit 2009. Mosmiratimi i disa prej reformave që kërkojnë dialog e konsensus me opozitën dhe grupet e tjera të interesit vetëm sa e shtyn më tej krizën institucionale, duke dëshmuar mungesën e vullnetit të mazhorancës për ta çuar përpara këtë proces të rëndësishëm.

Ku do të përqendrohet aksioni politik i opozitës këtë fillim viti dhe a do të ketë veprime të tjera konkrete përveç protestave?

Do të intensifikojmë aksionin opozitar brenda hullive kushtetuese, duke u kthyer në zëdhënës të shqetësimeve të çdo shqiptari, për ta nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e krizës politike, ekonomike e institucionale, ku e ka zhytur Sali Berisha.

Emri juaj dhe disa përfaqësuesve të tjerë në PS është sulmuar nga kryeministri dhe mazhoranca si pinjollë të komunizmit. Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është shprehur se ju nuk jeni nga Shkodra. Cili është qëndrimi juaj për këto sulme dhe atë periudhë të historisë së Shqipërisë?

Kësaj pyetjeje dëshiroj t’i përgjigjem në dy plane. Në një plan të përgjithshëm mendoj se është fatkeqësi që edhe dy dekada nga shembja e komunizmit mendësitë staliniste ende sundojnë në diskursin politik shqiptar. Këto mendësi, që ushqehen nga i fundmi komunist që drejton një vend evropian si Shqipëria, reflektohen në sulmet dhe shpifjet banale të shkopinjve të mazhorancës, që penetrojnë pa kurrfarë droje edhe në jetën private të kundërshtarëve politikë. Komunizmi është shembur, por një proces dekomunistizimi, më së paku në jetën publike, është i nevojshëm edhe sot, pasi shpifjet personale dhe politika e intimidimit të kundërshtarit duhet t’ia lënë vendin tregut të ideve që çojnë para Shqipërinë. Në planin personal mund t’ju them se shembjen e komunizmit e kam përjetuar në një moshë fare të vogël, kur ndiqja shkollën tetëvjeçare.

Por mbaj mend që, sado periudhë e egër dhe represive që ishte, edhe asokohe shqiptarët mund t’i grupoje në “sojli” dhe “sojsëzë”, nëse do të huazoja një shprehje të Faik Konicës. Kam ardhur në jetë dhe jam edukuar nga dy prindër që vijnë nga dy prej familjeve më me traditë qytetare shkodrane (familja Bushati dhe Kopliku), me dashurinë për atdheun dhe i jam mirënjohës për çdo gjë që ata më kanë dhënë në jetë. Kushdo është i lutur të hulumtojë për këto familje, që kryqëzohen me familje të tjera qytetare shkodrane si Gjylbegu, Bilali, Vruzhi, Boriçi, Dërguti, Rroji, Barbullushi, Bakalli, Kazazi, Myftiaj, Llazani etj., për të kuptuar se paraardhësit e mi gjithnjë janë udhëhequr nga qëllime e projekte atdhetare në shërbim të kombit shqiptar. Do të ndihesha shumë i lumtur, në rast se, si pasues i këtyre familjeve, do ta çoja sadopak para traditën e tyre shumëshekullore në shërbim të Shqipërisë.