Burrë dhe grua, ferri i njëri-tjetrit

0
129

Antikrisht i Lars von Trier

Mimoza Dino, 15.02.2010

“Antikrisht” i Lars von Trier është një film aq i mirë ose i keq, sa të mos e harrosh kurrë.
Është nga ata lloj filmash që më mirë t’i përjetosh, sesa t’i tregosh e shpjegosh. Ta shikosh duke u përpjekur që të mbetesh neutral dhe i distancuar nga dhuna dhe agresiviteti

Bruksel
“Antichrist” është një film horror psikologjik, i shkruar nga regjisori danez Lars von Trier, i prezantuar për herë të parë në edicionin e 62-të të Festivalit të Filmit Kanë 2009. Prej mëse një viti kemi dëgjuar zhurmën e kritikës kinematografike botërore rreth këtij filmi kontroversal dhe provokues. Lars Von Trier, përkundrazi u paraqit më i inkurajuar më shumë se më parë. Me von Trier në krye, “Antikrishti” është një film sfidues, që nuk i përmbahet konvencioneve të kinemasë apo fesë.

Qysh nga shfaqja e tij e parë u përhap menjëherë një furtunë kritikash dhe zemërate për horrorin e pakompromis psikologjik, misogjininë, seksin violent eksplicit dhe gjymtimet seksuale, të portretizuara grafikisht dhe të paraqitura në këtë film deri me detaje pornografike. E vetmja gjë për të cilën u shpreh pozitivisht kritika ishte ana vizuale, stilizimi grafik e fotografia sublime.

Vetëm dy aktorë popullojnë hapësirën e këtij thrilleri surrealist, aktorët Charlotte Gainsbourg, e cila fitoi çmimin e Aktores më të Mirë në Festivalin e Kanës dhe Willem Dafoe, të cilët luajnë përkatësisht rolin e Ajo dhe Ai. Në emër të një simbolike të fuqishme, Lars von Trier, preferon t’i lërë personazhet e tij anonimë.

Dy yjeve të kinemasë botërore u duhet të vihen në rolin e vështirë të një çifti që përpiqet me seks të dhunshëm të dominojnë dhimbjen dhe trishtimin që lë pas humbja e fëmijës së tyre të vetëm, duke jetuar të izoluar në një barakë në mes të një pylli, në përpjekje për të përpunuar zinë dhe depresionin. Por në pyll ata do të ballafaqohen me Satanajt, me forcat e këqija dhe instinktin e violencës dhe të vdekjes, që ngrenë krye dhe i shpien në kufijtë ekstremë të dramës njerëzore.

Prologu i “Antikrishtit” është një meditim i kombinuar me borën, kur çifti anonim, Ai dhe Ajo harrohen në seks pasionant, ndërkohë që fëmija e tyre i vetëm vdes aksidentalisht. Sa cinike deri në mizori, kur skena e seksit dhe e klimaksit të kënaqësisë seksuale jepet paralel me rënien nga dritarja të fëmijës paraqitur në slow-motion.

Notat e trishtuara e dramatike ja pasuron skenës dhe gjithë filmit muzika emfatike e Handelit, që është dhe tema kryesore muzikale e filmit, aria “Lascia ch’io pranga” nga opera “Rinaldo” e Handelit.

E paaftë ta përpunojë dëshpërimin për humbjen e fëmijës, Ajo çmendet. Mbas disa javësh trajtimi në spital, i shoqi i saj e këshillon të braktisë terapinë dhe i propozon të bëhet ai vetë terapisti i saj.

Kundër këshillës së mjekëve të saj trajtues, ajo i bindet dhe beson te aftësitë terapeutike të partnerit të vet, braktis terapinë dhe i përgjigjet propozimit të tij për të shkuar të dy në një barakë druri të izoluar në mes të një pylli, pikërisht atje ku Ajo kish kaluar pushimet një vit më parë me djalin e saj.

Dafoe, në rolin e terapistit përpiqet ta ndihmojë gruan e tij të gjejë ekuilibrin shpirtëror dhe emocional, duke e dominuar dhimbjen e dëshpërimin dhe duke e këshilluar atë të heqë dorë nga medikamentet e rënda, që dukeshin se e mbanin në ekuilibër për disa javë mbas vdekjes së të birit.

