BORXHI PUBLIK SI ARMIKU PUBLIK

0
29

GENTI GAZHELI, 11 Shkurt 2013

I shtyrë nga kurioziteti për të mësuar më shumë mbi arsyet që çuan shtetet si Islanda dhe Greqia në fatalitet dhe buzë shkatërrimit po shfletoja librin e Jacques Attali “Të gjithë të shkatërruar në 10 vjet”.

Jack Attali, ish-këshilltar i Presidentit Miterrand, presidenti i parë i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, njeri me mendje të ndritur, është zgjedhur në maj 2008 nga “Foreing Policy Magazine” ndër 100 intelektualët më të mëdhenj të botës. Ai shpjegon historinë e lindjes së borxhit që në kohën e Greqisë së lashtë deri në ditët tona, duke i bërë apel politikës për të bërë kujdes me borxhin publik.

Borxhi publik lindi si domosdoshmëri për të konsoliduar pushtet, si forcë për të siguruar respektin e privilegjeve të pushtetit.

Do të jemi ne të shkatërruar në 10 vjet? Jemi ne duke shkatërruar fëmijët tanë? Kurrë, përveçse në periudhën e luftës totale, borxhi publik i vendeve më të fuqishme të botës nuk ka qenë më i lartë se sot. Kurrë ndonjëherë rreziku që peshon mbi nivelin e jetës dhe sistemin tonë politik nuk ka qenë kaq kërcënues.

Europa në veçanti, në qoftë se nuk do të ndalojë rritjen e borxhit publik sa më shpejt të jetë e mundur, atëherë kryeministrat e ardhshëm do të detyrohen të mos bëjnë asgjë tjetër veçse të ushtrojnë politikën e masave shtrënguese.

Që nga viti 2008 kur kriza u shfaq, janë larguar 21 kryeministra nga drejtimi i qeverive të shteteve europiane si Islanda, Portugalia, Spanja, Greqia apo Italia dhe Franca, ekonomia e të cilave dukej se ishte e konsoliduar dhe e përgatitur për përballjen e skenarëve të recesionit ekonomik.

Kushdo që lexon këtë libër do të kuptojë se kur shtetet me ekonomi të qëndrueshme dhe sistem financiar të strukturuar kanë probleme me borxhin publik, mund ta imagjinoni Shqipërinë dhe zhvillimin e saj modest, sistemin financiar të brishtë etj., sesa imune mund të jetë ndaj borxhit publik dhe problematikave që mbart në vetvete. Nuk duhet të harrojmë se shkatërrimi i shtetit nga borxhi publik është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me jetën sociale, ekonomike dhe cilësinë e saj për gjithsecilin nga ne. Shteti mbulon 50 për qind të shërbimeve publike në këtë vend dhe përfaqëson pjesën kolektive të shoqërisë. Një shtet i shkatërruar nga borxhet do të thotë më pak cilësi në shërbime, në spitale, në shkolla, në polici dhe në ndërtim rrugësh.

Sot, debati ekonomik dhe politik që vazhdon të zhvillohet, është se duhet kaluar limiti 60 për qind i borxhit ndaj PBB. Jam i mendimit që duhet pasur shumë kujdes për sa i takon borxhit të lartë publik, pasi ai vetë mbart rreziqe makroekonomike dhe fiskale. Duhet të jetë e sanksionuar në Kushtetutë që niveli i borxhit nuk duhet ta kalojë 60 për qind të PBB-së dhe kjo kërkon amendim kushtetues për të ndryshuar ligjin organik të buxhetit shtetit. Nuk mund të kalojë një ligj i një rëndësie të veçantë si ai i borxhit publik me votën e një shumice të thjeshtë, por me një shumicë të cilësuar, për vetë rëndësinë që ka ky ligj për pasojat që ai mbart dhe ndikimin e drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarit shqiptar.

Sot që flasim, niveli i borxhit pritet të rritet në 64 për qind. Nuk duhet harruar fakti që 2013-a është vit elektoral dhe qeveria në 6-mujorin e parë do të rrisë shpenzimet për fushatë.

Shqetësime kanë ardhur gjithashtu nga FMN dhe BB, të cilat ngulmojnë në uljen e borxhit publik.

Kambanat e alarmit po bien për kryeministrin që të dëgjojë FMN-në kur shpjegon rrezikun që i kanoset ekonomisë shqiptare dhe të reagojë sot, pasi nesër do të jetë tepër vonë. Kemi borxhin më të lartë në rajon.

Borxhet po mbysin çdo iniciativë për bizneset në këtë vend. Akumulimi i detyrimeve ndaj biznesit nga buxheti i shtetit ka ndikuar në mënyrë të tërthortë në rritjen e kredive me probleme. Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se kredia me probleme, që ka kaluar afatet e kthimit, ka arritur në shifrën 22.7 për qind. Vlera e faturave besohet të jetë në shumën prej 200 milionë eurosh, ku më shumë se gjysma e tyre u përket biznesit të ndërtimit.

Hendeku ku ka hyrë modeli ekonomik shqiptar nuk zgjidhet me një të rënë të lapsit, siç thotë populli, por kërkon një ndryshim rrënjësor të modelit ekonomik kombëtar. Kjo e fundit do të kërkojë Rilindje, një rimodelim dhe mentalitet të ri sa politik edhe ekonomik. Të gjithë të barabartë përpara mundësive dhe gjithsecili sipas aftësive. Do të fillojë një epokë e re për sipërmarrjen, një marrëdhënie e re ligjore dhe etike, e bazuar tek partneriteti dhe te zbatimi i ligjit. Motori i zhvillimit është biznesi. Do të jetë një proces reformash, por do të jetë i sigurt. Misioni ynë është një mision i mundur dhe jo një mision i pamundur.

Të njohim dhe t’ua bëjmë të njohur politikanëve tanë, të mos gënjejnë për realitetin, t’i bëjmë të njohur opinionit publik kërkesat afatgjata dhe kërcënimet në të ardhmen. Ky është leksioni i Jacques Attali.