Blushi: Nga diktatura në demokraci bolshevike

0
48

NGA: DARINA TANUSHI

TIRANEShqipëria nga diktatura në demokracinë bolshevike …!!!”, – ishte ky reflektimi që ka shkuar në faqen e tij, në rrjetin social Facebook, deputeti socialist Ben Blushi. Me një fjali të shkurtër krahasuese, Blushi ka dhënë këtë përcaktim për situatën aktuale të Shqipërisë, jo vetëm atë politike pa i bërë ndonjë koment më shumë, por duke lënë miqtë e tij në Facebook të japin edhe ata këndvështrimet e tyre. Ashtu siç ndodh shpesh, Blushi ka qenë tepër i rezervuar në deklaratat e tij në media për ngjarjet politike.

Gjatë një interviste dhënë dy muaj më parë në emisionin “Fakt” të gazetarit Çim Peka në UTV News, Blushi u shpreh për një gatishmëri të Partisë Socialiste për të krijuar një aleancë të re me Lëvizjen Socialiste për Integrim, për të rrëzuar Berishën nga pushteti. “Pavarësisht nga çfarë ka ndodhur, eventualisht ne mund të kemi një koalicion me LSI-në. Nëse ka njerëz që janë të papërgatitur për këtë që po ndodh kjo tregon se kanë problem me fantazinë e tyre, nuk parashikojnë dot që një ditë ajo që u duket e pamundur, mund të jetë e mundur dhe në qoftë se ka një gjë që stonon në këto 20 vjet në Shqipëri është aleanca e PD-së me LSI-në”, – deklaroi pak kohë më parë Blushi në lidhje me zhvillimet politike para zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

“Aleanca PS – LSI pavarësisht nga çfarë ka ndodhur, mënyra si është folur, për ta prishur apo për ta ndrequr këtë marrëdhënie organike, kjo aleancë është biologjikisht e mundur. Është bashkimi i dy trupave që për arsye që dihen u ndanë dhe ribashkohen. Nuk hyj tek ata që janë shumë entuziastë, as euforikë për këtë që po ndodh, por hyj tek ata që mendonin se kjo gjë mund të ndodhte një ditë”, – tha ai.

Një nga zërat kritikë të kryetarit të PS-së, Edi Rama tashmë nuk ka folur më në media për problemet brenda partisë ku bën pjesë. Fill pasi kryesocialisti Rama humbi zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Blushi sëbashku me një grup deputetësh, mbështetës të tij u vu në krye të një lëvizjeje, e cila u quajt nga media si ‘Lëvizja për Mendimin Ndryshe’.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)