Vendi ku ata izolohen në pyll quhet Eden, ku Ajo verimin e kaluar kish punuar dhe shkruar për mbrojtjen e një teme mbi “Magjinë dhe gendercidin mesjetar”, gjë e cila ja kish rritur besimin se gruaja brenda saj ka diçka prej demoni.

Duke kaluar nëpërmjet një procesi të vështirë të përpunimit të dëshpërimit dhe katharsis deri në kufijtë e depresionit, me gjithë kujdesin terapeutik dhe seancat e psikoterapisë që i zhvillon partneri i vet, Ajo (Ch.Gainsbourg) humbet kontrollin e senseve.

Abuzimet seksuale që ja nënshtron ajo vetes dhe bashkëshortit të saj janë shokuese për publikun. Duke parë reagimet e saj ekstreme dhe taktikat terapeutike të partnerit të saj bëhen më agresive, saqë nuk funksionojnë më.

Kundrejt këtij agresiviteti Ajo sundohet më keq nga një frikë maniakale, deri në atë masë saqë mendon se partneri i vet don ta braktis. Nga terrori dhe frika e braktisjes ajo sundohet nga démonët dhe në kulmin e dëshpërimit e godet partnerin e vet me një bllok druri te testikujt, ai bie pa ndjenja, dhe ajo e obsesionuar masturbon organin e tij, ndërsa ai ejakulon gjak në vend të spermës që përplaset në fytyrën e bluzën e saj.

Pikënisja e filmit është ekstremisht sentimentale, por trajtimi i tij më tej, violent i skajshëm. Asgjë s’ka racionale filmi, gjithçka mban vulën e një fantazie të rëndë gati patologjike e delirante. Personazhet i bën të përjetojnë gjendje shpirtërore e mentale ekstreme përtej fantazisë njerëzore dhe i vë përballë njëri-tjetrit si dy armiq, që u duhet të luftojnë për të mbijetuar nga dhuna mentale dhe fizike që ushtron secili ndaj partnerit të vet.

Në një shënim produksioni për “Antikrishtin” regjisori ka thënë se filmi ishte një lloj terapie për depresionin që Lars von Trier pati kaluar vetë dy vjet më parë. “S’mund të ofroj falje për “Antikrishtin”, përveç besimit tim absolut te ky film, si filmi më i rëndësishëm i gjithë karrierës sime.”

“Antikrishti” pretendon të ndjekë logjikën e një filmi horror, kur kamera tërhiqet zvarrë në qoshe të errëta, kur befas fluturojnë mbi kokë shpendë bizar, shoqëruar nga një mister dhe frikë lynch-iane. Por ky është ndoshta filmi horror më atipik.

Ai dhe Ajo pushojnë së qëni karaktere dhe kthehen në avatarë, duke përndjekur njëri-tjetrin në mënyrë obsesive dhe brutalisht.
Fantazia e sëmurë e Lars Von Trier i jep në dorë Asaj një palë gërshërë të mëdha të ndryshkura dhe e vë të kryejë një akt thuajse kirurgjikal makabër mbi organin e vet gjenital.

Është kjo revolta ekstreme e femrës për seksualitetin e saj fatal, apo fantazia ekstreme dhe misogjinia e Lars Von Trier-it, që do ta denigrojë figurën e femrës deri në atë mase që ta vërë protagonisten të hakmerret ndaj vetvetes dhe partnerit të saj?

Këtu dëshpërimi kalon pikën e ngopjes në një masë thuajse të patolerueshme. Çfarë ndodh në film është e dhimbshme të përshkruhet dhe aq më tepër e dhimbshme për t’u shikuar. Nga gjendja ekstreme psikologjike dhe mazohizmi mund të themi se i përngjan filmit tjetër po aq kontroversial të Michel Hanneke “Mësuesja e pianos” (2001).

“Antikrishti” është platforma ku shpalosen thellësitë misterioze të natyrës njerëzore në gjithë ekstremitetin e vet, seksualitet violent, vdekje, zi, izolim, trishtim, shpresë, dhimbje e skajshme, urrejtje deri në sadizëm marrëdhënie anormale. Personazhet sundohen e priren nga instinkti dhe jo nga arsyeja.

Filmi e ka marrë titullin nga “Antikrishti” i Niçes (1895), një kopje të të cilit von Trier ka pohuar se e ka mbajtur në raftin e tij të librave qysh kur ishte 12 vjeç.

