Braçe shpjegon aksionin opozitar: Berisha do blinte deputetët e PS

0
34

Erion Braçe

Shekulli Online, 29.11.2009

Intervista/ Deputeti socialist, Erion Braçe, komenton situatën politike në vend, duke evidentuar Berishën si shkaktar të përkeqësimit të saj

Hapja e kutive të votimit ose largimi i Berishës nga pushteti. Këto janë dy rrugët që sipas deputetit socialistë Erion Braçe i kanë mbetur për të zgjedhur mazhorancës së djathtë. Në intervistën e dhënë për “Shekulli-n” Braçe analizon momentin politikë në të cilin ndodhet vendi si pasoje e betejes per transparencen e votes.

Z. Braçe, duket se vendosmëria e opozitës për t’i shkuar deri në fund nismës së saj për të bërë transparencën e zgjedhjeve parlamentare ka acaruar së tepërmi situatën politike në vend. Ndërkohë, PS ka deklaruar se do të përshkallëzojë qëndrimin e saj në funksion të arritjes së këtij objektivi. Çfarë keni parasysh kur deklaroni një gjë të tillë, pra përshkallëzim?

E keni gabim! Më duhet t’u sqaroj që në krye të herës, se situata politike është e rënduar për shkak të shkatërrimit të zgjedhjeve, vjedhjes së tyre dhe natyrisht, formalizimit të një pushteti politik jolegjitim në raport me vullnetin e shqiptarëve. Ka një përgjegjës!

Shqiptarë, më shumë se ata që ne na votuan, po luftojnë me ATË. Më tej, rëndohet më shumë, për shkak të kapjes së Qeverisë e krejt shtetit nga një FAMILJE politike, interesat e së cilës kanë shkaktuar një përhapje të pa matë të korrupsionit.

Ai po dhunon gjithkënd, në interesat e tij të ligjshme për shërbime, të ardhura të pastra, pronë privatë të garantuar, biznes të ligjshëm, të lirë, e konkurrues, mu siç thotë Kushtetuta! Përgjegjësi është i njëjti!

Viktimat e këtij degradimi qeverisës po e luftojnë ATË! Më tej akoma, rëndohet edhe më, për shkak të rënies së shtetit të së drejtës, dhunimit publik të pushteteve të tjera, kufizimit asfiksues deri shpërbërës të funksionalitetit të tyre. Veçanërisht, pushtetit gjyqësor e pushtetit vendor! Përgjegjësi ka emër!

Pushtetet kushtetues në zgrip të tyre, po e luftojnë po ATË! Në fund, po bëhet shpërthyese, për shkak të krizës qeverisëse, paaftësisë, injorancës, makutërisë që kanë boshatisur arkën e shtetit! Krizë, e cila është vendosur mbi efektet e shumuara të krizës së rëndë ekonomike.

Përgjegjësi është Sali Berisha, nevoja e tij elektorale, veç të tjerave. Të mposhturit nga kriza, rrëzuar në varfëri ekstreme, po e luftojnë ATË! Pra, vendi është në udhëkryq, demokracia është në rrezik, pas rënies së zgjedhjeve shteti i së drejtës ka rënë, i luftuar nga kultura e pandëshkueshmërisë, ekonomia shqiptare po falimenton nga arka bosh.

Në këto kushte, Sali Berisha po lë pak vend për politikë. Nxehja apo ftohja e saj nuk përbën interes për gjithsecilin. Vendosmëria e koalicionit më të madh popullor që është në shesh, synon nxjerrjen e vendit nga ky udhëndarës i përsëritur, mbrojtjen e demokracisë përmes rikthimit të zgjedhjeve të lira, rikthimin e shtetit të së drejtës edhe për të ndëshkuar keqbërësit qeverisës, shpëtimin e ekonomisë më një paketë stimuluese, pasi të kemi rikthyer tregun, lirinë e konkurrueshmërinë në të! Përshkallëzim?

Çdo gjë që tejkalon mitingun më të madh, më paqësor e më të qëndrueshëm të 19 viteve të fundit dhe afron zgjidhjen për gjithë ç’ju thashë më lart!

