Braçe: Tregtia prej 200 milionë dollarë e armëve, monopol i kompanive serbo-malazeze

0
40

TemA Online, 29 Shtator 2012

Deputeti socialist, Erion Braçe, ka vijuar gjatë ditës së sotme denoncimet për shkeljet e kryera nga ana e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Duke folur në një konferencë për shtyp, Braçe ka thënë se tregtia e armëve në Shqipëri, është kthyer në një monopol të dy kompanive serbo-malazeze, Montenegro dhe Unimesco. Sipas Braçes, këto dy kompani kanë qenë përfitueset më të mëdha nga tregtia e armëve shqiptare, që kap vlerën e 200 milionë dollarëve.

“Tregtia e aseteve të Ushtrisë, armëve, municioneve, mjeteve ushtarake, pronave, është aktiviteti më i madh i Ministrisë së Mbrojtjes qysh pas 2009-tës, vitit kur u harrua me force skandali i Gërdecit.

Ministria e Mbrojtjes ka nën administrim një pasuri në armatime, municione, mjete ushtarake që në vlerë tregu arrin në disa qindra milion dollarë.

Nga disa dokumenta të lëshuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burimeve dhe Modernizimit, mëson se Ministria e Mbrojtjes ka tepër dhe të kategorizuar për shitje, armatim e municione të kësaj sasie:

200. 000. 000 copë fishekë 7.62*39mm model 56

50.000.000 copë fishekë 7.62*54mm model 53

12. 000. 000 copë fishekë 12.7*108mm

15. 000.000 copë fishekë 14.5*114mm

10. 000 copë predha 60mm për mortajë

500. 000 copë predha 82mm për mortajë

100.000 copë predha 120mm për mortajë

10. 000 copë shtimje reaktive 107 mm model 1963

2.000.000 copë granata dorë defensive

400. 000 copë granata dorë ofensive

20. 000 copë automatike 7.62 model 56 (AK-47)

Etj etj.

Të gjitha, nisur nga vlera në treg apo edhe nga kontratat e lidhura me klientë të ndryshëm, arrijnë një vlerë në mbi 200 milion dollarë! Vetëm këto! Sepse ka edhe më!

Një pasuri e tërë! Për ta kuptuar më mirë po ju them se kjo vlerë është thuajse sa vlera me të cilën Sali Berisha shiti kompaninë ARMO dhe Rrjetin Kombëtar të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike OSSH.

Ka një komision të posaçëm për kategorizimin e kontingjentit të armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve plasëse të hequra nga përdorimi.

Ai drejtohet nga dy njohje të vjetra për çdo ushtarak dhe për çdo shqiptar që ka ndjekur me vëmendje ekspozimin dhe angazhimin e tyre në çështje shumë sensitive për Shqipërinë:

Kryetar -Kundëradmiral Kristaq Gërveni

Zv Kryetar- Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi

Funksione këto të mbajtura të paktën nga 2010 deri në fund të 2011, periudhë të cilës po i referohem”, tha Braçe.

Braçe ka publikuar edhe të dhënat për kompanitë serbo-malazeze që kanë përfituar nga tregtia e armëve të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Torta e madhe e pasurisë së Ushtrisë, veçanërisht gjatë viteve 2010, 2011 e në vijim është ndarë mes 3 kompanive:

E para, Montenegro Defence Industry

E dyta, UNIMESCO

E treta, ndërmarrja shtetërore MEICO;

Dy kompanitë e para kanë krijuar duopolin e fortë, nisur nga sasitë e kontraktuara dhe vlera e tyre. Disponueshmëria e Ministrisë së Mbrojtjes ndaj tyre ka qenë shumë e fortë, madje me shkrim, e dokumentuar.

Po kush janë dy kompanitë që kanë marrë monopolin e marrëdhënieve tregtare me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë.

Kompania Montenegro Defence Industry është dega malazeze e të famshmes ndërmarrje të madhe serbe YGOIMPORT.

Siç rezulton nga dokumentat shtetasi Zoran Damjanovic është personi që i përfaqëson të dyja kompanitë si shoqëri tregtare por edhe në marrëdhënie me Ministrinë e Mbrojtjes dhe MEICO-n

Nga një kërkim i thjeshtë rezulton se MDI ka pasuar një tjetër kompani që operonte rëndë në tregtinë e armëve e municioneve në Ballkan, TARA-n. Tek TARA i gjeje të gjithë, nga emrat më të përmendur të trafikut të armëve në botë deri tek lidhjet mes kompanive që të sjellin në transaksionin që i parapriu e më pas u zbulua me skandalin e Gërdecit.

Kompania UNIMESCO është më e njohur për ju për shkak të skandalit që shpërtheu në mënyrë sporadike muaj më parë e që tani, nën dritën e dokumenteve zyrtare rezulton i provuar, si konflikt i pastër interesi i zyrtarëve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, favorizim për këtë shkak në mallra e çmime në një seri kontratash, mbyllje sysh në dokumentacionin e pamjaftë në raport me kërkesat strikte të ligjit.

UNIMESCO siç është publike tashmë, është një tjetër linjë serbo shqiptare në tregtinë e armëve e municioneve, eksplozivëve në marrëdhënie të fortë me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë.

Pra, Në administrimin e tregtimin e armëve, municioneve, mjeteve ushtarake i gjen të gjitha:

-lëshimin e kësaj pasurie tek një marrëdhënie shumë e fortë, dominuese me tregtarë serbë të përfshirë dhe pjesëmarrës në linjat më të errëta të tregtisë së armëve;

-korrupsionin në përcaktimin e çmimeve të armëve, municioneve, eksplozivëve, të ndryshme e favorizuese për kompanitë e mësipërme, madje dhe në raport më vete kompaninë shtetërore MEICO, që duhet të ndjehej e xhelozuar në këtë marrëdhënie.

Në këtë pikë, ia vlen të pyesësh:

A e ka ndjekur apo hetuar këtë marrëdhënie Shërbimi Informativ Ushtarak?

Ka qenë brenda misionit dhe detyrave të tij!!

Si e ka vlerësuar këtë marrëdhënie SHIU?

A ka përpiluar ndonjë informacion dhe a e ka analizuar këtë veprimtari kriminale brenda Ministrisë së Mbrojtjes SHIU?”, përfundoi Braçe.