TemA, 19 Korrik 2013
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të hapur kutitë në qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës.
Braçe tha se Berisha po ndryshon rezultatin në tavolinë siç bëri në vitin 2011.
“24 ditë pas dorëzimit të kutive me fletët e votimit në magazinat e tij e që administrohen nga ai: KQZ e Partisë Demokratike po ndryshon rezultatin e zgjedhjeve! Më qartë: pas 24 ditësh në bodrumet e tij, po gjen fletët e votimit që nuk i kanë gjetur 4 numërues e 7 komisionerë duke përfshirë dhe komisionerët dhe numëruesit e partisë e koalicionit të tij! Ky është krim.
Po merret si shembull Lezha dhe po dhunohet opinioni publik që të harrojë seç ka ndodhur në Lezhë; Në Lezhë, para ditës së zgjedhjeve: janë rrëmbyer e rrahur komisionerët e opozitës; Në Lezhë ditën e zgjedhjeve: janë vrarë njerëz të opozitës; qendrat e votimit për orë të tëra kanë qëndruar pa komisionerët e opozitës; në qendrat e votimit janë kthyer mbrapsht të kërcënuar me armë votues të opozitës; në qendrat e votimit kanë “votuar” masivisht votues që nuk kanë shkelur në Shqipëri prej vitesh, as atë ditë nuk kanë qenë etj, etj.
Në Lezhë ka ndodhur krim dhe krimi nga dhunimi barbar deri në vrasje ka ndodhur ndaj opozitës! KQZ me katër njerëz, të gjithë të Partisë së Sali Berishës, përsëritës siç Osmani, Shtjefni e Zguri: po kryen krim! Po ndryshon qartësisht vullnetin e zgjedhësve! Ky krim po shkatërron zgjedhjet dhe po e çon vendin drejt një konflikti që s’do ketë fund!” thotë Braçe.
Por Oerd Bylykbashi, deputet i ardhshëm i PD dhe ekspert i çështjeve zgjedhore pranë kësaj partie thotë se ky është një mësim që po u jepet horrave të zgjedhjeve.
Ai tha se manipulimet tregojnë qartë se fitorja e Partisë Socialiste bazohet tek paratë e trafiqeve dhe drogës.
Sa i përket reagimit të PS, Bylykbashi thotë se katër vite më parë, kur PS kërkonte hapjen e kutive, nuk kishte prova, kurse tani provat janë të qarta.
Sipas tij, rinumërimi i shërben shërimit të proceseve zgjedhore./ep