Buburreci i Shëndetësisë

0
75

 Nga Blerina Gjoka

Si fillim do doja që të sqaroja lexuesin se me “buburrec i Shëndetësisë” etiketoj ministrin tonë të Shëndetësisë, Petrit Vasilin, njëkohësisht dhe zyrtar i LSI-së, që po shijon bashkëqeverisjen me PD-në që prej vitit 2009. Nuk gjej dot epitet më të përshtatshëm për këtë ministër dhe këtë epitet e kam vërtitur në kokën time për së paku tre net të tmerrshme që kam kaluar në një nga spitalet për të cilët kujdeset ministria e zotit Vasili, ku përveç të tjerave buburrecët kishin ngritur shtëpinë e tyre në pavionin e reanimacionit e në sallën e operacioneve.

Duke i qëndruar pranë tim eti pas një operacioni arrita të ndjej e të përjetoj si qindra e mijëra qytetarë shqiptarë kushtet skandaloze të spitaleve shqiptare, ku dukej sheshin që nuk është vënë dorë që prej kohës së komunizmit. Konkretisht po flas për spitalin “Xhavit Mara” të qytetit të Burrelit, por jam e sigurt e me keqardhje pranoj se niveli i kushteve në çdo spital të vendit duke nisur që nga Tirana janë njësoj.

Si gazetare do të duhej të bëja një investigim të gjatë për të zbuluar nëse ishin dhënë ndonjëherë fonde për restaurimin e këtij spitali e nëse po, ku kishin përfunduar këto fonde, e të merrja zotin Vasili në intervistë që të më sqaronte për gjendjen e spitaleve sot në vend. E meqë kjo është një punë që kërkon kohë e në fund të fundit çfarëdo korrupsioni që të nxirrte në shesh asgjë s’do të ndryshonte, siç ndodh rëndom, po mjaftohem së pari me opinionin tim qytetar për këtë çështje.

Të dimë që kemi në krye të një prej dikastereve jetike në vend, një ministër, i cili ka zgjedhur të bëjë politikanin e jo mjekun për çfarë është dhe diplomuar, që ka aq vite që qëndron në atë karrige si pjesë e 20-përqindshit të ndarjes së pushtetit dhe jo si pjesë e ndonjë platforme për sistemin shëndetësor në vend.

Apatia e zotit “Buburrec” nuk çudit askënd nëse do ta shohim në këtë prizëm, aq më keq kur e dimë të gjithë që kryeministri Berisha e ka përdorur këtë ministri aq të rëndësishme për të kënaqur aleatët e tij në çdo kohë e pa kurrfarë droje, ashtu siç bën dhe me ministrinë e Ekonomisë e ndonjë tjetër. A thua se shëndeti dhe paratë e shqiptarëve të ishin një mall pa vlerë më te cilët mund të bësh tregti kur të duash e me këdo.

Ndërkohë që çdo ditë mediat janë mbushur me lajme se në spitale s’ka barna, se në spitale s’ka aparatura, s’ka kushtet minimale higjienike të trajtimit të një të sëmuri, ministër “Buburreci” shqetësohet të flasë në media vetëm kur shfaqet ndonjë virus në Gjermani apo kur ka ndonjë takim me personalitete ndërkombëtare të fushës. Aq më keq shfaqet si favorizues i firmave të veçanta në tenderat për furnizimin me ilaçe të spitaleve, apo kur për tu kuruar vetë zgjodhi një spital privat në vend të atyre shtetërorë, për përmirësimin e kushteve të të cilëve ai paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.

Nëse sot mllefi im qytetar kishte një emër, atë të Petrit Vasilit, nga ana tjetër un e di shumë mirë se përgjegjësi nuk është ai, ai më shumë duket si një kukull a si një njeri i marrë peng që mendon vetëm të fusë në CV që ka qenë aq vite ministër, e jo se çfarë ka bërë si ministër, problemi është më i madh se aq. Problemi qëndron tek prioriteti i qeverisjes dhe Shëndetësia nuk është një prioritet përveçse kur bëhet fushatë në emër të saj.

E këtë gjë s’duhet ta tolerojmë në pafundësi ne, populli më i varfër në Evropë, që paguajmë kontribute shëndetësore të rregullta, por nuk marrim as edhe një herë shërbimin më të vogël falas në spitalet tona. Ashtu si buburrecat në ambientet spitalore na tregon fytyrën e vërtetë të kushteve sistemit shëndetësor në vend, buburrecat si Petrit Vasili na tregojnë fytyrën e vërtetë të pushtetit.