Bosi i ruletës

0
39

Arben Rrozhani, 23.10.2010

Zyrtarisht, Shqipëria është në krizë të thellë politike prej zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, kur edhe pse nuk mori votën popullore, por falë bixhozit politik, kryetari i PD-së është ende kryeministër, ndërsa fituesit realë të zgjedhjeve janë në opozitë.

Dhe pa zgjidhur këtë ngërç, pa afruar palët për të gjetur zgjidhjen që nuk do të përsëriste më këtë skenar të shëmtuar, është e stërthënë se vendi nuk do të gjejë paqe dhe nuk do të ketë asnjë reformë integruese.

Që qeveria aktuale nuk ka ndërmend të lëshojë asgjë për të bërë transparencën e atij procesi të manipuluar zgjedhor, kjo është e ditur botërisht edhe pse ka ende një fije besimi se një ditë shumica fiktive në pushtet do të përkulet para protestës së opozitës dhe kërkesave të faktorit ndërkombëtar për të zgjidhur ngërçin politik në tavolinë.

Por, ka edhe më keq. Në misionin për të qenë një shumicë që nuk është, në shërbim të formimit të numrave që nuk ka në Kuvend, PD-ja, ka të vetmin mekanizëm shpëtimtar, atë që di të bëjë më mirë: manipulimin.

Dhe mu në Kuvendin që përfaqëson shumicën fiktive produkt i deformimit të vullnetit të zgjedhësve shqiptar në 28 qershor 2009. Mjaftojnë disa ilustrime të kohëve të fundit.

Në seancën plenare të 30 shtatorit 2010, në Kuvendin e Shqipërisë dështoi, ose më saktë u dështua me sukses, në favor të mjeshtërve të manipulimit, sistemi i ri elektronik i votimit. Në hapjen e procesit të listë-prezencës, fillimisht edhe pse në sallë ishin 71 deputetë, kompjuteri llogariti 74.

Kartat e dy deputetëve të PDU-së, Shpëtim Idrizi, Dashamir Tahiri dhe karta e deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti, ishin në vendin e tyre, edhe pse ata fizikisht ishin mijëra milje larg vendit, deputetët e PDU-së në SHBA, ku po lobonin mbi çështjen “çame”, ndërsa ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, në Vjenë.

Deputetët thanë se i kishin lënë kartat në Kuvend, pra në duart e administratës së zonjës Topalli, e cila nuk rrezikoi t’i llogarisë këto vota, sepse nuk i duheshin.

Skandali tjetër ndodhi dy javë më vonë në 14 tetor, po në seancën plenare të së enjtes. Para hapjes së procesit të votimit në sallë për disa projektligje të rëndësishme, spikerja Topalli deklaroi se në sallë ishin të pranishëm 132 deputetë, kur dy projektligjet e para u votuan pro 74, ndërsa 54 deputetë të tjerë nuk morën pjesë në votim.

Disa orë më vonë spikerja e Kuvendit deklaroi se projektligjet ishin miratuar me 76 vota pro dhe se mazhoranca qeverisëse i kishte numrat më shumë se sa i duheshin. Deputetët e opozitës kërkuan tabulatet e votimeve, por ato nuk u dhanë.

Skandali më i fundit po në sallën e ligjvënësve të Shqipërisë ndodhi dy net më parë, kur e ashtuquajtura shumicë në Kuvend ra “zyrtarisht” në 70 vota, pra aq sa nuk i mjafton për të mos qenë e aftë të jetë më shumicë. Dhe si u bë kjo? Duke bërë një votim të hapur me një elektronikë që manipulohet kollaj, aq sa për të vjedhur edhe vota deputetësh.

Normalisht duhet të ishte një votim i fshehtë, i cili do të nxirrte, atë pushtet real që ka partia e kryeministrit Sali Berisha, i cili preferon dhe e ka mjet të ekzistencës vetëm votën e hapur, me anë të cilës intimidon deputetët e vet dhe i mban ende të lidhur me pahir në kampin blu.

Por edhe ajo votë e hapur u vodh hapur. Deputeti Fatmir Toçi nuk arrinte të votonte në “ruletën” e kuvendit të Shqipërisë, sepse ajo komandohej nga bosi i kazinosë politike. Toçi u detyrua dje të bënte edhe sqarimin personal, që do të ishte në rastin më të parë një akt-akuzë për administratën e Kuvendit dhe spikeren e tij.

Ai edhe pse ishte i pranishëm, edhe pse kishte konfirmuar pak para votimit prezencën në sistemin elektronik të votimit, vota e tij nuk u pasqyrua në panelin elektronik dhe as në rezultatin përfundimtar.

Deputeti socialist uroi që vota e tij e mohuar të mos ishte manipuluar nga po ajo dorë që ka pasur gisht në manipulimet e vazhdueshme të votave të opozitës në Kuvend dhe sajimit të shumicave fiktive, apo edhe shuarjes së zërit të deputetëve socialistë. Vota e z.

Toçi do të ishte e rëndësishme, sepse do të ishte një votë më shumë për kundërshtarët e fushatës politike për heqjen e imunitetit të deputetit socialist, Ilir Beqja, dhe me të vetëm dy vota “shpirtrash të ndrydhur” në PD, do ta ndanin opozitën nga pozita e sajuar.

Këto ndodhën pra në sallën e Kuvendit, të ribërë me paratë e shqiptarëve këtë verë, plot 1 milion euro, që pas luksit dhe ndriçimin, fshehin planin e errët për të vjedhur edhe votën e deputetëve në Kuvend.

Votimi i të enjtes mbrëma duhej të ishte dje për opozitën akt-akuza e radhës për kryeministrin, i cili dje kishte organizuar spektaklin e radhës për t’iu treguar shqiptarëve dhe botës se është njeriu i “duarve të pastra” që është i përvëluar për të parë një Kod të ri Elektoral, zgjedhje të ndershme dhe shprehje të vullnetit real të vullnetit të zgjedhësve shqiptarë.

Por, para se të nisë procesi i ri i vjedhjes së zgjedhjeve të radhës, duhet sqaruar e vërteta që fshihet te kutitë e votimeve të 28 qershorit, të cilat jo më kot mbahen peng nga bosi i ruletës politike në Shqipëri, sepse nga ato fletë mbahet shumica fiktive në Kuvend dhe pushteti i tij, që ka treguar se nuk punon për shqiptarët.