BUKURIE BUSHATI: “LIBRAT E MI I KAM SI GISHTAT E DORËS…”

0
49

(Autore e disa romaneve, me tematikë të mprehtë shoqërore)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

1. Dëshiroj, mike krijuese Bukurie, që bisedën tonë ta nisim, me zbulimin e një “sekreti”, për lexuesit tanë…Pra, ku dhe kur do ta përurosh romanin, me titullin interesant, “Prostitutë më bëri nëna”? Dhe, shkurtimisht, cila është përmbajtja kryesore e tij?
-Romani, “Prostitutë më bëri nëna”, do të përurohet më datën 7 nëntor 2015, ora 17.00, te Ak. Art Gallery, në Tiranë. Përurimi organizohet në prag të çeljes së Panairit vjetor të Librit, “Tirana-2015”.
Është titull intrigues, që mban brënda vetes një akuzë tronditëse, të një fëmije, ndaj nënës. Them kështu, sepse nëna është hyjnesha, që sjell jetën në tokë, e mëkon dhe e pagëzon me qumështin e saj. Por, në pjesën e pasme të ballinës kam shkruar, si plotësim të këtij titulli tronditës: “Çdo femër mund të sjellë një fëmijë në jetë, por jo gjithkush mund të bëhet nënë!?”.
Ideja për këtë libër, më lindi teksa dëgjova një incest në vendlindje, më pas edhe një tjetër. Jo se nuk i dëgjojmë këndej, ku jetojmë, jashtë Shqipërisë. Me ta dëgjuar këtë gjë, mendova se duhej ta shkruaja këtë roman, edhe pse të shkurtër, për të thyer atë tabu, se: “Rrobat intime lahen e ndehen brenda shtëpisë”. Sepse dëgjoja që flisnin, për një rast të tillë, se duhej të mbyllej goja, të mos hapeshin fjalë, që e mbulonte turpi familjen, me gjithë farefisin! Por kjo nuk është “rrobë intime”, që duhet larë e nderë në shtëpi. Kjo është një ndyrësirë, që duhet të demaskohet sa më shpejt dhe të hidhet në koshin e plehërave. Vetëm kështu do të jetë e pastër marëdhënia në familje, në këtë drejtim dhe të jenë të sigurtë fëmijët, në rritjen e tyre.
E kam hapur librin me një poezi, ku shprehi zemërimin tim dhe i bashkohem akuzës së kësaj vajze, kundër prindërve jo të merituar për të qenë të tillë. Po kështu, kundër tutorëve të seksit të shitur, shoqërisë që mbyllë sytë para kësaj plage dhe kundër shtetit, që nuk funksionon.
Në këtë libër njihemi me dhimbjen e një fëmije-prostitutë të detyruar, dhimbje që e mbështjell autorin dhe nuk e len të qetë, deri në shkronjën e fundit, ku shumë i revoltuar, ai i bashkohet protestës së vajzës së braktisur.
Në libër, kam pëdorur shpesh monologun e kësaj vajze, përballë pasqyrave, që filmonin seksin e shitur, dëshmitareve të heshtura, që shkruanin çdo çast skenarin e jetës së saj të dhimbëshme dhe që e shoqëruan deri kur, të thyera, grimcat e tyre e përpinë viktimën, përfundimisht!
2.Siç kam vërejtur edhe në skedarin e Bibliotekës Kombëtare, në Tiranë, ke botuar edhe disa libra të tjerë…Cilët janë ata dhe çfarë mund të tregosh për tematikën e tyre?
-Deri tani, kam botuar 5 romane. ”Pafajësi nëne”(shqip e italisht) tregon për rrëmbimin e fëmijës së porsalindur nga e ëma, duke i thënë se e kishte lindur të vdekur dhe e kishte shitur në Itali?!… Kjo “nënë luaneshë”, siç e kam quajtur edhe Luana, lufton deri në minutën e fundit për ta patur një herë në krahë fëmijën e saj. Por ja që jeta ka të papriturat e veta…
Më pas, kam shkruar romanin “Borjona”(Tiranë, 2011). Tematika sillet rreth një gabimi të bërë nga bluzet e bardha, në ngatërrimin e dy fëmijëve, që fati i përplas në familje të ndryshme. Po kështu tregohet se si ky gabim bëhet shkak i grindjeve, që mund të çonin në shkatërrimin e jetës së një çifti…
Në romanin tjetër (Tiranë, 2012), personazhi kryesor është Arta, nga e cila ka marrë edhe titullin tërë libri. Është një vajzë studente e ardhur në moshë të vogël nga Peshkopia. Asaj i duhet të përballet me pasojat e një krize depresive të të atit, emigrant në Greqi dhe të keqtrajtuar. Kjo vajzë, që arrin të shkojë në universitet për ekonomi, i vë shpatullat familjes dhe më pas i bëhet mbështetëse dhe mike e mirë të atit, për ta gjetur djalin dukagjinas, të humbur në shtetin fqinj. Ajo ia mban fjalën nënës dukagjinase, se do t’ia gjente të birin dhe ia arrin asaj, gjë të nuk ia arriti dot të bënin organet përgjegjëse të shtetit. Peshë e rëndë për shpatullat e një studenteje, por që unë e ndiqja me dashuri në secilin hap që bënte, në çdo rritje të karakterit të saj. Më në fund, ndjeva kënaqësi të përligjur, se isha pikërisht unë, ajo që ia hodha kupertën supeve, asaj studenteje të lodhur.