Më konkretisht, cilat janë hapat që ju do të ndiqni deri në realizimin e këtij objektivi, në rast se pas skadimit të afatit dhjetë ditor mazhoranca nuk reagon pozitivisht?

Ne kërkojmë reagimin sa më parë. Kanë kaluar 5 ditë. Do presim dhe për 5 të tjera. Ne jemi të qartë: Berisha ka zgjedhjen, në kemi të drejtën! E drejta ka vendosur opozitën e popullin e saj në betejë. Beteja ka zbritur në shesh.

Ne dhe populli i opozitës nuk lëvizim prej andej, nëse Berisha nuk merr vendimin më normal në botë: hetimin parlamentar, të përbashkët, të zgjedhjeve, duke përfshirë dhe hapjen e kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore, shqyrtimin dhe analizën mbi to! Ky vendim ka afat! Afat i nxitur nga guximi i marrë i Berishës për t’u përballur me një popull të tërë.

Afat përtej të cilit, e drejta jonë legjitime shkon te kërkesa për zgjedhje të parakohshme. Ju më pyesni për hapa konkretë, po ua them: shtrirje të protestës në çdo qytet – Tirana e para, në çdo shesh – ai “Skëndërbej” në krye, në çdo bulevard e rrugë – ai Para Kryeministrisë më i rëndësishmi, pa kufi fizik dhe një kufi orar: “deri në dorëzimin e Sali Berishës”!

I keni lënë dy mundësi mazhorancës për të zgjedhur, ose të hapë kutitë ose të ikë nga pushteti. Si do ta detyroni atë t’i përgjigjet këtyre dy kërkesave dhe a përjashtoni ju konfrontimin dhe përdorimin e forcës në këtë betejë?

Pa diskutim me forcë! Kujdes! Jo me dhunë! Me forcë! Forca e arsyes, forca e së drejtës, forca e qëndresës është shumë më e rëndësishme dhe rezultative se çdo akt dhune! Dhuna nuk është mjeti ynë. Ne nuk ekzistojmë prej saj, por prej arsyes, të drejtës. Nuk kemi pasur kurrë nevojë për dhunën. E drejta jonë, ka mbledhur rreth nesh, atë forcë dhe fuqi popullorë që ka zhvlerësuar dhunën si element i domosdoshëm për të mbajtur me dhunë pushtetin.

Çdo herë kur ai ka qenë i tillë, i dhunshëm përpara nesh, ka ndodhur kështu! Ju thashë, Berisha ka në dorë të zgjedhë, ne kemi në dorë të drejtën! Nëse na do përballë, përballë do të këtë gjithë popullin opozitar dhe më shumë se ai. Kjo është forca jonë. Ne nuk po kërkojmë pushtetin e Sali Berishës! Nuk e duam! Në po kërkojmë transparencë të zgjedhjeve për të shpëtuar demokracinë, e cila me zgjedhjet e 28 Qershorit dhe jo vetëm, në Shqipëri është farsë!

Gjithë ç’po ndodh, po paralajmëron qartë se, çdo shqiptar, nuk ka frikë nga forca jonë por nga efektet anësore-të përsëritura-të mbajtjes me dhunë të një pushteti ilegjitim politik, ngritur mbi dhunën ndaj zgjedhjeve, dhunimin e vullnetit të lirë të popullit, zhbërjen e institucioneve! Nëse ndodh kjo, do të ketë vetëm një përgjegjës, ligjor, penal, të paamnistueshëm, ky është SALI BERISHA! Çdo gjë do ta kërkojmë vetëm tek AI!

Ndërkohë, a është e gatshme opozita të pranojë një rrugë të mesme, pra arritjen e një kompromisi dhe cili do të ishte ai sipas jush?

Kërkesa për hetim parlamentar, të përbashkët, të pa kufizuar të zgjedhjeve, duke përfshirë hapjen e kutive të votimit dhe materialit tjetër zgjedhor është e panegociueshme! Ky është vullneti i gjithë popullit të opozitës! Partitë tona do të ishin shumë pak para tij. Qysh ditën e dytë, kur pushteti dhe shteti i Sali Berishës po vinte dorë mbi votat e shqiptarëve kemi kërkuar këtë.

