Blushi: Shqipëria ndodhet mes modelit politik rus dhe atij turk

0
56

Shqipëria për Ben Blushin ndodhet mes Lindjes politike të modelit rus shtetformues dhe Lindjes fetare, të modelit turk të Erdoganit, ku liritë dhe të drejtat janë të mohuara.

Kështu u shpreh gazetari dhe politikani për gazetën kosovare Koha Ditore.

Blushi tha se në dekadat e ardhshme Shqipëria do të qeveriset nga të pasurit, tendencë e cila do të ekzagjerohet, ndryshe nga gjithë pjesa tjetër e kontinentit, duke shprehur njëherësh edhe shqetësimin se këta të pasur do ta lënë Shqipërinë jashtë Evropës, pasi ata dëshirojnë që të rrimë këtu ku jemi për të shtuar pasuritë e tyre në mënyrë të paligjshme.

Blushi sheh edhe rrezikun e rritjes së ndikimit fetar deri në ekstrem dhe kërkon që feja të mos bëhet busulla e jetës së shqiptarëve, por mënyrë jetese me masë.

Ndërsa, nëse bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, shtyhet apo vonohet nga diçka, sipas tij, kjo është për shkak të shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndërkohë në një speciale në gazetën Panorama, pas izolimit gjatë regjimit osman dhe atij të Enver Hoxhës, Blushi parashikon një izolim të tretë, madje sipas tij tashmë kemi hyrë në të.

Është izolimi nga vetë shqiptarët, nga ata që ai i quan “izolatrikë”, që mendojnë si perëndimorë dhe veprojnë si lindorë, ca prototipa, të cilët ai i gjen të vizatuar në portretin e nënprefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”. Ashtu si i ati, Kiço Blushi, që e shfrytëzoi figurën e nënprefektit për skenarin e filmit “Koncert në vitin 1936”, me regji të Saimir Kumbaros, ai e shfrytëzon atë si një nyje të rëndësishme për veprën e tij më të re në gjininë e publicistikës.

Për të, në këtë “parashikim” për 100-vjetëshin e ardhshëm të Shqipërisë, “izolatrikët” apo “nënprefektët” do të jenë ata që do të kenë në dorë ecurinë e reformave, afrimin me Europën, madje ata do të kenë në dorë vetë politikën.

“Ndryshimet e fundit të taksave rënduan të varfrit”, thumbon Blushi qeverinë e re.