Nga Ulsi Manja
Dje në bankën e gjykimit të Kolegjit Zgjedhor ishte “vota e lirë”, ishte vota ime, tëndja, e Presidentit të Republikës, e 250 mijë qytetarëve të Tiranës, ishte vota e lirë e të gjithë shqiptarëve dhe në vend të drejtësisë për votën Kolegji zgjodhi audiencën me autorin e krimit elektoral që ndoshta kishte paguar për ta ridënuar përsëri votën e lirë.
Dje Sashenka e Kolegjit na dënoi të gjithëve me burg, njëlloj siç ka dënuar qindra të pandehur që nuk kanë pasur mundësi ta blejnë lirinë e tyre në një vend si ky i joni ku gjithçka shitet e blihet.
Ne u dënuam se nuk pranuam ta njollosim lirinë tonë, ne u dënuam se nuk dëshironim ta këmbenim lirinë e votës tonë me një krim tjetër më të rëndë se sa ai që kreu Ristani me shokë edhe pse këtë e kërkonte Sashenka dhe e dëshironin ata që rrinë pas saj: ne u dënuam se nuk mund të bënim pazar me votën e lirë prandaj sot me vendimin që dha Sashenka jemi më të lirë se kurrë; ne jemi të fituarit e mëdhenj të kësaj beteje ligjore edhe pse ata që u bashkuan me Sashenkën mendojnë se na kanë mbyllur përjetësisht në kutitë e shqyera të KQZ.
Sa më i madh të jetë shtrëngimi, aq më e madhe është dëshira për liri –thotë Sartri ndaj ne dje edhe pse shtrenjtë, fituam të drejtën për të vazhduar luftën tonë të përbashkët dhe të pandërprerë për lirinë e votës.
Nëse Sashenka ka menduar dje se ka gjykuar thjesht një karrige të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe jo votën e lirë apo lirinë e votës tonë, ka gabuar rëndë cilido të jetë trofeu që ka marrë si shpërblim nga armiqtë e votës së lirë.
Nëse Sashenka ka menduar të dënojë votën tonë të lirë, dje ajo dhe ata kanë dënuar përgjithnjë lirinë e tyre me damkën e turpit të historisë; dje ajo dhe ata kanë dënuar përgjithnjë votën e tyre e cila kurrë nuk ka për tu hedhur bashkë me votat tona në kutitë e lirisë që ne të gjithë bashkë do t’i çlirojmë një ditë nga kthetrat e një pushteti të vjedhur.
Unë, 250 mijë qytetarët e Tiranës dhe miliona shqiptarë të ndershëm që e duam demokracinë dhe lirinë tonë si besimin tek Zoti ndoshta jemi me fat që vota jonë nuk u damkos nga pazari i ndyrë i atyre orëve të turpit që shoqëruan vendimin e Sashenkës nëpër zyrat e pushtetit deri në shpalljen e tij .
Ora 10 e datës 8 korrik 2011 do të mbahet mend gjatë në kujtesën e lirisë së shqiptarëve si ora kur sistemi demokratik u godit në zemrën e vet, tek vota e lirë, por fatmirësisht nuk e rrëzuan dot për tokë.
Vota e lirë dje ka dalë më të fortë nga ajo sallë gjyqi edhe pse Sashenka kujtoi se e goditi fort, por grushtet e saj nuk bëjnë më dëm sepse janë grushtet e një njeriu shoqet e të cilës janë në azil ose duke bërë thashetheme në lulishten e lagjes.
Vota e lirë dje fitoi edhe pse Sashenka mendoi se e burgosi; dje edhe ne fanatikët e votës së lirë fituam ringritjen tonë sepse prekëm fundin e padrejtësisë; ne dje fituam sepse përdhosjen e votës së lirë nuk e mbulon dot dy gishta letër e firmosur nga Sashenka me vulë gjykate kur të gjithë janë ngritur dhe kërkojnë lirinë e tyre.
Dje Sashenka theu përkohësisht akrepat e lirisë së Tiranës por jo zemrekun e saj; Tirana dhe Shqipëria do të ringrihen më të zonja se ç’janë nga forca e lirisë së votës për të cilën na duhet të luftojmë kudo dhe kundër të gjithëve edhe kundër atyre të huajve që në emër të stabilitetit fallso fërkojnë duart sa herë që pushteti dënon votën e lirë të shqiptarëve për të cilën është derdhur gjak 50 vjet me radhë dhe plagët nuk po shërohen akoma.
Burgosja nuk ka më vend tek vota e lirë e shqiptarëve sepse këtë e provoi edhe Enver Hoxha; taborri i pushtetit të votave të vjedhura ku bën pjesë edhe Sashenka nuk besoj se janë aq naivë sa të mos e kuptojnë vendimin e djeshëm si vendim lirie për të gjithë ata që punojnë e luftojnë për votën e lirë në rast se besojnë ndryshe ai nuk është gjë tjetër veçse vendimi me të cilin ata kanë burgosur vetveten. Koha do të jetë dëshmitari i drejtësisë së kauzës tonë të madhe.