Mbase u treguam shumë të ndershëm kur pritëm të konsumoheshin hallkat ligjore, në institucionet shtetërore të deformuara totalisht nga fuqia korruptive e Sali Berishës.

Por, dëshmuam se jemi një forcë politike brenda sistemit demokratik dhe jashtë sistemit korruptiv të Sali Berishës. Ngritëm dyshime të arsyeshme për të mbështetur kërkesën tonë për transparencë. I pari i tyre ishte përdorimi i shtetit, buxhetit të tij, politikave fiskale, monetare e sociale të tij, nga dhe në shërbim të pushtetit politik të FAMILJES Berisha!

Tashmë, gjërat duken më qartë dhe po faktohen si abuzime kolosale, për nevojë të manipulimit elektoral. Po u rendis disa. Denoncuam se fondet e “ndihmës ekonomike”, destinuar për familjet në nevojë, krijuar si produkt i solidaritetit tonë si taksapagues me njerëzit e familje të tëra në varfëri, janë përdorur për të “blerë” vota kudo ku varfëria është ekstreme.

Vetëm në qarkun e Dibrës, ky “marifet” i ndyrë elektoral ka përfshirë mbi 2300 familje të reja, të shtuara. Ndërsa pjesa tjetër, ajo e gjendur në lista e që ishte sa 1/3 e familjeve të gjithë qarkut është kondicionuar më “bukën e gojës”, me “lekët e asistencës”, mu në prag të ditës së zgjedhjeve.

Kjo në Dibër, se epidemia e kërkesave thuajse nga 1/2 e njësive vendore që administrojnë këtë fond, për të shtuar fondet tani në fund të vitit, dëshmojnë për një abuzim kolosal e përdorim po kaq të gjerë, të këtij instrumenti social për të deformuar votën. Këto njësi kanë ngelur pa para, të nevojshme për të paguar ndihmën ekonomike për muajt nëntor-dhjetor 2009.

Në regjistrat e tyre, gjurma e qartë dëshmon se paratë janë përdorur më shumicë në maj-qershor 2009! Pikërisht për këtë, përdorimi i fondit social të solidaritetit, duhet vënë nën hetim parlamentar! Ministri i periudhës Viktor Gumi, zyrtarët e tij administrues, drejtuesit e njësive vendore të përfshirë në këtë operacion financiar kriminal, duhen vënë nën hetim penal!

Pa diskutim! Denoncuam se paratë e buxhetit të shtetit, duke shkelur ligjin e buxhetit në dy vite, 2008-2009, duke përfshirë paratë e privatizimeve e borxhet shtetërore, u përdorën në një tjetër operacion kriminal, me synim kondicionimin e deformimin e votës me një listë të pafund kantieresh elektoralë. Mesa duket paska qenë edhe më keq se kaq.

Rregullat e përdorimit të parave publike janë shkelur, paratë në buxhete nuk kanë mjaftuar! Ministri ka detyruar kompanitë ndërtuese të punojnë me paratë e tyre, borxhi i qeverisë ndaj tyre, për fatura të fundit të 2008-ës, arrin në minimumi 70 milionë euro.

Mbi të gjitha, ky borxh, rrezikon seriozisht falimentin për këto kompani, në një operacion që përfundon në bankat e brishta shqiptare, ku kreditë që ata kanë marrë, për të mbaruar punët elektorale të Qeverisë, po kthehen në “kredi të këqija”.

Pikërisht për këtë, përdorimi i parave publike jashtë rregullave të buxhetit të shtetit, krijimi prej Qeverisë i një borxhi të pa legjitimuar në ndonjë ligj në fuqi, duhen vënë nën hetim parlamentar! Ministri në detyrë, Sokol Olldashi, zyrtarët e tij administrues, drejtori i përgjithshëm i rrugëve, Andi Toma, duhen vënë nën hetim penal! Pa hezitim!

