Bota reale

1
55

Nga Enton Palushi

Kjo që mbyllëm ka qenë një javë me deklarata interesante nga ana e Ministrit të Financave, Ridvan Bode. Në një nga forumet që organizohen në hotelin më luksoz në Tiranë, ai u tha shqiptarëve se duhet të harrojnë se do të rikthehet më ajo periudhë e artë kur kishin para nëpër duar. Më pas u përplas me misionin e FMN-së në vendin tonë për disa gjëra. Fillimisht për rritjen ekonomike. Ndërsa FMN thotë se ajo do jetë 2.7 përqind, për Boden rritja do jetë sa dyfishi i kësaj shifre. Nuk është shaka kjo punë se këto nuk janë shifra bixhozi.

Ndërsa FMN bëri thirrje për të ulur borxhin e rritur taksat, ai tha se borxhin do e ulin e taksat nuk do i rrisin. Ndërkohë ka pranuar se do ketë shkurtime në shpenzime me shpresën se ato do mbajnë në jetë shtetin, njësoj si pronari i ekipit të Barcelonës, që thotë se nuk do bëhen më fotokopje më ngjyra, por vetëm bardhezi për të kursyer 30 mijë euro në vit në klubin e zhytur në borxhe që kapin shifrën 400 milion euro.

Por deklarata më e çuditshme e tij ishte se “modelet statistikore nuk bëhen realitet në botën e vërtetë”. Ta mendosh që gjithmonë kishim kujtuar se ishte e kundërta, se kjo punë e ekonomisë tonë ishte vetëm statistikë e qeverisë. Por tani na del se qeveria e njihka botën reale, kurse statistikat ia ‘fusin’ të tjerët.

Po cila është bota reale e qeverisë sonë?

Një zëvendës i Bodes, duke folur në një takim në Slloveni, u tha të pranishmëve se kriza greke po e dëmton shumë rëndë ekonominë shqiptare. Kurse në Tiranë, kryeministri u thotë të huajve se kriza greke po na bën mirë, se po na kthen emigrantët.

Në Arabi një tjetër ish- zëvendës i Bodes u thotë gazetarëve se buxheti është boshatisur, ndaj u duhet mëshira e tyre për të ndërtuar… parlamentin e ri e për të vijuar projektet madhore. Kurse në Tiranë kryeministri u thotë me kënaqësi shqiptarëve se do ndërtojë parlamentin më modern në Europë. Ndoshta është pak të thuhet dhi e zgjebosur me bishtin përpjetë.

Por ka një gjë që mund e duhet të thuhet gjithmonë me plot gojën: nuk është nevoja t’ia thuash askujt që ka një krizë sepse ajo ndjehet. Nuk mund të bëhet demagogji në emër të rikthimit të emigrantëve, kur është krejt e qartë për shumëkënd se si kanë dështuar ata në hapjen e minibizneseve në Shqipëri, duke hedhur dëm paratë e fituar me mund. Nëse ky vend është çorap e nuk ka as statistikë e as sondazhe të sakta, mjafton të hedhësh një sy në forume për të kuptuar se ç’mendojnë emigrantët për rikthimin.

Por ndërsa këto të Bodes janë limonatat e zakonshme, që do thartonin çdo njeri, të bie ajo që thotë guvernatori i Bankës së Shqipërisë për nevojën e një modeli të ri ekonomik në Shqipëri. Në këtë mënyrë kupton se ka pasur një model, që tani ka dështuar. E në këtë mënyrë vijmë tek një pyetje thelbësore, a ka pasur dhe ka një model ekonomik kjo e djathta e Berishës? Për të shkuar më përtej, aty ku ka dëshirë të shkojë edhe kryeministri, a është kjo e djathta blu e Berishës si të djathtat e tjera, që kanë bërë Europën blu (edhe pse ai e di shumë mirë që bluja e tij nuk është e çdo të djathte)? Jo dhe jo.

Ajo që ka ndodhur në këto vite është se kemi vijuar të punojmë në atë thuajse model që la qeverisja e mëparshme socialiste, duke bërë ndonjë kurim të vogël e duke lëshuar nga këto çmenduritë e Berishës, p.sh bomba në mes të arkës së shtetit siç ka ndodhur me rrugën Durrës- Kukës. Ky është model që i ofron edhe Basha Tiranës. Do bëjë ca kurime të vogla, do lëshojë disa leje ndërtimi për të kënaqur interesat e bizneseve pranë tij dhe do lëshojë një bombë në arkën e qeverisë e të bashkisë me Unazën e Madhe. Kjo është alternativa që ofron kjo qeverisje. Nuk ka asnjë tjetër.

Janë ëndrra në diell ato për Shqipërinë e zhvilluar në vitin 2017, ëndrra që i shpik një njeri që nuk do të bëjë zgjedhje të lira në këtë vend. Nuk ekzistojnë në këtë vend ashtu siç pretendohet një seri reformash që duhet të vazhdojnë përtej një mandati. Nuk ka asnjë histori të tillë që duhet mbaruar një punë e nisur. Këtu është siç e thotë analisti Gabriel Partosh si në të gjithë Europën postkomuniste: asnjë qeveri nuk votohet më shumë se një mandat. Kjo nga frika e rikthimit të erës së monizmit, por edhe se nuk ka asnjë reformë për të vijuar. Kjo është bota reale, të tjerat janë fjalë seminaresh.

1 COMMENT

Comments are closed.