Braçe: Krijuam Berishën diktator

0
24

Është koha për betejë popullore

TIRANE – Deputeti socialist, Erjon Braçe ka reaguar nëpërmjet profilit në Facebook, duke kërkuar nga vetë partia e tij një reagim më të fortë popullor kundër Berishës, pas shkarkimit të kreut të SHISH.

Braçe tha se nuk mjafton të vërejmë vendin teksa shkon drejt shtetit njëpartiak, siç ka deklaruar dhe “udhëheqësi i lartë socialist”, ndërsa shtoi se ndërkohë që PS krijon mëdyshje mbi reagimet ndaj Berishës, “ai po bën çmenduri pas çmendurie, vetëm sa po i heqin nervin e reagimit, kundërshtimin, refuzimit, betejës kundër kthimit pas në një regjim autokrat deri totalitar”.

Nga ana tjetër, deputeti socialist tha se për një betejë popullore më parë duhet të bindet vetë Partia Socialiste, e më tej për këtë qëllim duhet “bashkim dhe mosbashkëpunim në asnjë rast, në asnjë rrethanë me regjimin”.

Ai tha se që prej zgjedhjeve lokale të 2011-ës, ka “folur e bërtitur kudo në ambientet e Ps që po shkon drejt kësaj gjendjeje”, por vijon ai, – dëgjojnë, të japin të drejtë po kaq, deri këtu, sepse më shumë e mendojnë si sulm ndaj Kryetarit. Jo jo, nuk është sulm të pranosh gabimin, ta korrigjosh, për më tepër kur nga ky korrigjim varet e ardhmja demokratike e vendit”.

Në vijim të kritikave ndaj mungesës reale të reagimit kundër Berishës, Braçe tha se mesazhi që përcjellin analistët si Nazarko, Kikia e “profesor Klosi” ku e quajnë emërimin e kryetarit të SHISH si arsye për tu trembur, në fakt duhet të jetë ai i betejës kundër së keqes dhe jo i frikës.

“Si thonë, diktatorët nuk lindin të tillë, ata i bën diktatorë mungesa e reagimit, mefshtësia dhe frika e popullit”, shkruan Braçe.

Së fundmi deputeti socialist tha se nuk është dakord as me analistin Mustafa Nano kur shkruan se “Tani është vonë për ta ndalur Berishën”, pasi sipas tij nuk është vonë asnjëherë për një betejë të drejtë.

“Vazhdon te me ushtoje ne vesh: E VJETRA SHEMBET”, përfundon reagimin e tij në Facebook deputeti i PS-së, Erjon Braçe.