Denoncuam se pjesa më e madhe e parave publike dhe borxheve qeveritare, po paguheshin për të financuar vjedhjen e ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, si një nga dy instrumentet elektoral për të deformuar votat në Veri! Natyrisht, duke boshatisur arkën e shtetit që tani është më bosh se asnjëherë.

Por, qenka edhe më e rëndë se kaq. Nevoja elektorale, përtej kostos deri 1 mld euro që do paguajmë, po nxjerr jashtë përdorimi investimin më të kushtueshëm të 20 viteve të fundit, për shkak të rrëzimit – dyshohet pa kthim – të tunelit të Thirrës! Ndërtuesit amerikanë, të gjithë përgjegjësinë e shkarkuan mbi Ministrinë e Ndërtimit dhe Drejtorinë e Rrugëve, mu para syve tanë. Ju keni dhe shkresa për këtë.

Atëherë, përdorimi i parave publike dhe borxheve publike, për të financuar këtë gënjeshtër elektorale që rezulton dhe krim financiar kolosal, duhet hetuar nga Parlamenti!

Ministri në detyrë, Sokol Olldashi, drejtori i Rrugëve Andi Toma, duhen vënë nën hetim penal për këtë dëm ekonomik kolosal. Më vendosmëri, deri patriotikë. Denoncuam se Qeveria, në një akt të paprecedent kriminal, kërcënoi e dhunoi me largim nga puna thuajse gjithë nëpunësit buxhetorë në arsim, shëndetësi, ushtri, polici, administratë publike etj! Por qenka edhe më e rëndë.

Nga publikimet e KQZ për financuesit e fushatës elektorale të PD-së -vetëm të deklaruarit- rezulton se Qeveria që është edhe Partia, ka detyruar nëpunës të shtetit, të paguajnë fushatën e luksit të PD, për të mbajtur vendin e punës.

Kjo, kur listën e financuesve të PD e kryeson kryetari i degës doganore Tiranë, sot drejtor i personelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Nexhipi, i pasuar nga 12 doganierë të doganës Tiranë, të cilët figurojnë të kenë paguar sa rroga e një viti të tërë!!!!!!! Atëherë, dhuna mbi administratën publike, financimi i fushatës së PD në mënyrë të paligjshme, duhet vënë nën hetim në Parlament!

Drejtori i Doganës Tiranë, 12 doganierët e tij duhen vënë nën hetim penal për të ardhura të paligjshme e financim të paligjshëm të një force politike! Me forcën e shembullit! Këto ishin të rejat. Dhe njëra anë. Ana tjetër janë kutitë ë votimit, votat në to! Ato do të hapen edhe sikur Sali Berisha të bëhet Ilir Meta dhe Ilir Meta të bëhet Mehmet Shehu!

Nga ana tjetër duket se edhe mazhoranca po ju përgjigjet me të njëjtën monedhë, pasi edhe ajo ka përshkallëzuar reagimin e saj, ku kulmin e arriti kryeministri me akuzat dhe gjuhën e përdorur në seancën e fundit plenare. Si e shpjegoni këtë acarim në këtë masë të mazhorancës?

E njëjta monedhë? Jo! Ne nuk jemi ana tjetër e monedhës. Mbi të gjitha në referencë të asaj që ju e shquani si “gjuha e Kryeministrit”. Nuk e flasim atë “gjuhë”.

Ne nuk shpifim. Cilin prej nesh keni dëgjuar të ligjërojë atë, që njëri nga udhëheqësit e LSI e përdorte shpesh deri në zgjedhje, sipas të cilës “Sali Berisha nuk është martuar me zonjën por me vjehrrën, për arsye internacionaliste a konspirative”? E kemi refuzuar me neveri ta themi këtë! Cilin prej nesh keni dëgjuar të merret me dashuritë e Argitës apo martesën e Shkëlzenit? Askënd!

Cilin prej nesh keni dëgjuar të merret me martesën e Pollos, Imamit, Vasilit, Mediut? Po për historitë e çuditshme për ambientin shqiptar të Lulit, të folura gojë më gojë e vesh më vesh edhe në Qeveri, cilin prej nesh keni dëgjuar të flasë? Asnjë! Dhe nuk do të dëgjoni, asnjëherë!

