Shekulli, 24.12.2012
TIRANË – Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe ka postuar sot në Facebook një koment mbi vendosjen e shtatores së ish-mbretit Zog I në Tiranë, ku ka akuzuar kryeministrin Berisha dhe figurën e Ahmet Zogut si filo-serbë, që kanë shitur Atdheun dhe trojet e tij. Ja mesazhi i plotë në Facebook i Braçes:
“Sot “filo-serbët e Tironës” festuan ditën e vendosjes së sundimit të tyre mbi Shqipërinë!! E bënë në bulevard dhe me shtatoren e të parit të tyre, Ahmet Zogollit!! Ditën e përkujtoi në cilësinë e trashëgimtarit të shoqatës “filo-serbe” të Tiranës, Sali Berisha!!
24 Dhjetori shënon hipjen në pushtet të Ahmet Zogut, duke shtypur me pushkë dhe ushtrinë e Pashiçit, Revolucionin e Qershorit! Prej asaj dite vetëm shiti Atdheun-troje historike të tij, vrau e dhunoi kundërshtarët e tij politikë, varfëroi edhe më popullin e nënshtruar!
Në fund, më 7 prill 1939 edhe tradhtoi duke u arratisur nga Shqipëria!! Ky është Ahmet Zogu, të cilit Sali Berisha i thurri histori të re sot! Tha: Ahmet Zogu luftoi pushtimin fashist nga ekzili!! Jo Sali, se mbulon dot me pudrën tënde tradhëtinë! Fashizmin e luftuan të tjerë njerëz, të rinj komunistë si Qemal Stafa qenë në krye të kësaj lufte. Ki frikë nga ata. Haku i tyre do t’ju zërë të gjithë juve filo-serbëve të Tiranës!”
/Shekulli Online/M.A./