BOMBA e Withers: Kjo qeveri nuk qeveris, por sundon. Zgjedhjet në Tiranë ishin një farsë

0
59

TemA, 16 Mars 2012

Ish-ambasadori amerikan shigjeton rëndë qeverinë: Basha e Berisha nuk besojnë tek idealet demokratike. Në Shqipëri është cenuar e drejta themelore, ajo e votës

Ish- ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, ka dhënë një intervistë me tone jashtëzakonisht të forta për revistën JAVA. Revista do dalë në treg të shtunën, ndërkohë që paraprakisht po u sjellim disa pjesë nga intervista e fortë e Withers. Ai thotë se në Shqipëri qeveria sundon dhe nuk qeveris. Ai thotë se zgjedhjet në Tiranë ishin një farsë dhe në vend është cenuar e drejta themelore, ajo e procesit elektoral. Withers thotë se Berisha e Basha nuk besojnë tek idealet demokratike. Withers flet me tone të ashpra për çështjen e Gërdecit. Më poshtë pjesë nga intervista e Withers:

Qeveria nuk lejoi të dalë në shesh e vërteta e Gërdecit

– Reagimi i qeverisë ndaj tragjedisë së Gërdecit mbetet një prej dështimeve të saj më të mëdha. Nuk duhet harruar kurrë se në radhë të parë Gërdeci është një tragjedi njerëzore. Teksa fragmentet e mprehta e të përvëluara të metalit ranë si shi nga qielli, njerëzit humbën të dashurit e tyre, përfshirë fëmijët, në një ngjarje që mund të përshkruhet vetëm si një akt kriminal. Të tjerëve, që u plagosën rëndë nga ciflat, iu ndryshoi jeta përgjithnjë.

Askush nuk mund t’ua kthejë më të vrarët familjeve apo t’i shërojë sërish ato trupa të dërrmuar. Por, është një përgjegjësi themelore e qeverisë që të garantojë që drejtësia të vihet ne vend dhe që viktimat e kësaj bëme të tmerrshme të shohin, që ata që mbajnë përgjegjësinë ligjore e morale për këtë krim, të japin llogari për veprimet e tyre. Por, qeveria shqiptare jo vetëm që ka neglizhuar zbardhjen e të vërtetës së Gërdecit, por në fakt, ka ushtruar në maksimum pushtetin e saj, për të mos lejuar që e vërteta të dalë në shesh.

– Gjatë ditëve të fundit, në kontekstin e vendimit të Gjykatës së Tiranës në gjyqin e Gërdecit, janë ngritur pikëpyetje të tjera. Askush nuk e ka mbrojtur më fuqimisht sesa unë pavarësinë e gjyqësorit shqiptar. Por edhe për ata që besojnë fort në autonominë e gjykatave, këto vendime janë të çuditshme, e madje zhgënjyese. Rast pas rasti, Gjykata dha vendime për “dhunimin e rregullave të sigurisë në punë” dhe “shkatërrimin e pronës për shkak të neglizhencës.” Por si ka mundësi që ajo iu shmang me kaq përpikmëri elementit kyç, faktit qendror të tragjedisë së Gërdecit: që 26 njerëz të pafajshëm u vranë nga ato shpërthime dhe që dikush është përgjegjës për ato jetë?

Vepra e kësaj qeverie shkon kundër konceptit të ndërtimit të demokracisë

– Ajo që duhet të ndryshojë më shumë se çdo gjë tek elita politike shqiptare është mentaliteti. Sot, klasa qeverisëse shqiptare i përmbahet një koncepti të vjetër, e madje regresiv, se gëzon privilegje në raport me njerëzit e zakonshëm, se ka imunitet nga sundimi i ligjit, se nuk i nënshtrohet vullnetit të popullit. Asgjë nuk ka influencuar për të minuar progresin drejt demokracisë që i duhet vendit, më shumë sesa këto qëndrime arkaike të njerëzve me pushtet.

Shqipëria është një demokraci e re. Gjatë më shumë se njëzet vjetëve që kanë kaluar që prej rënies së komunizmit, nevoja e saj më e madhe ka qenë ndërtimi i institucioneve kyçe të një demokracie: një gjyqësor të pavarur dhe të besueshëm, një media të çliruar, një sistem elektoral që është realisht i lirë dhe i ndershëm, një shtet ligjor që e lufton realisht korrupsionin dhe që është njësoj i vlefshëm si për ata me pushtet, ashtu dhe për ata pa pushtet, një kulturë politike që është e aftë të arrijë konsensusin për çështjet e mëdha që lidhen me interesin kombëtar, një përqendrim i pareshtur për t’iu përgjigjur nevojave të popullit.

– Asgjë prej këtyre nuk është arritur. Shikoni qeverinë aktuale. Vepra që ka lënë pas shkon tërësisht kundër konceptit të ndërtimit të demokracisë. Ajo ka kanosur gjykatat në mënyrë rutinë, madje edhe nën fasadën e një ligji antikushtetues lustracioni. Ka sulmuar në mënyrë poshtëruese zyrën e Prokurores së Përgjithshëm, teksa ajo përpiqej të gjente përgjigje për tragjeditë që ndodhën në Gërdec dhe në 21 Janar 2011. Është përpjekur të kufizojë liritë e medias, përmes ligjeve shtrënguese dhe jodemokratike dhe përmes presionit ndaj ambienteve në të cilat funksionon media. Dhe rast pas rasti, ajo ka manipuluar dhe të drejtën demokratike më themelore, procesin elektoral. Është e trishtueshme, që përkundrejt gjithë punëve të mira që mund të kishte bërë një qeveri largpamëse, reformiste dhe pro demokracisë, kjo qeveri ka treguar një interes aktiv, e madje obsesiv, vetëm për një objektiv: pushtetin, me çdo mënyrë që ka në dorë.

– Ajo që i nevojitet Shqipërisë nuk janë thjesht politikanë më rinorë, por një mentalitet i ri. Burrat e vërtetë të shtetit, si Nelson Mandela në Afrikën e Jugut apo i ndjeri Vaclav Havel i Republikës Çeke, ishin burra në moshë mjaft të madhe, por besimi tek idealet demokratike ishte thelbi i karakterit dhe qenies së tyre. Ky besim udhëhiqet çdo veprim që bënin dhe çdo vendim që merrnin. Për fat të keq, sot udhëheqësve shqiptarë, qoftë kur janë në moshën e Kryeministrit Berisha apo të Lulzim Bashës, ky besim ju mungon. Është me rëndësi jetike për Shqipërinë, që të gjejë të tjerë udhëheqës – burra dhe gra, të vjetër apo të rinj, të çfarëdo feje apo etnie – tek të cilët flaka e demokracisë vazhdon të shndrijë.