Gjithsecili ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e tij, kjo është liria e tyre, por kjo nuk bën pjesë në interesat tona. As në kulturën tonë. Për më tepër nuk vlen për betejë politike, ne nuk mund t’i ofrojmë shqiptarëve “martesat” apo “historitë” e këtyre!

Ata dhe soji i tyre nuk duhet të ndjehen “të falur” prej nesh! Vetëm për kaq, Saliut, Ilirit, Gencit, Lulit, Arbenit, Ridvanit, Bujarit, Gencit tjetër me titullin “prof.dr”, Spiros, Fatmirit, Pecos, Ferdinandit, Dritanit, “Dhëmbit të Qenit”, të cilët tre ditë më parë vranë duart për të zgjatur duartrokitjen e për t’i pëlqyer Sali Berishës, duhet t’u vijë turp! Majlindës jo! Jam i bindur, Majlinda është ndjerë e dhunuar, jo nga Berisha por nga Jozefina! Por mesa duket turpi nuk i zë këta e antidoti duhet të jetë zullumi që hanë e janë.

Ndryshe nuk ka si shpjegohet që kanë ndërmarrë një tur përhapje të shpifjes e ndyrësisë rreth më rreth! Natyrisht ky është edhe problem qytetërimi e qytetërimesh. Barbaria është vërtetuar si frenuesja më e madhe e zhvillimit, qytetërimit e përparimit. Barbaria në këtë vend ka terren dhe njerëz. Ajo është ideologjia e Sali Berishës. “Gjuha ë Kryeministrit” siç e shquani ju, tregon sesa i vjetër është.

Ai na fyen të gjithëve, na kthen njëqind vjet pas, në kohën e “lëneshave” dhe “veprave letrare (orale) të tyre”, të cilat i përfaqëson me dinjitet! Me anë tjetër, “gjuha e Kryeministrit” e përkthyer për Berluskonin, Sarkozinë, Topolanek, Merkelin dhe ministrin e saj të jashtëm, të cilët ndaj bindjet e tyre të djathta në tavolinën e PPE me Saliun trim e liridashës, mund të merret edhe për sulm personal! Matanë kësaj, duhet të jetë e qartë beteja jonë me FAMILJEN që na qeveris.

Në fuqi është një ligj për interesat, konfliktin e interesave të zyrtarëve publikë dhe personat e lidhur me ta, ku përfshihen dhe familjarët e tyre. Marrëdhënia e Qeverisë, familjarëve të qeveritarëve me këtë ligj ka qenë interesi ynë.

Është bërë pjesë e betejës sonë për shkak të dhunimit të ligjit, kapjes së Qeverisë deri shtetit, grabitjes së pasurisë publike e private, shkatërrim të tregut, rrënim të ekonomisë nga interesat familjare!

Kjo është FAMILJA e këtë do ta luftojmë deri në fund! “Gërdeci”, privatizimet, tenderët, koncesionet, trojet publike e private, si biznese qeveritare e përfitime të paligjshme familjare, jo vetëm do të përmenden por do të denoncohen rast më rast, emër më emër si aksione qeveritare të FAMILJES!

Mos vallë, z. Braçe, me këtë qëndrim tuajin, ju si opozitë po bëheni shkaktarë të krizës që mund të prekë të gjithë shqiptarët, pasi, siç edhe e bëri të ditur grupi parlamentar socialist në deklaratën e përbashkët, po rrezikohet të kthehet ’97-ta?

Kriza i ka prekur shqiptarët dhe shkaktarët nuk jemi ne. Pyetini dhe do t’u tregojnë Sali Berishën dhe Qeverinë e tij si shkaktare. Jo vetëm për rrënimin ekonomik dhe të ekonomisë familjare. Por edhe për rrënimin e shtetit dhe themelimin e një republike të re të korrupsionit!

Pushteti ilegjitim prodhoi një qeveri të ndarë me përqindje, mes Sali Berishës e Ilir Metës. Kjo ndarje e shtetit po e bën qeverinë gaz i botës, emërimet e saj në përmbushje të përqindjeve të “nëntesë së tij”, Ilir Metës, po shpejtojnë degradimin.