“Enigma ime, Lira”(Tiranë, 2014) ishte romani, që nxora para një viti. Dua të them shkurt këtu, se si më lindi ideja e kësaj vepre letrare. Një mbrëmje, isha ulur me motrat, duke ngrënë akullore, te “Brryli”, siç i thonë në Durrës. Na vjen pranë një djalë rreth 11-vjeçar, duke na afruar kausha me bajame. Ia bleva 20 kaushat, që i kishin mbetur, sepse vëreja që diçka lutej në sytë e tij. Pastaj porosita kamarierin që t’i sillte një akullore edhe atij. Nuk u ul, edhe pse e ftova. E hëngri akulloren në këmbë, shpejt e shpejt. Në këto çaste, e pyeta në se shkonte në shkollë. M’u përgjigj që nuk kishte kohë të shkonte në shkollë, sepse punonte që nga mëngjesi dhe deri në mesnatë. Më tha, gjithashtu, se kishte dëshirë për ta ndjekur shkollën, por nuk mundej ta realizonte këtë gjë, sepse i ati ishte zhdukuar me gomone dhe e ëma duhet të kujdesej për tre fëmijët.
Më preku në shpirt historia e tij dhe, që në atë cast, mendova të shkruaja një roman. Edhe pse nuk arrita ta shihja më dhe nuk mund ta ndihmoja dot atë fëmijë në jetën reale, vendoosa që ta ndriçoja jetën e tij, në romanin që do të shkruaja. Kështu do t’i jepja edhe urimin që të shkonte në shkollë dhe t’ia dilte mbanë, më mirë se të tjerët. Por jeta edhe në libër, është plot supriza të hidhura për të….
Romani tjetër, pra më i riu, është ai për të cilin fola në fillim të bisedës sonë dhe që pret të përurohet, së shpejti.
Kam shkruar edhe vëllimin e parë të romanit për fëmijë, “Një mik i mirë”(Tiranë,2013). Është një libër tërheqës dhe shumë edukativ. Këtu jo vetëm se depërtoj te të vegmjëlit dëshirën për kafshët dhe sidomos qentë, por edhe e fus fëmijën në aventurat e tyre, që janë paralelizëm i jetës së përditëshme njerëzore. Në libër është përdorur një gjuhë e thjeshtë për fëmijët dhe, të them të drejtën, kur e kam shkruar atë, sikur jam kthyer edhe vetë, një here, në atë moshë. Kam pothuajse gati vëllimin e dytë, por….
Kam botuar edhe një libër me përmbledhje tregimesh, “Buzëqeshje me gjurmë lotësh”(Tiranë, 2013). Ka tematika të ndryshme, edhe format e të shkruarit janë, po ashtu, të ndryshme. Kam përdorur ese abstraksioniste, gjë që më pëlqen ta praktikoj, herë pas here.
Kam botuar edhe një vëllim me poezi, “Shpirti im vagabond”(Tiranë, 2012). Aty hedh poshtë çdo paragjykim dhe shijoj lirinë e femrës, në barazi me gjininë tjetër, ku ajo mund të shprehë hapur ato, që mendon dhe dëshiron. Edhe këtu e quaj shpirtin e saj “katedrale” dhe, para se të hysh tek ajo, duhet të ndezësh një qiri.
3.Siç e përmende më lart, ndër librat tu, 5 janë romane. Cilin ke më për zemër dhe a ke libra tjerë, në dorëshkrim, që presin mundësinë e botimit?
-I kam për zemër të pesë romanet e mia. Njërin e dua më shumë se tjetrin. Nuk mundem të veçoj asnjërin, ndërmjet tyre. Janë si pesë gishtat e dorës. Për kë mund të thuash, që do më shumë?!
Kam në “lap-top” 3 romane të përfunduara. Një është roman me ngjarje krimi, të cilat ndodhin në Frankfurt e Darmstadt, pra këtu në Gjermani.
Në tjetrin roman, ngjarjet na çojnë disa dhjetëvjeçarë dhe ato zhvillohen në Venezia e në Brazil. Mendimi për të më lindi, teksa shihja në Venezia, “Urën e psherëtimave”.
Romani tjetër, tregon për historinë e dhimbshme të një çifti. Gruaja është ruse dhe burri shqiptar, që ka studiuar në ish-Bashkimin Sovjetik dhe flitet për goditjen, që marrin nga diktatura….Më tej, tregohet se si e i përjeton vitet e demokracisë njëri prej tyre, që arrin të shpëtojë gjallë…
