Britmat e nacionalistit, oferta e pushtetit

0
49

Është procesi i klithmave që krijojnë turbullira dhe që arrijnë të shqetësojnë deri dhe partnerët tanë më të mëdhenj strategjik. Një proces i turpshëm i bazuar vetëm tek ethet e falimentit të shtetit

Shekulli, 29.12.2012

Në gjithë këtë situatë, ku qeveria fatkeqësisht për shqiptarët nuk ka mundësi të thotë asgjë për ekonominë, nuk ka mundësi të thotë asgjë për shërbimet, nuk ka mundësi të thotë asgjë për të nesërmen pasi praktikisht është në ethet e një shteti që jeton si në faliment s’ka sesi të mos kërcasin shkëndijat e një nacionalizmi primitiv, tërësisht të dalë boje dhe tërësisht kërcënues për imazhin dhe për forcën e Shqipërisë në Ballkan.

Imazhi dhe forca jonë në Ballkan kanë qenë instrument themelor për arritjet e derikëtushme të faktorit shqiptar, arritje të mëdha me pavarësimin e plotë të Kosovës, me lehtësimin e ndjeshëm dhe fitimin e një sërë të drejtash të rëndësishme për shqiptarët në Maqedoni sepse kjo Shqipëri kështu siç ka qenë në pikëpamje të qasjes ndaj të ardhmes së rajonit jua ka bërë shumë të lehtë punën në një proces demokratizimi dhe evropianizimi të Ballkanit aleatëve të mëdhenj të strategjik, Shteteve të Bashkuara në radhë të parë. Është e papërfytyrueshme që Shqipëria sot në duart e udhërrëfyesve të saj të cenoj këtë imazh dhe ta rrënojë këtë forcë që ka. Edhe në këtë aspekt jemi në një rrugë të rrënimit të mëtejshëm.

Sigurisht që procesi i bashkimit kombëtar është një proces i pandalshëm por është një proces që as nuk mund dhe as nuk duhet të parafytyrohet me pamjen e të shkuarës dhe e nacionalizmit primitive të së shkuarës. Madje për të qenë ende më i saktë nuk mund të parafytyrohet mbi modelet e të shkuarës. Ne sot jemi në një situatë tërësisht të re dhe jetojmë në një botë tërësisht të re dhe perspektiva jonë është tërësisht e tjetër nga ajo e 100 vjetëve, 50 vjetëve apo edhe 20 vjetëve më parë, në pikëpamje të stacionit ku synojmë të shkojmë të gjithë si shqiptarë dhe të instrumenteve që kemi të gjitha në dispozicion. E për këtë arsye edhe në këtë aspekt në programin tonë “Për një Rilindje Shqiptare” ne kemi një plan tërësisht tjetër, tërësisht alternativë.

Ne duam që procesin e bashkimit ta ndërtojmë si një proces integrimi tërësor, duke fuqizuar shqiptarët dhe kombin tonë si një i tërë përmes një bashkëpunimi thelbësor midis dy shteteve, njëkohësisht duke rritur dhe transformuar instrumentet e bashkëpunimit në gjithë rajonin. Ne duam që të kemi një sistem arsimor të unifikuar me Kosovën, jo që çdo shtator të shkojë ministri i arsimit shqiptar të takohet me ministrin e arsimit të Kosovës, të përurojë abetaren e radhës dhe janë akoma tek SH-ja, “Shabani sharron me sharrë”. Ndërkohë që një gjeneratë e re e tëra po rritet në kushtet e lirisë dhe duhet të ketë pika referimi të përbashkëta. Pika referimi që duhet të nisin nga një sistem arsimor i unifikuar, të kemi të njëjtin sistem në Shqipëri dhe Kosovë.

Të kemi një plan të përbashkët për sigurinë energjetike, jo duke sabotuar linjat e interkonjeksionit që i japin Kosovës pavarësinë energjetike nga Serbia. Por duke vënë në punë ato linja dhe duke ndërtuar një plan të sigurisë energjetike për të gjithë shqiptarët. Ne duam që të kemi një ofertë të njehsuar turistike. Në kohën e Ahmedit, që e ka përzemër Saliu oferta turistike ishte e njehsuar. Shkonte nga Vlora deri në Brezovicë, për ata që e vizitonin Shqipërinë. Sot kemi një ofertë turistike tërësisht të cunguar, që nuk i bën mirë as Shqipërisë as Kosovës.

Atëherë pse mos ta kemi një ofertë turistike të njehsuar? Ne duam që ti bashkojmë doganat, nuk na pengon asgjë që të kemi një bashkim doganor. Nga bashkimi doganor të përfitojnë të dyja sipërmarrjet. Ajo e shqiptarëve të Shqipërisë dhe ajo e shqiptarëve të Kosovës, e në ndërkohë në procesin e rajonalizimit të produkteve bujqësore, në funksion të reduktimit dhe të deficitit skandaloz që kemi kur vjen puna në të gjithë zërat e ushqimit të popullit, ne të jemi në bashkëpunim të plotë. Harta rajonale e prodhimit të jetë një hartë më e madhe sesa e Shqipërisë zyrtare.

Ky është procesi i ndërtimit të një shoqërie të re shqiptare, mes shqiptarëve të këtushëm dhe të atjeshëm që sot janë 10 – 15 – 20 vjeç. Jo procesi i klithmave, i ulërimave dhe i insinuatave që krijojnë turbullira krejtësisht të panevojshme dhe që arrijnë të shqetësojnë deri dhe partnerët tanë më të mëdhenj strategjik, Shtet e Bashkuara të Amerikës. Një proces i turpshëm i bazuar vetëm tek ethet e falimentit të shtetit për shkak të keqqeverisjes dhe ethet e fushatës elektorale në prag ku qeveria s’ka asgjë për t’ju thënë dhe për t’ju ofruar shqiptarëve.

/Edi Rama/Kryear i PS-së/