BURRI I SHTETIT, LULA, SULA DHE SALA

0
132


Andrea Stefani

Një kompliment i beftë diplomatik i ambasadorit amerikan në drejtim të Kryeministrit Sali Berisha, ka ngjallur debate mbi kuptimin e togfjalëshit “burrë shteti”. Sepse, pikërisht kështu e quajti ambasadori Arvizu të parin e qeverisë shqiptare kur ky u tërhoq nga iniciativa për të organizuar, si karshillëk ndaj opozitës, një antimiting si ata të organizuar së fundi nga Mubarak në Egjipt. Pas kësaj nisi debati: A është apo nuk është Berisha burrë shteti? Fanatikët e Berishës u hodhën në sulm: Ja, e tha edhe amerikani! Por, nuk është e para herë që “ndërkombëtarët” lëshojnë të tilla “dekorata” për të marrë me të mirë politikanët xanxarë shqiptarë.

Kështu kanë thënë dikur për Fatos Nanon, kur ky ra dakord të zgjedhë me konsensus President të Republikës, Alfred Moisiun. Po “burrë shteti” e dekoroi edhe ambasadori Uidhers liderin e socialistëve, Edi Ramën, kur ky u frenua të organizonte protesta të fuqishme pas shpërthimit tragjik në Gërdec. Dhe, po ta marrësh seriozisht këtë emulacion të çuditshëm të “ndërkombëtarëve”, i bie që Shqipëria të jetë drejtuar në këto 20 vjet nga burra të vërtetë shteti. Pas kësaj, nuk mund të mos burojë natyrshëm pyetja: Si shpjegohet atëherë që punët e shtetit shqiptar shkojnë pafundësisht kaq keq?

* * *

Dikush mund të përgjigjet, aty për aty se, në Shqipëri ka “burra shteti”, por punët shkojnë keq e mos më keq, sepse institucionet e shtetit janë të dobëta dhe të korruptuara. I përkas atyre njerëzve që besojnë se e ardhmja më e mirë e një shoqërie përgatitet nga institucionet e lirisë dhe drejtësisë. Por thënë këtë, nuk mund të mos pyesësh përsëri: Atëherë, cili është roli i “burrave të shtetit”? Janë dy opsionet në përgjigje të kësaj pyetjeje: Burrat e shtetit ose i mbysin ose i fuqizojnë institucionet e drejtësisë dhe lirisë. Ata që i mbysin janë burra shteti që priren nga sundimi. Ndërsa ata që investohen për fuqizimin e institucioneve që e bëjnë njeriun të ndihet i lirë në shtetin e tij, janë burra shteti të dedikuar ndaj lirisë dhe demokracisë.

Prandaj, të thuash se një politikan është “burrë shteti” nuk ke thënë asgjë. Sepse, nuk mund të mos jetë burrë shteti një person të cilit i është dhënë mandati për të kontribuar në qeverisjen e punëve të shtetit. Prandaj, çështja është të zhbirilosh dhe të thuash hapur se çfarë lloj burri shteti është. Për shembull, të zhbirilosh se çfarë burrash shteti janë Sali Berisha dhe Fatos Nano, që kanë qenë në krye të punëve të shtetit në këto 20 vjet. Dhe, nuk është aspak vështirë ta bësh një gjë të tillë. Është vetë gjendja e institucioneve dhe e punëve të shtetit që flet. Si është, për shembull, pushteti i drejtësisë?

Më i korruptuar nuk bëhet, i skllavëruar dhe i kapur nga politika dhe lloj-lloj interesash të pista sa nuk bëhet. Rasti i fundit i zvarritjes deri në dështim i gjykimit të fajtorëve të tragjedisë së Gërdecit, ulërin thekshëm triumfin e padrejtësisë. Gjithkush e sheh, por pak e thonë se drejtësia në Shqipëri nuk është e lirë të japë drejtësi dhe se “shteti ligjor” është thjesht një slogan demagogjik për të maskuar mungesën e shtetit. Shqipëria është sot “shteti” i padrejtësisë ekstreme. Po ç’lidhje ka kjo me “burrat e shtetit” Sali Berisha dhe Fatos Nano? Sa bëjmë këtë pyetje na vijnë ndërmend të gjitha aksionet e Berishës, që në nisje të tranzicionit, kundër një zinxhiri kryeprokurorësh si dhe kundër të gjitha shkallëve të gjyqësorit.