Filmi është i zhytur në një dëshpërim absolut, në një mizerie që buron nga errësira në mendjen e Lars von Trier. Ai e portretizon izolimin e zisë të çiftit me kaq pak mëshirë. Burri dhe gruaja e kapërcejnë kufirin dhe përtej tij ka vetëm kaos, për të cilin nuk gjen më shpjegim as mjekësia, as arsyeja, dhe as morali modern.

Zona në të cilën çifti përpiqet të mbijetojë është e egër, gati biblike që krijon një univers të frikshëm dhe ku natyra është e përshkruar si të ishte “Kisha e Satanait”. Është diçka më shumë se apokaliptike, kur në gojën e një dhelpre vihen fjalët “kaosi sundon”, ku nga historia dihet që njerëzimi ka besuar se kafshët flasin dhe se janë rrëfyesit e së vërtetës. Lars von Trier pikturon portretin misogjinist violent të marrëdhënieve midis burrit dhe gruas.

Armiku i von Trierit nuk është aq konservatorizmi, sesa liberalizmi. Bota e tij është e mbushur me krizë dhe britma. Është një botë ku e ardhmja nuk do të shërohet kurrë nga të këqijat e së tashmes.

Është një botë e populluar nga burri dhe gruaja reciprokisht dhe përjetësisht destruktivë.
“Nuk kam ç’të shpjegoj. Kur bëj një film, nuk mendoj për audiencën. Nuk më intereson asgjë tjetër.

Unë bëj filma për veten time.” Kjo ishte përgjigjja e Lars von Trier-it, kur u pyet për filmin e tij horror nga ana më e dëshpëruar dhe e zhgënjyer e kritikës. Nuk ishte qëllimi i tij kurrkund, ai bëri një film që donte ta bënte, dhe s’ndjehet fajtor për t’ju justifikuar kritikës. Do të kish preferuar më mirë të përfaqësonte figurën e një artisti që vuan, sesa të një të munduri që shfajësohet.

Por von Trier aludon se ishte esenciale që filmin ta përshkruante një ndjenjë integrale realiste për çka po përpiqej të bënte. Dhe sipas tij, do të kish qenë gënjeshtër po të portretizonte një film të tillë e të eksploronte një temë të tillë pa përdorur një dozë të bollshme dhune dhe seksualiteti ekstrem.

“Dhe aktorja kaloi në ekstrem dhe u tregua eksesive me lojën e saj, shkoi më larg se detyra e saj. Unë u përpoqa, por nuk munda ta ndalë”, është shprehur ai.
Gjithashtu shkaktoi reaksion te shumë shikues fakti që regjisori ia përkushton filmin regjisorit të famshëm rus Andrei Tarkovsky, tendencat e theksuara të të cilit ndjehen te trajtimi biblik dhe hipnoza e imazhit.

Por njëherësh për ta estetizuar dramën, von Trier dhe fotografi i filmit kanë punuar në mënyrë të spikatur që nga shot-i i parë deri i fundit, duke u kujdesur për imazhe grafike të një bukurie thuajse biblike. Lars von Trier e shkrin protagonisten (Gainsbourg) me tokën si një element integral të pyllit, e shëtit nëpër pyll si një kufomë fantomatike, duke e bërë pjesë të materializuar të peizazhit.

Filmi të intrigon dhe trazon më shumë sesa të pëlqen. Lars von Trier krijoi nga dyshimet e thella dhe mendimet e tij të errëta, një film kaq të dëshpëruar dhe kaq ekstrem në të keqen e tij. Ai sfidon gjithë kritikat dhe shpjegimet po në të njëjtën masë. “Antikrisht” është një film që të bën të meditosh dhe është aq i mirë ose i keq, sa të mos e harrosh kurrë.

Është nga ata lloj filmash që më mirë t’i përjetosh, sesa t’i tregosh e shpjegosh. Ta shikosh duke u përpjekur që të mbetesh neutral dhe i distancuar nga dhuna dhe agresiviteti, pa u implikuar dhe afektuar emocionalisht. Në rastin e këtij filmi do të më pëlqente të ndjehesha e të mbetesha thjesht konsumatore e imazhit, sesa e dhunë dhe botës neurotike e delirante të Lars von Trierit.