Bota është e atyre që digjen

0
49

Ardian Ndreca, 14 Tetor 2012

Ka kalue shumë kohë qysh se mendimtari francez Julien Benda (1867-1956) botoi librin e tij La Trahison des clercs (1927), ku skaji “clerc” shenjon intelektualin, atë që i përkushtohet gjithë jetën vetëm së vërtetës. Kur tradhtojnë intelektualët – simbas Julien Benda-s? Kur ata e shesin vetveten kurma-kurma në dugajën e politikës, prej së cilës paguhen me pare në dorë.

Intelektuali duhet të ishte nji lloj murgut që lutet vetëm në tempullin e së vërtetës. Tek ne, politika, në hymje të atij tempulli ka ngrehë çadrat e kodoshllekut e kështu që intelektualit i takon me u ndalë ma së parit n’ato çadra, ku bjen era perç, për me i ba rixhâ djallit e mandej me hy, i përlyem si zog dreqit, në nji tempull që s’asht ma i tiji.

Interesat praktike, pasionet politike, etja për pushtet, për pasuni të pameritueme e për ndere boshe e çojnë intelektualin drejt tradhtisë së misionit të tij.
Nji pjesë e tyne thotë se asht e kotë me folë pse këtu tek ne gjysma e dheut asht si bagtia e Ndreut, apo “e ka hangër dreqi ketë vend”, apo “ky ishte fati ynë”! Kjo filozofi asht rezultati, madje triumfi i poshtërsisë ndër ne.

Orfeu, shkruen Julien Benda, sigurisht që nuk mtonte me vijue me i zbutë egërsinat me muzikën e tij deri në ditët e mbrame të njerzimit, por të paktën ai e dinte se ajo muzikë do ta shpëtonte atë vetë pa u kthye në kafshë.

Kjo asht dilema: kafshë ose njeri, rrugë tjetër nuk ka.
Gjithnji e ma tepër nji shumicë intelektualësh po ndjekë rrugën e turpshme të heshtjes, atë që i siguron jetesën dhe karrierën e mjerë, e cila në shumicën e rasave përkon me rrugën e natyrshme drejt harresës së pashmangshme.
Nji pjesë tjetër intelektualësh i asht dhanë me mish e me shpirt politikës tue shpresue me marrë prej saj ma shumë mish sesa shpirt.

Ka disa që zbythen vjedhtaz e s’e hapin gojën pse pushteti ua ka rregullue gratë apo burrat, apo edhe ata vetë, në poste publike që në kushte normale s’do t’i kishin pa as me teleskop; ka sish që e kanë skjepin plot me miradina për shkak të zyrës a mehmurllekut, që iu asht dhanë për merita partiake, këta e dijnë mirë se po folën shprrallohen menjiherë; ka tjerë që kanë qenë hafije të Sigurimit dhe ulin kryet pse e dijnë se o Nexhmija o Berisha ua ruejnë ndonji gja të vogël në sirtar; ka sish që duen me ec përpara, makarè tue shkelë mbi çdo vlerë, tue rrejtë me kandar e me tefter, por aq u ban, zelli prej brejtësish i shtyn me ulë kryet; ka tjerë që tryeza e blertë apo pasione tjera ma sportive i kanë lidhë keqas e s’mund ta çilin gojën; ka tjerë që edhe pse të zotët në vetvete janë të zhburrnuem e bubrrojnë gjithnji në hije si kaçamij; ka do tjerë që më duken si luftanije që kalben në plloska të qelbta; disa-disa janë shitë për nji pjatë thierrza a për tridhjetë aspra e kur t’u mbarojnë shûjta që kanë përpara kanë me nisë rishtas me qitë shqelma.

Me shpallë të vërtetën dhe me çue zanin kundër padrejtësive dhe poshtërsive që po ban faqe botës klasa e sotme politike shqiptare nuk don me thanë me qenë domosdoshmënisht me palën tjetër politike.
E vërteta nuk ka palë politike, ajo ka vetëm vetveten, e kur nji intelektual nuk don me e njohtë të vërtetën faqe botës ai asht ma i keq se ai gjysëm analfabeti që s’ka sy për me e pa atë.

Nuk asht çudi atëherë që në politikën shqiptare, intelektualët që e kanë dhanë veten me qira sidomos andej ku losin paret, gjinden nën hyqmin e injorantave dhe idiotëve të mirëfilltë. Po hyne në lojë dhe pranove rregullat e saja si të mirëqena, duhet ta dijsh se edhe autogoli njehet si pikë.
Procesi i alfabetizimit tek ne ka qenë si vaksina kundër lisë, shihet vetëm nji shenj i vogël në lëkurë e asgja ma shumë. Nji pjesë e madhe, falë atij shenji magjik, quhen intelektualë, por moralisht janë plehna e prej tyne Shqipnisë nuk ka me i ardhë kurrnji e mirë.

Le t’i nxejnë duert tek flaka e pishtarëve të gjallë, le t’i numrojnë paret në terr, t’i kalojnë pushimet në Junanistan a në brigjet e Antalies, të ngërdheshen ekraneve e gazetave si shnjalli me shnjallin, të shnjerzohen me vetë dreqin, por s’kanë me fitue gja kurrë.
Siç shkruente pak orë para ekzekutimit në vitin 1937, intelektuali idealist Ismet Toto: “Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen”.