Sokol Balla
Këtë javë lindi një shtet i ri. Quhet Sudani Jugor. Të shtunën ata bënë përurimin, duke krijuar shtetin e 54-t të Afrikës. Disa media ndërkombëtare thonin se Sudani Jugor nis garën i fundit, përsa i përket varfërisë, por nisur nga mënyra sesi lindi si shtet, nuk jam edhe fort i sigurt se nuk kanë ndonjë pasuri, për të cilat dikush është i interesuar.
Turqit gjithashtu këto ditë bënë një lëvizje spektakolare: ministri i jashtëm i shumëpërfoluri Davutoglu, jo vetëm që vizitoi Bengazin, duke legjitimuar qeverinë rebele, por i premtoi 120 milion euro ndihma. Sigurisht këto ndihma fillimisht do të harxhohen për uniforma dhe armë. E të mendosh se nga porti i Bengazit çdo ditë konflikti, Libia humbet fiks 120 milion euro në ditë nga bllokimi i anijeve me naftë!
Çfarë ironie.
Këtë javë Atlantis, anija kozmike e fundit e misionit Shuttle, bëri udhëtimin e fundit në kozmos për t’u mbyllur pastaj në hangaret e Cape Canaveral. Jo se nuk punon. Thjesht është në punë prej më shumë se njëzet vjetësh. Gazetat e Miamit shqetësoheshin se kjo do të sillte pasoja në ekonominë e zonës dhe pushimin nga puna të mijëra punonjësve nga NASA. Por atje prevalojnë parime të tjera.
11 mijë kilometra më në lindje, disa kolegë dhe unë debatonim sesi si i fillonte emri gjykatëses që vendosi që jeta politike e Saliut, të sfidojë edhe moshën e anijes Atlantis: e ka Meriban, apo Neriban. Vendimi sigurisht ishte marrë para nisjes së Atlantis dhe para shpalljes shtet të Sudanit Jugor. Bile një ditë më parë kishte ndodhur edhe diçka tjetër: Xhelal Mziu kishte publikuar projektin e tij për modelin ekonomik të Shqipërisë. Në shumë fakultete – publike – u mbajtën provimet e pranimit.
Këtë e mora vesh nga një punonjëse e Top Channel e cila duke qarë më tregonte sesi shumë veta me kufje në vesh e me kopje në dorë, kishin marrë provimin, në sy të vajzës së saj që ishte ndjerë e pafuqishme. “Ja dhanë Lulit? Me kopje edhe këtij”. Një polic bashkiak që po bëhej gati të zëvendësohej nga kamzalitë, më tregonte sesi kreu i qarkut, kur i vëllai me dy diploma kishte shkuar t’i kërkonte punë, kishte marrë përgjigjen: “Shko të të gjejë punë Edi Rama”. Kështu funksionon PD: mban të vetët, mendon vetëm për “Sudanin” e saj.
Rama në dhjetë vjet, ishte ndryshe. Nga motra e Zana Turkut, te ajo e Fatmir Mediut, e deri tek seksioni i PD i ngritur në zyrën e taksave të qytetit, apo dhjetëra të tjerë PD-stë të kohës prej Sali Kelmendit, nuk ndjenë asnjëherë presion, përkundrazi mbajtën detyrat e tyre në “Bunkerin” e Ramës. Armiqtë e tij më të mëdhenj, sot po hapin gropat e themeleve të pallateve që u dha ai leje.
Këta armiq me gjasë lejet do t’i marrin prapë. Vetëm se ata PD-stët e vjetër, i kanë orët të numëruara. Listat janë gati. Shteti i ri i Sudanit ka shumë ushtarë që duhet t’i punësojë. Të tjerët duhet të pyesin: po tani?
“Pa kur t’i shohësh dervenë-dervenë, në vend të pushkëve gota dhe enë”. Nuk e kam për ushtrinë e Sudanit Verior, por për zogjtë e fushës që nisën cicërimat në universitete dhe fjalime në PDF. Kush mendon se Saliu mbaroi punë, gabon. Tani ai nis betejën e radhës: kërkon t’i sigurojë Lulit rival komod në opozitë.
Pas vendimit të Meribanit, një tjetër ngjarje e rëndësishme ndodhi në Tiranë. Presidenti Topi dekretoi në mes të vapës dhe një temperature 36 gradë Celsius, gardistët e Kosovës, për ndihmën që kishin dhënë në mes të dimrit në Shkodër. Një akt domethënës, kuptimplotë dhe në heshtje.
Edhe unë mora një vendim: do jetoj jashtë Tirane e do pres. Fillimisht do pres që zogjtë e fushës të godasin Ramën e lus Zotin që ta rrëzojnë, se më ka marrë shumë malli të merrem me PS. E pastaj për më gjatë, do pres si do jetë Tirana e Lulit. Ndoshta nga larg e në distancë do jem më i ftohtë, që pas katër vjetësh ndoshta edhe unë të dal e të bërtas: ”Bosha për Tirone!”
Me “e”, jo me “ë” në fund…