Prof. As. Dr. Artan Duka, 14.05.2010
“ARI” SHPIRTËROR
“Aksionet” e Lirisë, si aset i demokracisë, nuk kanë qenë kurrë të lira. Guximi për ta pohuar atë përballë shtetit monist, Lëvizja e Dhjetorit, manifestimet dhe grevat e panumërta në emër të saj me përkushtimin dhe sakrificat për të e kanë rritur së tepërmi vlerën e saj.
Duke bashkuar përtej çdo diversiteti, ajo është aseti që lartëson një komb, civilizimin perëndimor dhe garanton dinjitetin e çdonjërit prej nesh.
Sot, e shndërruar në “bursën” më të fundit të saj, tenda ku janë të ngujuar në një ekzistencë shpirtërore shqiptarë fisnikë, kurajozë dhe me integritet ka mbërthyer vëmendjen e gjithë shoqërisë e më tej në ankthin e të panjohurës së çmimit të lirisë së votës.
Të shndërruar në dishepuj të respektimit të saj, grevistët e urisë me ekstremitetin e ngërthyer, zhvlerësojnë çdo alibi që përballë moralit të lirisë së të vërtetës, e konsideron lirinë të mirëqenë dhe të garantuar përjetësisht.
KAUZË TEJPARTIAKE
Askush nuk do ta dëshironte një grevë urie dhe gjithkush do të uronte që të përfundonte një orë e më parë. Përfundimi i saj nuk mund të argumentohet me kritikën sesa ishte e përligjur përzgjedhja e saj si instrument apo se bie ndesh me procesin e liberalizimit të vizave që tashmë është konfirmuar si një proces teknik, por si marrje përgjegjësish për t’u fokusuar në kauzën e saj.
Pas 20-vjetësh të përqafimit të demokracisë, një qytetar i një vendi të NATO-s befasohet teksa transparenca e votës vihet ende në diskutim, duke provokuar një kauzë që duhet të ishte e tejkaluar me kohë.
Diçka stonon në filtrin dhe nivelin e ndjeshmërisë demokratike teksa mes nesh kemi ende koncepte dhe qasje aq të kundërta deri në absurd për diçka që duhet të ishte tashmë e gjithëpranuar, njëlloj si sistemi metrik, sepse na prek të gjithëve njëlloj.
Liria si koncept universal bashkues dhe jo ndarës, bën imeniente sfidën ndaj politikës dhe mbarë shoqërisë për t’u ballafaquar me kauzën e kësaj greve dhe sa më shpejt, sepse për lirinë jemi të gjithë në një barkë dhe ndonëse kemi qasje të ndryshme si mund ta përdorim atë, kemi nevojë të gjithë njësoj për frymën e saj.
Ajo njeh gjithnjë e më pak humbës dhe kërkohet gjithnjë e më shumë. Mision i pamundur do të ishte e kundërta.
“MARATONA” E LIRISË
Greva e urisë nuk mund të zgjasë pafund dhe nuk duhet lënë të ezaurohet deri në fund. Për një shoqëri demokratike ajo është “vija e kuqe” në termometrin e ndjeshmërisë demokratike dhe indiferenca, injorimi deri në karshillëk, veçse e rëndojnë më shumë situatën.
Kjo “maratonë” e sakrificës mund të ketë implikime në shëndetin njerëzor në çdo “kilometër” të saj ndaj për një shtet demokratik të NATO-s, nuk kemi nevojë për martirë të lirisë, por për burra shteti të saj.
Ndjeshmëria ndaj grevës së urisë është ndjeshmëri ndaj lirisë. Thjesht lançimi i saj duhet të shkundte vetëdijen e mbarë shoqërisë shqiptare për të dëshmuar ndjeshmërinë e duhur demokratike në rikonfirmimin e kësaj kauzë universale dhe iniciuar një katarsis demokratik të radhës.
Ndërsa mund të debatohet instrumenti, koha dhe vendi, askush nuk duhej të ngurronte të pohonte apriori mbështetjen për kauzën e saj tejpartiake që jo vetëm nuk bie ndesh me integrimin europian, por e konsolidon më shumë “dosjen” tonë, duke e pasuruar me ato vlera që e bëjnë Europën – Europë, për më shumë dinjitet në rrugën drejt saj.
LËMSHI QË DUHET TA ZGJIDHIM VETË
Përballë një situate absurde për Perëndimin, durimi i të cilit po ritestohet përsëri, ai jo rrallë adopton qasjen “kusi presioni” për një shoqëri në tension “perpetum” duke liruar kur dhe sa duan valvulën derisa t’i dorëzohemi lodhjes brenda saj.
Kjo humbje e radhës e dinjitetit përballë klubit të perëndimit, ndoshta mund të zhbëhet, nëse dëshmojnë se jemi në gjendje të marrim përgjegjësinë e menaxhimit të situatave absurde që kemi krijuar tashmë po vetë.
Nëse “gandizmi” duhet të jetë thelbi i veprimit opozitar, kjo duhet të paraprihet nga “lordizimi” i pushtetit përballë për të pohuar dhe mundësuar tejdukshmëri integrale zgjedhore, sepse tashmë zgjidhja e këtij rebusi ka dalë nga kuadri juridik për të qenë vullnet politik.
Shoqëria civile duhet të ushtrojë trysninë përkatëse dhe thirrjet publike të intelektualëve në emër të lirisë dhe shanseve për këtë vend, duhet t’i adresohen të gjitha palëve dhe në radhë të parë shumicës për të qenë realisht kontribuuese dhe larg çdo paragjykimi konformist.
Përtej refraktaritetit të deritanishëm, shumica ende ka mundësinë për të pohuar, pavarësisht implikimeve me konfliktin e interesit, dakordësinë me kauzën e leximit të votës dhe shtrirjen e dorës ndaj opozitës për modalitetet përkatëse.
Nëse shumica pranon se transparenca është esenciale për të garantuar mirëbesimin e opozitës, por sinqerisht beson se i ka duart e lidhura nga vendimet gjyqësore, atëherë të konsiderojë legjislacion by-pass apo në situatë pa zgjidhje të thërrasë deri zgjedhje të reja për të rikonfirmuar vetveten.
Duke respektuar lirinë, ajo do të konsolidonte kuotat e saj në tregun politik teksa dëshmon se është gati të sakrifikojë pushtetin për hir të saj. Nëse kjo nuk ndodh, greva e urisë nuk ia vlen më të testojë ndjeshmërinë e shumicës, por të Presidencës shqiptare dhe organizmave dhe kancelarive të huaja.
Presidenti nuk mund të presë derisa palët të bien dakord, sepse në këtë rast nuk do lindte më nevoja për të. Sa për faktorin ndërkombëtar, ndërsa opozita brenda vendit mendon se ka fituar terren në argumentimin e kauzës së saj në publik, duhet ende të lobojë për të sqaruar Perëndimin se ngërçi politik në Tiranë është për vlera që për ta janë aq të mirëqena deri në mosbesim se një shoqëri mund të ndahet në dysh në qëndrimin ndaj tyre.
Për të mos zhgënjyer më tej partnerët tanë, le të mos zhgënjejmë pafundësisht vetveten dhe meritën e zgjidhjes së kësaj krize politike t’ia njohim njëri-tjetrit, duke dëshmuar urtësi dhe tolerancë në emër të lirisë.