Po ju jap vetëm një rast: në krye të Agjencisë Nacionalë të Trafikut Ajror, pjesë e Eurokontrollit, me një përgjegjësi supreme është emëruar drejtor, një njëri të cilin gjithë dynjaja e thërret LESHKO, por e njeh dhe totalisht jashtë formimit dhe eksperiencës profesionale që kërkon fusha. Kur u firmos politikisht për të, dëshmitarët pëshpërisnin: Zot, ishalla nuk na ndodh gjë!!

Më tej, veprimet që u ndërmorën qysh para zgjedhjeve e që na u shit neve për sukses, siç privatizimi i OSSH, me pasojë të votuar në Parlament qysh atë kohë, rritjen 42% të çmimit të energjisë; siç rritja e taksave më 20% për çdo shërbim për publikun, të dyja në veprim prej 1 janarit; siç gjobat e borxhet, parë si shpëtuese për arkën gjithnjë e më bosh të shtetit, janë elementët që po bëjnë të padurueshme krizën.

Këto janë veprime e përgjegjësi të Qeverisë, jo të opozitës. Ne nuk mund të ndajmë asnjë kosto të ardhur nga vendime të tilla, të korruptuara, me Qeverinë! Korrupsioni dhe krimi i organizuar si elementë të thellimit të krizës dhe pengese për një sërë procesesh integruese nuk është më vetëm pikëpamja jonë. Por edhe e trupave monitoruese të ndërkombëtarëve.

Po u citoj vetëm një pjesë nga komunikimi i djeshëm i ambasadorit gjerman në Tiranë: “…ka edhe lajme të këqija: Para pak ditësh indeksi i korrupsionit i Transparency International, i njohur në mbarë botën, konstatonte një përkeqësim të situatës në Shqipëri.

Raporti vjetor 2009 i EUROPOL shënonte se Shqipëria ende shërben si qendër grumbullimi dhe transporti për shpërndarjen e heroinës në Bashkimin Evropian. Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian në tetor 2009 arriti në përfundimin se përpjekjet e qeverisë shqiptarë për të luftuar krimin e organizuar ende janë në një fazë fillestare dhe se përpjekjet për të luftuar pastrimin e parave duhet të intensifikohen më tej”

Ndërkohë që vijojnë kërcënimet edhe nga Kuvendi, ku kryetarja e tij më së fundi ka deklaruar sërish se për mandatet tuaja do të zbatohet Kushtetuta, pra ato do të shpallen të pavlefshme dhe do të zëvendësohen me mandate të tjera. Sa e mundur është një gjë e tillë?

Më pyetët më sipër për shkaqet e kërcënimeve të Kryeministrit, kësaj Jozefinës apo edhe “Dhëmbit të Qenit”, adresuar deputetëve të opozitës. Dua t’ju them: E gjitha vjen për shkak të masivizimit historik të popullit të opozitës, frikës nga populli dhe vetëvendosja ë tij.

Të gjithë këta, kanë kuptuar se populli i opozitës që është në bulevard, mes zyrave të tyre, nuk kthehet më në shtëpi! Kërcënojnë e bërtasin për t’i nxjerrë frikën vetes. Nuk trembin më askënd. Me anë tjetër, u përpoqën pa fund, me thes me lekë hedhur kurrizit, nëpër Tiranë e gjithë vendin, për të blerë deputetë, për të bërë pushtetin e tyre funksional! Nuk ja dolën dot! Pushteti i tyre politik nuk mund të legjitimohet e as të bëhet funksionues me mandatet e deputetëve të opozitës.

