
Erald Kapri, 27.06.2010
Krimi i organizuar ndërkombëtar, i lidhur edhe me disa trafikantë droge shqiptarë po tenton të hyjë në Shqipëri, ndërsa një pjesë e krimit të organizuar prej kohësh pastron para në vendin tonë nëpërmjet operacioneve të sofi-stikuara investimesh. Ky është konkluzioni i Shërbimit Informativ Shtetëror në raportin e tij vjetor dërguar Kuvendit të Shqipërisë, një raport që u lexua 4 ditë në parë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, por me dyer të mbyllura.
Raporti u bë dje publik nga deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, para Këshillit Kombëtar Ekonomik në PS, i cili lexoi para medias disa të dhëna konfidenciale të tij, për mënyrën se si krimi i organizuar pastron para në tregun shqiptar apo po tenton të investojë në vendin tonë. “Njëri prej institucioneve kushtetuese, më të rëndësishëm e më profesional në Shqipëri, Shërbimi Informativ Shtetëror, tri ditë më parë, në një raportim serioz e të përgjegjshëm para deputetëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit të Republikës, konkludoi kështu: Ekonomia shqiptare është në krizë dhe nën agresion kriminal, por edhe politik strategjik, me qëllim diktimin e ndryshimit të linjës politike strategjike të pozicionimit e zhvillimit të vendit”, deklaroi deputeti i PS-së, Edjon Braçe.
Ai vijoi më tej, duke lexuar të dhënat e raportit të shërbimeve inteligjente shqiptare, ku sipas tij “kriminaliteti i rrezikshëm dhe i organizuar, që po realizohet me efikasitet është prodhimi dhe falsifikimi i kartëmonedhave dhe bonove të privatizimit në vend, ose futja e tyre nga jashtë me destinacion tregun shqiptar dhe origjina mbetet Serbia, Bullgaria dhe Maqedonia”. Duke iu referuar raportit, Braçe tha se “investimet direkt apo indirekt të produktit kriminal të përfituara po bien dhe ndërkohë grupet e huaja po punojnë në këtë fushë nëpërmjet operacioneve të ndërlikuara bankare në Shqipëri”.
Më tej deputeti i PS-së tha se “disa narkotrafikantë shqiptarë rezidentë në vendet e Amerikës Latine, po tentojnë të përfshihen në fusha investimesh të rëndësishme në Shqipëri”. Ai tha se organizata mafioze kalabreze, mbiveprojnë mbi shtetas shqiptarë nga një prej qarqeve më të rëndësishme dhe më të pasura të Shqipërisë” dhe që grupe të tjera mafioze italiane kërkojnë të investojnë në Shqipëri, kryesisht në lojërat e fatit, ndërtimeve dhe turizmit. “Informacione të shumta të mbërritura dëshmojnë se Shqipëria është tashmë në fokusin e investimeve të dyshimta ruse. Konfirmohet interesimi për blerjen e tokave në bregdet dhe zonave të ndryshme turistike”, deklaroi Braçe.
Deputeti i opozitës tha më tej se së bashku me deputeten Rudina Seseri disponojnë dokumentacion origjinal për veprimtarinë e shumë kompanive të huaja në Shqipëri, që po investojnë në shumë fusha, që sipas Braçes, janë të lidhur ngushtë me njerëz të veshur me pushtet. “Sa më shumë heton në këtë proces, aq më shumë shtohen rastet kur përfitues të këtyre kontratave koncesionare rezultojnë politikanë, deputetë, familjarë të tyre apo grupe të rëndësishme financiare kliente politike tek Qeveria vendimmarrëse. Në krye të listës së përfituesve qëndrojnë dy gra deputete të PD, B.L dhe V.A, secila me nga dy kontrata koncesionare në energji”, deklaroi Braçe, dje në Këshillin Kombëtar të Ekonomisë pranë PS-së.
Të dhënat e raportit të SHISH
Kriminaliteti i rrezikshëm dhe i organizuar që po realizohet me efikasitet është prodhimi dhe falsifikimi i kartëmonedhave dhe bonove të privatizimit në vend, ose futja e tyre nga jashtë me destinacion tregun shqiptar dhe origjina mbetet Serbia, Bullgaria dhe Maqedonia.
Mashtrimet financiare tashmë nuk evidentohen vetëm gjatë realizimit të kontrabandës, evazionit fiskal, prokurimit publik, por edhe duke krijuar skema piramidale të kamufluara si veprimtari në fushën e sigurimeve dhe origjina e këtij aktiviteti është Shqipëria, Kosova e Maqedonia.
Produkti kriminal i përfituar nga narko-trafiku vijon të investohet në blerje trojesh, ndërtim, blerje të mjeteve të rënda që përdoren në industri, por edhe në industrinë e lehtë dhe ushqimore.
Mallra të cilat kontrabandohen dhe që krijojnë realisht shqetësim për ekonominë e vendit janë ato të akcizës, kryesisht kafe, cigare e karburante, gjithashtu është rritur tendenca e kontrabandimit të mallrave të markave, duke përfshirë konfeksionet, elektroshtëpiake dhe elektronike. Qoftë për lëndën e parë, qoftë për produktin, origjina është Kina.
Vepra kriminale e pastrimit të parave në Shqipëri dhe në Ballkan po shkon drejt sofistikimit. Investimet direkt apo indirekt të produktit kriminal të përfituara po bien dhe ndërkohë grupet e huaja po punojnë në këtë fushë nëpërmjet operacioneve të ndërlikuara bankare në Shqipëri.
Disa narkotrafikantë shqiptarë rezidentë në vendet e Amerikës Latine, po tentojnë të përfshihen në fusha investimesh të rëndësishme në Shqipëri
Organizata mafioze kalabreze, mbiveprojnë mbi shtetas shqiptarë nga një prej qarqeve më të rëndësishme dhe më të pasura të Shqipërisë. Grupet kriminale, kazaleze, napolitane, po shprehin dëshirën të investojnë në Shqipëri në drejtim të ngritjes, apo blerjes së kazinove, si në Malin e zi e Maqedoni.
Organizata mafioze në Ndrrageta, nëpërmjet disa lidhjeve të saj me disa shtetas italianë të paraqitur në Shqipëri si investitorë të fuqishëm po synojnë të investojnë në vendin tonë në fushën e ndërtimeve.
Informacione të shumta të mbërritura dëshmojnë se Shqipëria është tashmë në fokusin e investimeve të dyshimta ruse. Konfirmohet interesimi për blerjen e tokave në bregdet dhe zonave të ndryshme turistike gjithashtu. Disponohen të dhëna se elementë të krimit të organizuar izraelit po synojnë tregun shqiptar të lojërave të fatit dhe investime në fushën e energjetikes.
Reagon Demi: Jashtë etikës deklarata e Braçes
Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend, Leonard Demi, reagoi dje pas deklaratave të deputetit të PS-së Erjon Braçe, i cili lexoi pjesë të raportit të SHISH. Ky raport u raportua në komision me dyer të mbyllura, gjë për të cilën, Demi tha se është jashtë çdo etike ajo që deputeti Braçe deklaroi. “Zoti Braçe nuk është anëtarë i këtij komisioni dhe nuk ka qenë gjatë raportimit të kreut të SHISH në komision”, tha Demi. Më tej ai shtoi se në komision u raportua ndryshe. “Në komision u raportua se Shqipëria është vendi më i sigurt. Është jashtë çdo etike ajo që Erjon Braçe deklaroi”, tha në reagimin e tij Demi.







