Deputeti i PS-së shprehet se, besiemt fetare kanë rolin e tyre, por nuk janë udhëheqësit e popullit
Shekulli, 04.04.2014
Çfarë do të jetë Shqipëria në njëqind vitet e ardhshme? Si do jenë njerëzit e saj? Sa shumë, ose sa pak do të jenë ata? Çfarë drejtimi do t’i japim ne shoqërisë, ekonomisë, partive dhe shkollave në vitet e ardhshme?
Këto pyetje ngre, Ben Blushi, që orvatet t’u japë përgjigje në librin “Hëna e Shqipërisë”. Parashikimi i Blushit është i zymtë, pasi flet për pabarazi ekonomike, radikalizëm politik dhe ekstremizëm fetar. Blushi, ashtu siç ka bërë edhe më parë, sërish kërkon të sjellë provokime sa i takon besimit fetar. Ai parashikon radikalizim të tyre.
“Ndërkohë që të gjitha partitë dhe grupimet politike humbin terren, islami fiton kauza dhe ndjekës çdo ditë duke shfrytëzuar dobësimin e të gjithë konkurrentëve të vet. është pothuajse një lëvizje politike”, shprehet Blushi.
Për të përforcuar këtë, ai jep shembullin shqiptarëve që kanë shkuar për të luftuar në Siri. Edhe pse vendi ynë njihet për tolerancë fetare, Blushi thotë se kemi tendencë për të prodhuar një “fetarizim të theksuar”.
“Në qoftë se shoqëria ka kaq shumë nuancë të fortë me theks fetar, siç po e shikojmë në Turqi dhe ne s’jemi shumë larg, siç po e shohim në Shqipëri ditët e fundit se ne po shohin që feja furnizon terrorizëm apo shpërndan armë aty ku s’duhet. Shoqëria ka një tendencë për të prodhuar një fetarizim të theksuar dhe unë them se duhet të shkojmë përpara duke relativizuar këtë gjë, duke qenë më pak peng tek feja. Sepse i kemi mundësitë për të jetuar në një shoqëri mbi baza të tjera. Fetë kanë rolin e vet por nuk janë udhëheqësit”, shprehet Blushi.
Integrimin në Evropë ai e shikon si një proces që do të ndodhë, por në këtë pikë ai preferon të flasë për koston. “Procesi i Bashkimit me Europën nuk do të jetë një proces i lehtë. Nuk jemi aq afër sa duhet të ishim, por jemi më afër se kurrë në histori dhe këtë përpiqem ta them në libër, duke u marrë pak me të ardhmen”, shprehet deputeti i PS-së.
/Shekulli Online/F.S./