Ndër mejtime
Arlinda Çausholli, 7 Nëntor 2012
Boshti i tokës ka lëvizur me 17 centimetra pas tërmetit të 9 ballësh të shkallës Righter të vitit të kaluar në Japoni. Agjencia amerikane për gjithësinë NASA e shpërndau lajmin e shkencëtarëve të vet duke nënvizuar se dita u shkurtua pikërisht prej lëkundjeve të mëdha sizmike të Japonisë, dhe pak më përpara, të tërmetit në Kili. Boshti i tokës kishte lëvizur. Ndërkaq, Toka jonë po pëson vuajtje dhe po kalon sfida të mëdha, që me uljen e numrit të stinëve nga katër në dy, uragani Sandy së fundmi, dhe deri në përcëllimin e verës e përmbytjet e panumërta në dimër. Ka lëvizur boshti. Pasojat janë të dukshme dhe hera-herës, të frikshme.
Kemi dhe një bosht tjetër që ka lëvizur. Boshti i njeriut. Nuk ka se si shpjegohen ndryshe kopjimet e këqija të vrasjeve, vdekjeve, veprimet e shëmtuara dhe luftën prej rëre që bëjmë të gjithë ne me njerëzit që kemi afër dhe larg, me njëri-tjetrin, me më të dobëtit. Jemi kapur pas lajmeve të sipërfaqshme, na pëlqen imitimi i keq i një tatuazhi, votojmë sondazhe pa pikën e kuptimit dhe punojmë me pasivitetin e një breshke. Nuk janë të gjitha të këqijat pasojë e dëshpërimit nga varfëria dhe etja për lekë. E keqja i ka hapur krahët edhe te ata që nuk kanë arësye të jenë të tërhequr masivisht drejt saj. Aq më tepër kur kanë një punë, kanë një familje dhe më e rëndësishmja, kur kanë dhe shëndetin.
Një bisedë me një kolege dhe njëherazi mikeshën time më ngasi të mendoja realisht se çfarë po ndodh me ne? Të frikësuar nga e ardhmja, me probleme integriteti, individualiteti, të pasigurtë në atë që japim dhe marrim, me probleme të vogla që i bëjmë të mëdha, sepse nuk kemi këmbët e duhura në tokë, pikërisht sepse boshti ka lëvizur? I dheut dhe i yni?
Kam parë shumë njerëz në vështirësi së fundmi. Njerëz të mirë, që janë në udhëkryqe jete, pune, biznesi, dashurie. Dhe njerëzit e mirë kanë qëllime të mira. Por e mira nuk mbahet vetëm. Duhet një forcë tjetër që këta njerëz, në pamundësinë tonë për t’i ndihmuar më shumë, të rrinë në këmbë. Ose të bien, por të ngrihen sërish. Ose me fuqinë mendore japoneze ”të bien shtatë herë, e të ngrihen në këmbë tetë”. Lindja e Largët ka hijeshi të veçantë në të tilla meditime…
Atëherë boshti? Si i interpretojmë gjërat. Ky është boshti i njeriut. Çelësi i gjithçkaje nëse duam të ecim përpara e të jetojmë mirë me veten dhe të tjerët. Me përjashtim të rasteve fatale, kur jeta nuk ka shpëtim, interpretimi i përvojave tona të jetës dhe punës në mënyrën më pozitive të mundshme do të na bëjë më të fortë dhe të palëkundshëm. Të menduarit pozitiv. Nuk është idealizëm. As mënjanim nga realiteti. As ëndërr fluturake. Quhet entuziazëm. Dritë tjetër. Shans tjetër. Rezultat tjetër. Asnjë nga ne nuk dështon. I nënshtrohet një përvoje. Qoftë e mirë, lum ai. Qoftë e keqe, asnjëherë mjerë ai, sepse mësoi për vete dhe për të tjerët. Ky është boshti që mban njeriun. Ky është boshti që mban botën. Kështu mendoj. E kështu besoj.