Na vjen ndërmend ‘kursi i plepave’ që përgatiti gjyqtarë berishistë si kuaj Troje të politikës kundër lirisë së gjyqësorit brenda gjyqësorit. Kujtoni se edhe Nano, ndonëse jo aq agresiv sa Berisha, kujdesej ta kontrollonte më “butësisht” drejtësinë. Dhe drejtësia është sot kaq e padrejtë dhe kaq e korruptuar (në fakt, rrënja e shumë të këqijave që po vuajnë e do vuajnë shqiptarët), pikërisht në sajë të këtij investimi shkatërrimtar, të pavarësisë së saj nga liderë të tipit Berisha e Nano. Një drejtësi e kontrolluar nga qeveritë dhe politika nuk është drejtësi. Me një drejtësi të tillë, shteti, në fakt është pa drejtësi. Dhe, lënia e shtetit pa pushtetin e drejtësisë, lënia e demokracisë pa drejtësi, rrezikon sot ta lërë Shqipërinë edhe pa liri.

Aktualisht, sabotimi i drejtësisë është në sinkron të plotë me ambicien e Berishës për ta sunduar Shqipërinë. Se aty ku nuk ka drejtësi, nuk mund të ketë liri. Pra, Berisha është një burrë shteti, por një burrë shteti që gropos institucionet e drejtësisë dhe lirisë për të lartësuar kultin e tij të sundimit. “Sala” është burrë shteti si të gjithë diktatorët, si për shembull Luc Kornel, Sula i Romës apo Enveri Tiranës. Por, pas rënies së diktaturës, pas robërisë, Shqipëria kishte nevojë për të tjerë burra shteti. Për ata që janë të dedikuar ndaj lirisë dhe të drejtave të qytetarit, që janë të dedikuar ndaj institucioneve që mundësojnë dhe mbrojnë këto liri dhe të drejta.

I tillë burrë shteti ishte Xhorxh Uashingtoni, që nuk pranoi një mandat të tretë, që mposhti etjen për pushtet për të shndërruar në traditë rotacionin e një pushteti që nuk duhet të zgjasë më shumë se 8 vjet. Pse? Sepse, qe e rrezikshme për demokracinë. Demokracia amerikane do kishte vdekur me kohë nëse Uashingtoni do kishte këmbëngulur të qëndronte më gjatë në pushtet. Ky Berisha ynë bën krejt të kundërtën. Ai mburret se do qëndrojë në pushtet edhe 30 vjet! Një mburrje që e largon nga Uashingtoni dhe e afron me një tip të kundërt burrash shteti, me ata që aspirojnë pushtet të pakufi, jo vetëm në hapësirën e shtetit, por edhe në kohë. Berisha është një burrë shteti, ambicia despotike e të cilit i kundërvihet hapur aspiratës për liri e demokraci në Shqipëri.

* * *

Shqipërisë i duhej një burrë shteti si Nehru, Kryeministri i Indisë pas largimit të britanikëve. Sepse, Nehru qe një politikan që e kishte të shenjtë pavarësinë e gjykatave. Ai pranonte të humbte në gjykatë edhe çështje që mund t’i kushtonin politikisht sesa të bënte presion mbi to. Prandaj India, edhe pse e varfër, edhe pse pa ndonjë pluralizëm politik dinamik, arriti të shndërrohet, nën qeverisjen e Nehru, në një nga demokracitë më të mëdha në botë.

Është e kotë të japim argumente për atë presion të llahtarshëm që Berisha dhe pushteti i tij kanë ushtruar mbi gjykatat, për t’i penguar të shqiptojnë të vërtetat që penalizonin qeverisjen dhe bashkëpunëtorët e tij. Edhe vetë “ndërkombëtarët” kanë ndërhyrë, si përherë në emër të “stabilitetit”, që drejtësia të mos penalizojë Berishën për ngjarjet e vitit ’97 apo për puçin e armatosur të shtatorit ’98. Prandaj, drejtësia është kaq e kalbur sot. Sepse, Shqipërisë i duhej një burrë shteti si Lula da Siva, që në 8 vjet e ktheu shoqërinë braziliane, nga më të polarizuarat nga varfëria, në një shoqëri me një shtresë të mesme në zgjerim të paparë.

Një lider që edhe pse i mbështetur në fund të mandatit të dytë nga mbi 80 për qind e elektoratit brazilian, refuzoi të marrë një mandat të tretë qeverisës vetëm dhe vetëm për të fuqizuar traditën e rotacionit demokratik. Shqipëria nuk pati liderë të tillë, prandaj është ende kjo që është, vendi ynë i dashur dhe ende i mbetur i bukur për nga natyra, por edhe shteti më pa shtet në Europë, shteti më pa drejtësi dhe më me shumë varfëri e kaos. Po, Sali Berisha është një burrë shteti. Por, çfarë burri shteti? E gjen lehtë. Mjafton të shikosh gjendjen e mjerë të shtetit, të njerëzve dhe institucioneve.