“Bomba” e Stephen Hawking: “Do të shpëtojmë duke ikur nga Toka”

0
21

voal.ch | 27 shtator 2015

VOAL – “Mendoj se mbijetesa e qenieve njerëzore do të varet nga aftësia për të jetuar në vende të tjera të universit, sepse rreziku që një katastrofë të shkatërrojë Tokën është i madh. Kështu dua të zgjoj interesin e publikut për udhëtimet hapësinore”.

Janë këto fjalët e shkencëtarit anglez Stephen Hawking, i cili në një intervistë për “El Pais”, thotë se e ndjen për detyrë të informojë njerëzit për shkencën.

Studiuesi pavarësisht se është i sëmurë, ka lëshuar një fushatë për të kërkuar forma jete inteligjente në galaksinë tonë.

Ai thotë se “Nëse jashtëtokësorët do vijnë të na gjejnë, rezultati është shumë i ngjashëm me atë që ndodhi kur Kolombi zbarkoi në Amerikë”.

Sipas tij, sfida e vërtetë është se si do jenë jashtëtokësorët. Parashikimi i tij është se kompjuterat do t’i kalojnë qeniet njerëzore në sajë të inteligjencës artificiale gjatë 100 viteve të ardhshme. Hawking këshillon shkencëtarët e rinj që të shkojnë në Amerikës.

“Atje e vlerësojnë shkencën. Ata që janë të prekur nga aftësi të kufizuara i këshilloj të përqendrohen në gjërat që paaftësia e tyre nuk i pengon të bëjnë dhe jo të ankohen”, deklaron fizikani.

Më tej shton se sëmundja e tij e ka liruar nga leksionet dhe nga takimet e mërzitshme, ndërsa pohon se tashmë ka më shumë kohë për t’u marrë me kërkime. Stephen Hawking është i prekur nga sëmundja ALS, një sëmundje degjenerative progresive nervore, jongjitëse, që prekë këdo, kudo, por arsyeja e shfaqjes së saj edhe më tutje në shumicën e rasteve mbetet jo e qartë.