Të gjithë shqiptarëve që e ndjenë të largët arsyen e mosprezencës së deputetëve të opozitës në Parlament, dua t’u them: Prezenca e opozitës në Kuvend nuk kërkohet për heqjen e vizave, ai nuk është një vendim që e marrin shqiptarët! Prezenca jonë kërkohet për të legjitimuar pushtetin e pa ligjshëm të FAMILJES që na qeveris; për të legjitimuar mandatet dhe dhunën qeveritare, shpëtuese, mbi drejtësinë, të Bashës, Mediut; për të legjitimuar mos procedimin penal të Sokol Olldashit për shembjen e dëmin kolosal në tunelin e rrugës së Kombit; për të ndarë me opozitën koston e arkës bosh të shtetit; për të ndarë më opozitën efektin e rritjes se çmimit të energjisë; për të ndarë me opozitën pakënaqësinë ekstreme nga rritja me 20% të taksave për shërbimet; për të bërë bashkëpërgjegjëse opozitën për falimentimin e ekonomisë! Të gjitha këto, do të ndodhin e do të bien në kurriz të çdo shqiptari! Ne nuk duam t’i legjitimojmë me mandatet tona! Përfundimisht!

***

Grupi i PS: Berisha t’i lërë skenarët e ’97-s

UPDATE – Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka përsëritur edhe njëherë sot vendosmërinë për të mos hyrë në Kuvend pa u zbardhur zgjedhjet dhe i ka bërë thirrje kreut të qeverisë të heqë dorë nga agresioni mafioz dhe skenarët e 1997, pasi në të kunërt do mbajë përgjegjësi historike e ligjore.

Pas mbledhjes së grupit të PS-së, deputetet të gjithë bashkë dolën në një konferencë për shtyp, ku shprehen publikisht qëndrimin e tyre përballë një situate aspak të paqtë politike në vend. Sipas tyre, “Partia Socialiste është më e vendosur se kurrë të vazhdojë betejën për e votën e lirë”.

“Jemi të bindur për të vzahduar protestat bashkë me shqipëtarët për të cilët liria e votës është garanci e cdo të drejte. Ne deputetët socialistë, duke falenderuar qindra mijra shqipëtarë që na mbështesim jemi gati të përballemi me diktatorin e fundit në Europë”- tha deputeti Blendi Klosi, duke lexuar deklaratën e përbashkët të deputetëve socialistë.

Ata kërkuan nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, që të garantojë transparencen e proçesit zgjedhor.

Duke i kërkuar Kryeministrit që të heqë dorë nga gjuha e skenarëve te vitit 1997, deputetët e PS-së theksojnë se nuk do të jenë pjese e Kuvendit, për aq kohe sa ky institucion vepron nën interesat e familjes së Berishës.

“E paralajmërojmë kryeministrin të heqë dorë nga gjuha e viti 1997 përndryshe do të mbajë jo vetëm përgjegjësi historike por edhe ligjore”- tha Klosi.

***

Aleanca punisto- mafioze

Duke i konsideruar politikanët drejtues të protestës së opozitës si një aleancë punisto-mafioze, kryeministri Sali Berisha është shprehur edhe njëherë shpërfillës ndaj ultimatumit për hapjen e kutive.
Madje, ai ka deklaruar se do të veprojë me forcën e ligjit dhe se asnjë ‘aleancë punisto-mafioze nuk do të dhunojë rendin demokratik dhe legjitimitetin e institucioneve kushtetuese’.

Deklarata është bërë sot pas mbledhjes së grupit të deputetëve të PD-së.
Aleanca punisto-mafioze nuk do mund të dhunojë rendin demokratik dhe legjitimitetin e institucioneve kushtetuese të vendit. Do t’i shkulim me darët e ligjit një nga një të gjitha dhëmbët e dhëmballët aleancës puniste-mafioze derisa mos t’i ngelet me asgjë në gojë“,- tha Berisha.
Sa për afatin e vendosur nga opozita për hapjen e kutive, ose për zgjedhje të parakohshme, Berisha ka theksuar: “Unë ultimatumet i marr si nder. Ne do të vazhdojmë me përpjekjet dhe planet tona”- tha ai, duke shtuar se “8 dhjetori nuk do të jetë një anti-miting, por është festa e idealeve europiane të gjithë shqiptarëve”.
Më tej, ai ka kujtuar se ky përvjetor gjen në pushtet ata që përmbysën diktaturën dhe shembën “Murin e Berlinit”.