Braçe: Bujar Nishani të hetohet për korrupsion

0
63

TemA Online, 16 Gusht 2013

Deputeti socialist, Erion Braçe, ka kërkuar hetimin e presidentit për korrupsion në lidhje me dekretin për kalimin e SHQUP-it nën pronësi të PD-së.

“Media raportoi ditë më parë se familja e presidentit ka interesa të drejtpërdrejta ekonomike, pronësore në atë godinë, që duhet të mbesë bosh sa më parë.

Nëse kjo provohet, atëherë presidenti Bujar Nishani duhet vënë nën hetim përmes një procesi parlamentar për korrupsion. Nëse provohet, krimi i tij është shumë i rëndë. Kjo histori duhet të hetohet me çdo kusht”, thotë Braçe.

Sipas tij, me pronat e ushtrisë është bërë një masakër e vërtetë, duke nisur që nga pronat e klubit sportive Partizani, nga të cilat përfituan edhe familjarët e Berishës.

“Pronat e ushtrisë kanë vite që janë kthyer në objektin e përfitimeve të paligjshme të një grushti politikanësh dhe familjarëve të tyre.

Në një rast të mëparshëm, po në Ministrinë e Mbrojtjes, klubi sportive Partizani dhe territori i tij iu kthyen disa ish-pronarëve, mes të cilëve figurojnë edhe pjestarë të rrethit familjar të Sali Berishës”, tha ai.

Braçe shprehet se mazhoranca e re nuk duhet të kompleksohet nga akuzat për revansh ndaj institucioneve, por duhet të hetojë shkeljet e zyrtarëve të lartë, duke nisur që nga presidenti.

“Maxhoranca e re nuk duhet të kompleksohet nga akuza në mbërritje të kësaj bande për gjoja revansh ndaj institucioneve. Kur drejtuesit e institucioneve shkelin ligjin, kushdo qofshin, duhen hetuar. E nëse faji provohet, duhen ndëshkuar. Tani është koha. Për këtë na votuan shqiptarët”, shprehet deputeti socialist./b.l