4. Kam parë në faqen tënde të Internetit, që kohët e fundit aty ke publikuar disa poezi, kushtuar stinës së vjeshtës…A është kjo një rastësi apo e praktikon që, kur vjen secila stinë, ulesh e shkruan poezi, rreth saj?
-Jam e lidhur shumë me natyrën, madje, aty gjej qetësinë time shpirtërore. Kohën më shumë e kaloj me të. Futem në pyjet, që kam rreth shtëpisë, për fat. Aty mund të flas edhe me zë të lartë. Mos ma merrni për të sëmurë, por aty bëhem një me natyrën. Më pëlqejnë lulet shumë dhe më e pëlqyera ime është Orchideea.
Secilës stinë i kushtoj poezi dhe, madje, sa herë që vjen, sepse më ngjan me një lindje të re. Por vjeshta është stina ime më e pëlqqyer. Edhe pse e lindur në pranverë, jam e dashuruar me vjeshtën. Ajo i ngjan shpirtit tim, që herë revoltohet, herë qan, herë qesh, herë luan nëpër flokë dhe të deh. Asaj i kushtoj më shumë se çdo stine poezi dhe ajo është “vjeshta ime”. Pra, nuk janë rastësi, poezitë e publikuara këto ditë. Ato stinë lindin e rilindin dhe brënda meje, edhe tani në stinën time të vjeshtës!…
5. Je me prindër nga Shkodra dhe vetë ke lindur e je rritur në Durrës…Po, në Farankfurt të Gjermanisë, ku jeton tani, kur ke shkuar dhe si i mban lidhjet me bashkësinë shqiptare aty?
-Po, me origjinë jam shkodrane dhe jam krenare për këtëfakt. Shkodra është vetë qytet poezie. Është “vajzë”, e mbështetur rrëzë Rozafës, me këmbët që ia lagin: Drini, Buna, Kiri e Liqeni, me vështrimin mbi Tarabosh. Shkodra është tambli i fjalës! Gjithnjë i kam kaluar pushimet e mia atje.
Ndërsa, kam lindur e jam rritur në Durrës. Gjithashtu, e dua shumë qytetin tim bregdetar dhe ai breg më mungon përherë. I kam kushtuar shumë poezi dhe e kam larë me shumë lotë malli.
Tani, prej 22 vitesh, jetoj në Gjermani Frankfurt. Në qytetin, ku jetoj, nuk njoh shumë shqiptarë, por me ata, që njihemi, jemi si një familje. Veç kësaj, shtëpia ime është bërë një vatër, ku shpesh më vijnë student ose praktikantë, që i vazhdojnë studimet këtu. Prandaj ma bëjnë që të ndjehem edhe unë, bashkë me ata, në Atdhe. Pra, kemi një “Shqipëri të vogël”, por të ngrohtë, se këtu: flasim shqip, këndojmë shqip dhe qeshim e përlotemi, po shqip.
6.Sa je e informuar për botimet e reja dhe, në përgjithësi, për jetën letrare në Shqipëri? Po, lidhjet me krijuesit tanë në vendlindje, si i mban dhe cilët janë disa nga ata?
-Tani, jemi në kohën e Internetit, që na jep mundësinë të njihemi me gjithçka të re. Kështu edhe fb, ky rrjet social, bën të mundur njohjen e miqëve, krijimtarinë e tyre, si dhe bashkëbisedimet, që unë i vlerësoj. Veç kësaj, kam fatin e mirë që kthehem disa herë në vit për në Shqipëri, sigurisht me avion. Kjo m’i forcon lidhjet me miqtë dhe sidomos me krijuesit në vendlindje. Kam miq të çmuar, të cilët janë edhe krijues të mirë në Shqipëri, me të cilët jamë takuar personalisht. Ja, me kënaqësi po pres që të takohem në Tiranë edhe me të tjerë, pas pak ditësh, në përurimin e romanit tim. Nuk mundem që të përmënd emra, sepse e di që do të harroj disa prej tyre dhe kjo më dhemb. Por ju uroj të gjithë miqëve të mi krijues, suksese në penën e tyre!
7.Në fund të bisedës sonë, për të cilën të falënderoj përzemërsisht, a mos do që të shtosh ndonjë diçka, që e ke merak, e nderuara mike Bukurie?
-Të falenderoj edhe unë përzëmërsisht, mik i mirë dhe uroj të takohemi sa më shpejt, në Tiranën tonë të dashur!

Tetor, 2015